Presidenti i Turqisë Rexhep Tajjip Erdogan ka pritur në rezidencën Tarabya në Stamboll, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë njëditore në Turqi.
Rama ndodhet në Stamboll si pjesëmarrës në kuadër të Samitit për Energjinë dhe Ekonominë që zhvillohet në Turqi, ku ai ka patur edhe një takim me Presidentin turk.
Nga zyrat e shtypit deri tani nuk ka ende një njoftim mbi këtë takim, por pritet që gjithçka do të zbardhet më vonë. Edi Rama, sapo erdhi në pushtet e shpalli Turqinë si një aleat strategjik, por me kalimin e kohës ky prioritet sikur u harrua…
Megjitha Rama, ka shkruar në faqen e tij në twitter se ka kaluar gjithë paraditen me kreun e shtetit turk.
“Paradite e plote ne Stamboll me Presidentin Erdogan per sfidat e perbashketa e mbeshtetjen e Turqise per Shqiperine”, shkruan Rama, i cili përcjell dhe një foto.
Në samitin e energjisë, Rama ka pohuar se janë duke u modernizuar lidhjet me Greqinë dhe Malin e Zi dhe po përmirësohen linjat e interkonjeksionit me Kosovën dhe Maqedoninë dhe sipas tij Projekti TAP e vendos Shqipërinë në një pozitë gjeo-strategjike të BE-së.
Në këtë samit merr pjesë edhe Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç. Ndërkohë i pranishëm në samit është edhe ministri i Ekonomisë së Turqisë, Nihat Zeybekci.
Samitit për Energjinë dhe Ekonominë zhvillohet në Stamboll, nën organizmin e Këshillit Atlantik, ku marrin pjesë përveç zyrtarëve të lartë, edhe ekspertë të fushës së energjisë dhe ekonomisë./tesheshi.com/