Nga Blerim Kore
Dalta lëviz ngadalë në sipërfaqen e gurit ndërkohë që goditjet ritmike të çekanit shpërndajnë dhjetra copëza guri. Dalta duket se iu bindet në mënyrë besnike duarve që e shtrëngojnë fort duke ravijëzuar kështu mbi sipërfaqen e gurit formën e dëshiruar.
Gurgdhendësi gjirokastrit Muhedin Makri sapo ka filluar t`i japë formë relievit të tij të rradhës mbi një pllakë guri. “Nuk është edhe aq e lehtë ti japësh formën e dëshiruar gurit në disa raste ai është “kokëfortë” dhe nuk i bindët formës që kërkon ti japë dalta”, thotë gurgdhendësi ndërsa e përshkuan gurin si diçka të gjallë.
Tashmë në një moshë rreth 65 vjeçare, Muhedini ka arritur të mësojë të gjitha të fshehtat e mënyrës së gdhendjes dhe punimit të gurit. “Ky zanat në fillim duket i vështirë pasi të duhet ti japësh formë gurit por me kalimin e kohës mua me ka pëlqyer dhe më ka bërë për vetë”, thotë mjeshtri Makri ndërsa shtrëgon fort në duart daltën dhe çekanin.
Prej gati 25 vitesh ai punon dhe skalit në mënyrë artistike gurin duke krijuar nëpërmjet tij me dhjetra punime. Në oborrin e shtëpisë së Muhedinit, në lagjen Dunavat, do të gjesh gjithçka prej guri, sylynjarë uji, drerë të gdhendur në gur, portrete njerëzor, ornamente dhe lule etj. Duket sikur ndjesia e së bukurës në shpirtin e tij është përjetësuar njeherë e përgjithmonë në këto punime të gurta.
“Guri më ka nderuar kudo”, thotë ai, ndërsa sjellë në mendje vitet e punës si gurgdhendës dhe skalitës i relieveve mbi sipërfaqen e pllakave të gurta. Madje për një periudhë përgjatë viteve 90-të ai ka punuar si emigrant edhe në Greqi, në Athinë. Ai i ofronte athinjotëve të interesuar pas këtij profesioni dhe punimeve të ndryshme me dhjetra forma dhe skalitje artistike në gur të cilat zbukuronin oborret dhe dhomat e shtëpive.
Tashmë ai punon çdo mbasdite në oborrin e shtëpisë duke realizuar punime të ndryshme artistike të porositura nga njërëz të apasionuar pas gdhendjes së gurit. “Janë me dhjetra porosi që më mbërijnë nga njerëz të ndryshëm të cilët kërkojnë të përjetësojnë një herë e përgjithmonë në gur portrete njerëzore, kafshë të ndryshme, lule etj, “, thotë Muhedini ndërkohë që mbi sipërfaqen e gurit që ai skalit ka filluar të formësohet një petale luleje.
Por ndër punimet e ndryshme që ai ka realizuar më shumë i ka lënë mbresë gdhendja e një shqiponje. ” Mesa më kujtohet porositësi i saj kërkonte të vinte një shqiponje prej guri në qemerin e gdhendur të portës së shtëpisë”, thotë Muhedini. Pas kishte marrë porosinë gurgdhendësi punoi për gati dy javë për të realizuar relievin e shqiponjës së gurtë. “Ishte diçka e veçantë për mua të gdhendja një shqiponjë guri pasi nuk kisha patur asnjëherë një porosi të tillë.
Plot vullnet dhe pasion, duke punuar mbi gur rreth 12 orë në ditë ai arriti të përfundojë shqiponjën ndërkohë që porositësi i saj ngeli mjaft i kënaqur. Janë mjaft punime artistike të gdhenduar në gur nga Muhedini të cilat zbukurojnë jo vetëm oborret dhe dhomat e brendshme të shtëpive gjirokastrite por porositësit jane edhe nga rrethe te tjera të Shqipërisë.
Goditjet e çekanit mbi daltë kanë shoqëruar gjithë bisedën me gurgdhendësin.
Mbi sipërfaqen e gurit ai tashmë ka përfunduar punimin e rradhës, një lule trendafili me petale të gurta. “Kjo lule nuk ka për tu vyshkur asnjëherë”, thotë gurgdhendësi Muhedin Makri ndërsa përkedhel me gishtat e pluhurosura petalet e trëndafilit të gurtë.
Skalitësi në gur i heroit Adem Jashari
Pjesë e suvenireve turistike të realizuar nga gurgdhendësi Muhedin Makri janë edhe ato me motive nga historia dhe figurat e shquara të Kosovës. Ai ka ofruara për vizitorët një sërë suveniresh, kryesisht të skalitura në gur, në të cilat pasqyrohet historia e Kosovës. Ndër to spikat suveniri me imazhin e heroit Adem Jasharit të skalitur në një pllakë guri.
Mjeshtri gurgdhendës, Muhedin Makri, thotë se mes suvenireve me motive nga Kosova nuk kishte si të mungonte imazhi I heroit Adem Jashari. “Për gati një javë punova për të skalitur në gur portretin e Adem Jasharit, thotë gurgdhendësi Makri, ndërsa tregon një portret të luftëtarit të Kosovës të realizuar në gur në formë suveniri.
Pjesë e këtyre suvenireve jane dhe simbolika të ndryshme nga Kosova si: harta e saj, punime të gdhendura në gur në të cilat krahas Ismalit Qemalit qëndrojnë edhe figura të spikatura të historisë së Kosovës, etj. “Reagimi I vizitorëve në lidhje me këto suvenire ka qenë pozitiv madje kam patur porosi për të realizuar edhe punime të tjera në gur me motive nga Kosova”, thotë gurgdhendësi gjirokastrit Muhedin Makri.
Megjithëse dimër sërish vizitorët vendas dhe të huaja po tërheqin suvenire të ndryshme me motive kombëtare të realizuar në gur të skalitur nga mjeshtri gjirokastrit Muhedin Makri.
Dy gishtat e demokracisë dhe grushti i komunizmit të gdhendura në gur
Duket se “etheve” të politikës dhe motiveve nga fushatat elektorale duket nuk i kanë shpëtuar as artizanët gjirokastritë dhe punimet e skalitura në gur nga Muhedin Makri. Mbështetur mbi këto motive. gurgdhendësi Muhedin Makri ka realizuar në gur të skalitur një dorë të mbledhur grusht si dhe një punim tjetër ku spikasin dy gishata e ngritura lart.
“Duke qenë se politika në vendin tonë është në plan të parë unë mendova që në mënyrë simbolike të realizoja këto punime në gurgdhendje në fomën e suvenireve turistikë.”, thotë artizani Muhedin. Për të dora e mbledhur grusht e skalitur në gur simbolizon komunizmin e lënë pas ndërsa dy gishtat e ngritura lart janë simbol i demokracisë.
Të dyja këto punime janë vendosur në shitoren e suvenireve tradicionale në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës. “Ato kanë tërhequr vëmendjen e shumë turistëve të cilët porsa i shikonin qeshnin dhe më pyesnin për to”, thotë gurgdhendësi gjirokastrit. Por ka patur edhe raste kur bashkëqytetarët gjirokastritë qeshin së bashku me të për këto dy suvenire duke i thënë se edhe ai po bëhet politikan. /tesheshi.com/