Fatmira Bujupi, mësuese e matematikës nga Malisheva, ditëve të fundit është shëndërruar në një prej personave më të përmendur në opinionin publik kosovar dhe jo vetëm. Arsyeja është se ajo nuk është lejuar të kryejë punën e saj si mësuese në shkollën fillore “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, me të vetmën arsye, vetëm pse bart shami, pra është me mbulesë. Nxënës dhe prindër së bashku kërkuan largimin e mësueses. Ashtu dhe ndodhi. Mësuesja Bujupi me vendim të komunës së Malishevës, gjegjësisht Drejtorisë së Arsimit u transferua në shkollën e mesme “Lasgush Poradeci”, në Kijevë.
Në dallim nga fshati Drenoc, ajo u mirëprit nga stafi, por edhe nga të gjithë kijevasit. Ashtu do të duhej të ndodhte edhe në Drenoc (por që një pjesë e nxënësve dhe prindërve nuk e dëshiruan), pasi mësuesja Bujupi, ka mbaruar studimet e larta dhe qëllimi i saj, siç ka thënë vetë ajo është vetëm mësimi i nënësve dhe asgjë tjetër.
Duke parë reagimet e mëdha për rastin e mësueses Bujupi, portali tesheshi.com ka vendosur të bëjë një shkrim për opinion e fshatit Drenoc, që nuk e dëshiroi mësuesen, si dhe për fshatin Kijevë, që pa asnjë zhurmë e pranoi në shkollën e tyre.
Drenoci, fshati i rapsodëve të njohur Sali e Feriz Krasniqi
Drenoci, si edhe fshatrat tjerë të Kosovës është shquar për miqësi dhe mikëpritje, si çdo familje shqiptare që e ka në traditë mikëpritjen. Është një prej fshatrave më të mëdha të Malishevës, me më shumë se 500 shtëpi. Megjithatë, Drenoci për më tepër i ka dhënë shumë Kosovës, apo thënë më mire ka mbajtur gjallë këngën burimore shqiptare.
Arsyeja është se në Drenoc kanë lindur dy rapsodët e mirënjohur Sali e Feriz Krasniqit, të cilët njihen brenda dhe jashtë Kosovës, qysh në vitet 60-të të shekullit të kaluar.
Zëri i këtyre rapsodëve u bë i njohur edhe në Britaninë e Madhe. Më 10 korrik 1966, Saliu e Ferizi në Langolen në festivalin ndërkombëtar fituan vendin e parë.
Ndaj, duke parë këto vlera të këtij fshati që ka dhënë shumë për mbarë shqiptarinë, është paksa e habitshme se si një grup banorësh (kuptohet jo i gjithë fshati) me veprimin e tyre bënë një gjë tejet të pahijshme, duke treguar jo mikëpritje për një mësuese të shkolluar dhe duke kërkuar largimin e saj.
Kijeva, fshati i pleqnarit të Kosovës, Ramadan Shabani
Mësuesja Fatmire ndonëse është mërzitur me sjelljen jo të mirë të disa nxënësve dhe prindërve të fshatit Drenoc, por pas pak ditësh ajo sigurisht është ndjerë tejet e gëzuar, pasi është mirëpritur nga fshati Kijevë, fshat ky i njohur për pajtimin e shumë gjaqeve ndër vite e në vise të ndryshme kudo që kishte hasmëri.
Kijeva, njihet si fshati i pleqnarit të madh Ramadan Shabanit, i cili ka ndarë pleqni disa breza me radhë dhe sot njihet si pleqnari i Kosovës.
Pa i mbushur ende të njëzetat, Ramadani filloi të merret me pleqni dhe këtë profesion do ta ushtronte gjatë gjithë jetës me një autoritet dhe aftësi të dalluar, pasi gëzonte besim të madh në shtresat e gjëra popullore.
Ramadan Shabani mori dy dekorata nga Shqipëria
Me rastin e 115 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, e dekoroi Ramadan Shabanin me “Urdhërin e Lirisë të klasës së parë”, si “udhëheqës dhe organizator i shquar i kryengritjeve gjithëkombëtare për pavarësi që sollën krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912”. Është ky urdhëri më i lartë që jepej në Republikën e Shqipërisë.
Kurse, në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë, bashkë me shumë atdhetarë nga Kosova, Ramdan Shabani, nderohet nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë me medaljen “Për Shërbime të Shquara” me motivacion: “Për kontribut të çmuar në përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.”
Pas tij, Ramadani la të birin, Kajtaz Ramadanin, që u bë një nga figurat e lëvizjes kombëtare shqiptare.
Pra, duke parë këtë brum, Kijeva e pleqnarit Ramadan Shabani edhe një herë tregoi se është vend i urtësisë dhe kurdo që nevoitet është i gatshëm të kontribuoi në “ulje e gjakrave” dhe këtë e dëshmoi më së miri shkolla e mesme “Lasgush Poradeci” me pranimin në mënyrën më të mirë të arsimtares Fatmir Bujupi./tesheshi.com