Pasi u përjashtua nga punimet e parlamentit, deputeti i djathtë, Flamur Noka mesa duket të njëjtin fat do të ketë edhe në Komisionin e Sigurisë në Kuvend. Ai e ka tepruar sërish duke përdoruar fjalë fyese dhe tone të ashpra, kundrejt anëtarëve të tjerë.
Edhe këtë herë, shkak për këtë situatë është bërë rregullorja, teksa Noka i kërkonte llogari kryetari të komisionit, Spartak Braho se përse e lejonte ministrin e Brendshëm, të ikte nga mbledhja. Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i opozitës, Asllan Dogjani.
Ministri Tahiri po raportonte mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, kur është “sulmuar” nga Noka, i cili e quajti atë “kriminel”. Më pas, ministri i Brendshëm ka lënë mbledhjen, çka u bë shkak për shtimin e toneve të ashpra gjatë mbledhjes. Noka, si anëtar i dhjathtë i komisionit e ka cilësuar Spartak Brahon më pas si të paaftë për të drejtuar komisionin, si dhe i kërkonte llogari për largimin e Tahirit, i cili, para se të largohej tha se “kam axhendën e zënë, duhet të largohem”. Në këtë moment, Noka ju kundërpërgjigj: “Ulu aty more karagjoz, nuk ikën pa mbaruar unë”. Ndërsa, Brahos i tha se ishte pa autoritet dhe i paaftë për të drejtuar komisionin.
Në këtë mbledhje pritej të raportonte edhe kreu i SHISH, Visho Ajazi, por u shty për në takimin e ardhshëm./tesheshi.com