Nga Musa Mustafa
Nën një korr kakarisjesh të shfrenuara, një numër i madh pulash u mblodhën këtë të dielë në Mitrovicë, së bashku me të zotët e tyre, prezente në një panair shpezësh të organizuar nga Shoqata e Bylbylave të Mitrovicës, “Malino”.
Salla e Qendrës së Kulturës, “Rexhep Mitrovica”, ngjajti shumë e vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit nga tërë Kosova që t’i ekspozojnë pulat e tyre në këtë panair, që tani është bërë tradicional në Mitrovicë.
Bajram Ferati, përfaqësues i Shoqatës së Bylbylave dhe njëri nga organizatorët e këtij panairi, tha për portalin tesheshi.com se ky panair i këtij lloji është i vetmi në Kosovë.
“Këtu janë ekspozuar mbi 100 lloje të shpezëve, por më shumë ka të ekspozuar pula të racave të ndryshme nga ato të Kosovës deri në raca të ndryshme nga tërë bota e që po kultivohen në Kosovë”, shtoi Ferati.
Sipas tij, shpezëtarët këtë panair e shfrytëzojnë për krijim të lidhjeve, por edhe për shitje të shpezëve, e që në këtë drejtim ky panair është shumë i suksesshëm.
Ferati ka shprehur keqardhje për një numër të madh të personave nga qytetet më të largëta të Kosovës që në mungesë të hapësirës, u është dashur të kthehen pa i ekspozuar fare pulat e tyre.
“Besoj se vitin e ardhshme do të gjejmë një hapësirë më të madhe se kjo ku të gjithë të interesuarit do të mundë të ekspozojnë”, ka thënë organizatori.
“Në panair kam sjell për të ekspozuar pulat e racës ‘Brahma’, që janë racë indiane ndërsa që në Kosovë njihen si ‘pula amerikane’”, ka thënë shpezëtari Vehbi Ujkani.
Sipas tij, këto lloj pulash janë në zhdukje e sipër pasiqë nuk janë as për vezë as për mish, po njerëzit i kultivojnë vetëm për bukurin e tyre që kanë.
“Jam shumë i lumtur që në Mitrovicë për çdo vit organizohet një panair i tillë ky njerëzit munden me i pa shpezët; e sidomos për ata që janë të interesuar të kultivojnë raca më të veçanta këtu munden të gjejnë kontaktet e tyre”, tha Ujkani.
Ai ka shtuar se një çift i pulave “Brahma” kushton diku rreth 150 euro në treg.
Në anën tjetër, Brahim Behrami, vizitor i panarit, i tha portalit tesheshi.com, se ky panair është shumë i veçantë.
“I përgëzojë organizatorët, por më duke se hapësira ku është vendosur panairi i shpezëve nuk është shumë i përshtatshme, andaj organizatorët në të ardhmen duhet të gjejnë një vend më adekuat për këtë qëllim”, shtoi Behrami.
Por sipas tij, edhe informimi i qytetarëve duhet të jetë më i madh, shtoi ai.
Kështu pra, nën kakarisjen e qindra pulave, u organizua dhe këtë vit panairi i shpezëve, ku vizitorë të shumtë u njohën me llojet e racat e tyre, karakteristikat dhe te veçantat, si për interes të drejtpërdrejtë, e si për informim mbi këto gjallesa shtëpiake. /tesheshi.com/