PDSH në Maqedoni kritikoi partinë rivale shqiptare, BDI me rastin e 14-vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit. Me anë të një deklarate, PDSH i quan marrëzi të madhe politike festimet e përvjetorëve të kësaj marrëveshjeje.
“Mospërmbushja e obligimeve bazë që burojnë nga kjo marrëveshje i bën të pavend dhe absurde manifestimet, festimet e përkujtimet që organizon BDI dhe me të drejtë shtrohet një pyetje elementare: Çka feston e çka përkujton sot BDI përveç dështimit dhe paaftësisë së vet! Të mos harrojmë se përveç se është 14 vjetori i nënshkrimit, sivjet mbushen 11 vite nga tejkalimi i afatit të implementimit të po kësaj marrëveshjeje!”, thotë PDSH.
Kjo parti shton se me moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit, lind nevoja e menjëhershme e një marrëveshjeje të re me anë të së cilës të realizohen kërkesat e ligjshme të shqiptarëve për barazi në Maqedoni. Dhe këtë marrëveshje, PDSH duket se e ka pjesë të platformës së saj politike. /tesheshi.com/