Ambasadorit shqiptar në OSBE, Spiro Koçit i ka mbaruar prej kohësh mandati, pasi ka kaluar afatin 4 vjeçar të drejtimit të një misioni diplomatik.
Koçi, një diplomat karriere është urdhëruar nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, që të kthehet në Tiranë, pasi i ka kërkuar disa herë kreut të shtetit të bëjë zëvendësimin por nuk ka marrë përgjigje.
Ky vendim ka irrituar Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, i cili ka akuzuar qeverinë se po i shkel kompetencat.
Në përmbyllje të këtij afati presidenti i Republikës është njohur me kërkesën e parë qeverisë shqiptare për lirimin e Spiro Koçit nga detyra në datën 23 janar 2015, ku paralelisht Nishanit i është çuar edhe propozimi për Ravesa Lleshin si pasuesja e tij në postin e kreut të misionit diplomatik në OSBE.
Këtij propozimi të Edi Ramës, Bujar Nishani nuk i është përgjigjur, çka ka qenë arsyeja që presidentit i është çuar një tjetër shkresë rikujtuese në prill.
Me hyrjen në fuqi edhe të ligjit të ri për shërbimin e jashtëm, prej kreut të qeverisë shqiptare iu përsërit presidentit kërkesa për lirimin e Spiro Koçit nga detyra në korrik të këtij viti.
Kërkesa që në bazë të këtij ligji detyron kreun e shtetit të lirojë ambasadorin 30 ditë nga propozimi i kryeministrit nuk ka marrë sërish përgjigje nga Bujar Nishani, duke lënë ambasadorin Koçi në detyrë.
Pas tejkalimit të këtij afati ligjor nga presidenti, Ministria e Jashtme nis përmes shkresës së saj procedurat e lirimit të Spiro Koçit. /tesheshi.com/