Demokratët e kanë kthyer në ritual të përditshëm denoncimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për përfshirje në trafikun e drogës dhe përdorim të pushtetit për të favorizuar trafikantët. Këtë të martë ishte deputeti Genti Strazimiri që nga foltorja e PD-së deklaroi se Tahiri nuk mund të qëndrojë në detyrë, pasi mashtroi faqe gjithë opinionit public në lidhje me shitjen e makinës së tij.
“Edhe tani që flasim, ky njeri që pranon se makina e tij është përdorur nga trafikantë, por nxjerr një alibi, që është edhe ajo krim, dhe mundohet ta mbyllë ciklin e paligjshmërisë me një mashtrim publik duke thënë se e ka shitur mjetin e tij me targë “AA 003 GB”. Pra, ky njeri është në krye të rendit dhe zbatimit të ligjit”, ka thënë Strazimiri.
PD, sipas deputetit, e provoi edhe dje me fakte se një vit pasi ministri thotë që e ka shitur automjetin, ai shfaqet sërish në timor të makinës së drogës në pikat e kalimit kufitar.
“Gënjen paturpësisht. Nuk e ka shitur. Ja ku kemi sot, policën e sigurimit të mjetit për vitin 2015-2016. Ja çfarë thotë dokumenti për Audin me targë “AA 003 GB”: Pronar, Saimir Tahiri. Mjafton ky mashtrim, ky deklarim i rremë, që Saimir Tahiri të largohet menjëherë nga funksioni e t’i nënshtrohet ndjekjes penale. Por ai është krenaria e Edi Ramës. Jo pse gënjen publikisht, por më shumë e bën Ramën të ndihet krenar për linjat e drogës që ai komandon vetë. Ka instaluar linjën e tij Saimir Tahiri me Habilajt e bandat e tjera të narkotrafikut. Linja “AA 003 GB”, që është kthyer në simbol, madje identitet të kësaj qeverie. Pronar i makinës, Saimir Tahiri. Pronar i drogës, Saimir Tahiri”, tha Strazimiri. /tesheshi.com/