“Ne e mbajmë gjithmonë një grusht të hekurt gati në rast se dora që shtrijmë lihet në ajër ose na kafshohet,” tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke iu referuar lëvizjes historike të PKK.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Turqia do të vazhdojë operacionet kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) nëse procesi i çarmatimit të grupit ndërpritet ose nuk përmbushen premtimet.
Erdogan e bëri deklaratën në një ngjarje në Stamboll në ditën e parë të muajit mysliman të Ramazanit, raporton Reuters.
“Që tani e tutje, ne do të vazhdojmë të ndjekim respektin reciprok, tolerancën dhe dialogun në vend të gjuhës së urrejtjes, grindjes dhe tensionit. Megjithatë, ne e mbajmë gjithmonë gati një grusht hekuri në rast se dora që shtrijmë mbetet në ajër ose kafshohet. Nëse premtimet e dhëna nuk realizohen, nëse procesi disi kthehet në zvarritje, shtyrje, mashtrim, duke vepruar si më parë me një emër tjetër, atëherë mëkati nuk do të jetë i yni. Nëse është e nevojshme, ne do të vazhdojmë operacionet tona të vazhdueshme derisa terroristi i fundit të eliminohet”, tha Erdogan.
Kreu i PKK, thirrje për shpërbërjen e organizatës
PKK, të cilën Turqia e konsideron një organizatë terroriste, njoftoi një armëpushim me Ankaranë në përgjigje të thirrjes së liderit të saj Abdullah Oçalan, njoftuan më herët media turke.
“Ne pajtohemi me përmbajtjen e ftesës dhe deklarojmë se do të respektojmë dhe përmbushim kërkesat e saj nga ana jonë. Ne shpallim një armëpushim duke filluar nga sot,” theksoi PKK.
Udhëheqësi i PKK-së, Abdullah Oçalan, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në ishullin Imrali pranë Stambollit që nga viti 1999, u bëri thirrje mbështetësve të tij të enjten të dorëzojnë armët dhe të shpërndajnë organizatën, e cila mund t’i japë fund katër dekadave të konfliktit me Ankaranë dhe të shkaktojë ndryshime politike dhe të sigurisë në rajon.
Oçalan, 75 vjeç, tha në një mesazh të dërguar nga burgu se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit duhet të mbajë një Kongres dhe të marrë një vendim për shpërbërjen e saj.
Sipas CNN Turk, qeveria turke pret që shpërbërja e PKK të zgjasë dy deri në tre muaj. /tesheshi.com/