Presidenti amerikan, Barack Obama, ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv që e deklaron Venezuelën një kërcënim për sigurinë kombëtare, dhe vuri sanksione mbi shtatë zyrtarë.
Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, të lëshuar të hënën, seria e re e sanksioneve e përjashton popullin e Venezuelës dhe çdo marrëdhënie tregtare me vendin e pasur me naftë, e në vend të kësaj ka si synim në mënyrë specifike zyrtarët e shtetit që SHBA-ja i akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Zyrtarët e dikurshëm dhe të tanishëm venezuelas që shkelin të drejtat e njeriut të qytetarëve të Venezuelës dhe përfshihen në akte të korruptimit publik nuk do të mirëpriten këtu, dhe tani ne kemi instrumentet për t’ua bllokuar posedimet dhe përdorimin e sistemeve financiare të SHBA-ve,” tha në deklaratë Josh Earnest, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.
“Ne jemi shumë të shqetësuar nga përpjekjet e qeverisë venezueliane për ta intensifikuar kërcënimin e kundërshtarëve të saj politikë. Problemet e Venezuelës nuk mund të zgjidhen duke kriminalizuar mendimin ndryshe,” u shpreh deklarata.
Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, u përgjigj duke thënë se masat e SHBA-ve kishin për qëllim të rrëzonin qeverinë e tij socialiste.
“Presidenti Barack Obama, që përfaqëson elitën imperialiste të SHBA-ve, ka vendosur personalisht të marrë përsipër detyrën e mposhtjes së qeverisë sime dhe të ndërhyrjes në Venezuelë për ta kontrolluar atë”, tha Maduro në një fjalë të mbajtur në një televizion kombëtar.
Ministri i jashtëm i Venezuelës thirri menjëherë për konsultime diplomatin kryesor në SHBA.
Veprimet e fundit të SHBA-ve shënojnë një tjetër përkeqësim në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Karakasit. Vetëm javën e shkuar Maduro shpalli masat për ta kufizuar numrin e diplomatëve amerikanë në Venezuelë, duke e reduktuar një ekip prej gati 100 personash në 17 individë. /tesheshi.com/