Nga Donat Maloku
Të jesh femër do të thotë shumë. Por shumë pak dinë ta vlerësojnë atë! E konsiderojnë si një qenie të dobët, që mund ta thyesh lehtë. Por, përkundër vlerësimeve të tilla, roli i femrës shqiptare në shoqërinë tonë vazhdon gjithnjë e më shumë të marrë peshë.
Gratë shqiptare tashmë nuk janë vetëm amvise, ato po e tregojnë vetën në të gjitha sferat e jetës nga arti e kultura deri te politika. Mbi të gjitha ato mbesin një shtyllë mjaft e rëndësishme për familjen dhe mirëqenien e saj.
Megjithatë, të qenit një grua poete është një gjë shumë sfiduese, në një shoqëri si kjo e jona e cila ende vazhdon të jetojë më paragjykime për njerëzit e suksesshëm, veçanërisht femrat.
Por, si është një ditë e zakonshme për një krijuese? Si e organizon atë? Sa gjen kohë për familjen, krijimtarinë dhe punën?
Portali ‘tesheshi, sjell rrëfimin e krijueses Ilir Zajmi, një prej poeteve më të mira kosovare. Një jurist e diplomuar, por që la këtë profesion për t`ju përkushtuar artit të bukur, letërsisë dhe gazetarisë. Sot, Zajmi është një emër i njohur dhe një veprimtare e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të grave.
Si nis dita për një poete?
Ilire Zajmi thotë se të jesh poete do të thotë të shohësh botën me sy të zemrës, të përjetosh çdo lindje të diellit e përkundje të hënës. Megjithëse siç ka thënë ajo letërsia s ‘ka gjini, prapë të jesh femër e poete është shumë sfiduese. “Në një shoqëri si jona, paragjykimet nuk mungojnë. Prandaj një femër poete duhet të posedojë një karakter të fortë, të ketë forcën e talentin e mbi të gjitha guximin për të shpalosur idetë e saj në botën e letrave”, është shprehur ajo.
Si edhe të gjithë njerëzit e tjerë, edhe poetja Zajmi, ka detyrat e jetës së përditshme. Ajo thotë secila ditë ka të veçantat dhe angazhimet e saj, edhe pse duket se ato i ngjasojnë njëra –tjetrës.
“Ditën e filloj herët, pasi duhet të shkojë në punë. Puthjet e mëngjesit të dy fëmijëve të mi, djalit Arbit e vajzës Andës, më mbushin me energji pozitive për një ditë të mbarë”, ka thënë ajo. Më pas, asaj i duhet të fillojë angazhimet ditore të profesionit, sic është shprehur edhe Zajmi, poetët nuk e kanë luksin të mos punojnë për rrogë, por të jetojnë me artin e tyre.
Zajmi është gazetare dhe kjo punë asaj i merr kohë dhe energji. Por ndodh që edhe gjatë ditës të shkruajë ndonjë varg, të dalë në kafene me miqtë poetë duke shkëmbyer ide e mendime rreth botës së letërsisë. “Pasdite, pas përfundimit të orarit të punës, marrja e fëmijëve nga shkolla. Më pas gjëra të tjera rutinë. Detyra shtëpie. Më pëlqen të lexoj e të shkruaj, kryesisht në orët e vona të natës, kur fëmijët të kenë fjetur. Atëherë merrem me gjërat e mia. Shkruaj nëse jam e inspiruar apo lexoj librat e parapëlqyer”, ka thënë ajo
Me fat që është gazetare
“Poetët nuk janë të privilegjuar të jetojnë nga arti i tyre”, rrëfen Zajmi, e cila shton se do të ishte mjaftë lehtësuese sikurse ajo të mos varej nga profesioni dhe të mund të jetonte vetëm nga letërsia.
Nga letërsia askush s’ ka arritur të bëhet i kamur, dhe ajo është shprehur të jetë më fat që është gazetare, pasi gazetaria dhe letërsia megjithatë ndërlidhen me njëra –tjetrën. Në kuptimin pezhorativ, ka thënë ajo, gazetaria është e gjallë aktive dhe të thith shumë energji e kohë, në anën tjetër të ndihmon por edhe të pengon shpesh për t’u marrë seriozisht me krijimtari.
“Letërsia do më tepër kohë e përkushtim. Do qetësi e inspirim. Unë më duket se kam gjetur formulën e bashkëdyzimit, prandaj edhe nuk e shoh si pengesë profesionin. Sa i përket kohës, ajo gjendet gjithmonë. Është një det brenda teje, që gjen momentin për t’u trazuar. Gjithmonë mbaj laps e një “notes” të vogël shënimesh. Edhe një ide të vockël fare më pëlqen ta shkruaj, për ta zgjeruar më pas kur t`i vijë momenti”, thotë Zajmi.
Koha për familjen
Si për çdo person tjetër, edhe për poetën Zajmi, familja ka një vend të veçantë në jetën e saj. “Sidomos fundjavat, kur nuk kam ndonjë angazhim apo ndodhem larg familjes, janë gjithmonë kohë të bukura, kur dalim, vizitojmë vende interesante, takohemi me miq e familjarë dhe kënaqemi me ato që ofron jeta’, është shprehur ajo.
Ndërsa ka thënë se familja ka qenë një nga përkrahësit më të mëdhenj të saj në botine letërsisë, duke ia dedikuar asaj edhe suksesin dhe librat që ajo ka botuar, e cila e ka ndjekur atë në çdo aktivitet duke i dhënë forcë, energji dhe jetë për të vazhduar rrugën e saj që kërkon shumë sakrifica.
Hapat e parë drejt letërsisë
Poetesha Ilir Zajmi, edhe pse e shkolluar për jurisprudence, nuk e ka ushtruar këtë profesion. Botës së letërsisë i ka hyrë shumë herët, duke filluar të shkruajë në një moshë mjaftë të vogël. Gjë që ka bërë që edhe përkundër shkollimit ajo të mos i ndahet letërsisë.
“Nuk doja të studioja letërsinë edhe për një arsye tjetër. Planprogrameve dhe përfshirjes së literaturës për lexim. Edhe sot e kësaj dite, gratë autorë nuk mësohen në katedra të letërsisë. Ose numërohen në gishta. Kjo më pa penguar, dhe kujtoj se flet shumë për ‘kanon letrar’ ku ka mungesë flagrante të autoreve, dhe për një shoqëri thellësisht maskiliste, ku burri dominon botën”, ka potencuar poetja, duke shtuar se më pas ka studiuar gazetarinë duke i plotësuar deri diku nevojat e saja krijuese.
Librin e parë me poezi e ka botuar shumë herët, për të vazhduar më pas me romane, libra publicistikë e studimorՃ. Është botuar në disa gjuhë si: italiane, frënge, angleze, rumune, kroate, boshnjake etj. Librat e saj janë botuar edhe si libra elektronikë dhe mund të gjenden në platformat e reja teknologjike.
“Kjo e afron më tepër librin me lexuesin në çdo cep të botës. Natyrisht, asgjë nuk ka qenë e lehtë. Mirëpo arti është një botë magjike, që të robëron. Një gjë duhet ditur, bota e artit është e vështirë, s ‘është e shtruar me lule. Mirëpo kush niset të trazojë këtë rrugë, duhet të jetë i talentuar, i guximshëm dhe të ketë shumë vetëbesim”, ka thënë ajo.
Pak biografi
Ilire Zajmi ka lindur në Prizren, është gazetare, shkrimtare dhe studiuese.
Deri më tani : përmbledhjet me poezi “Këmbanat e mëngjesit”-Prishtinë (1991), “Baladë e bardhë “ – Prishtinë (2000), “Amnesia” në gjuhën angleze, Corpos Editora, Portugali (2011), romanin “Fashitja e ëndrrave rebele” Prishtinë (1996), librin publicistik “Un treno per Blace” botuar në Itali (Bari, 1999), “Një tren për Bllacë” Prishtinë (2011), librin studimor “Pamjet televizive dhe realiteti” Prishtinë (2011). E prezantuar në antologjitë: “Take të larta”, Prishtinë 2002 “Gjuha e dashurisë poetike” Tiranë, 2006, “Nënës” Tiranë, 2007, Leksikon i shkrimtareve shqiptare, 2010 “Altri mondi”, Bukuresht, 2008, Carcinogenic Poetry , Londër (2011), San Antonio Anthology , Teksas (2012), 50 Magical Voices Universal
Muse, Nju Jork (2012). E përkthyer në disa gjuhë të botës si anglisht, frengjisht, italisht, spanjisht, portugalisht, rumanisht, në gjuhët malazeze, kroate, boshnjake etj.
Pjesëmarrëse në disa festivale ndërkombëtare të poezisë. Në vitin 2011, fitoi çmimin Ventennale për poezi, në një konkurs ndërkombëtar në Milano të Italisë.
/tesheshi.com/