“Familjarët, institucionet dhe qytetarët e Mitrovicës, por edhe ata të Kosovës e më gjerë, me vite kanë pritur që eshtrat e heroit të Kombit Isa Boletini, të rivarrosen në mënyrë dinjitoze dhe ashtu si i ka hije.
Me nderime më të larat shtetërore, pra në vendlindjen e tij, në Boletin të Mitrovicës, për atçka edhe ishte shtyrë deri tash rivarrimi”. Këto komente i ka bërë Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, gjatë një takimi që ka pasuar në Tiranë me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.
Në takim është biseduar për zhvillimet lidhur me ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini.
“Kur Qeveria e Kosovës më në fund mori vendim që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij të bëhet në Boletin, më 10 qershor të këtij viti, të gjithë u gëzuan pa masë. Mirëpo, fatkeqësisht ky gëzim nuk zgjati shumë, sepse pa pritur, Këshilli për rivarrim, i formuar nga Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të më vonshme, doli me një propozim absurd, që rivarrimi i eshtrave të heroit Boletini, të bëhet në Vlorë, e jo në Boletin, propozim ky që u shndërrua në marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, tha kryetari Bahtiri.
Bahtiri i ka rrëfyer Presidentit Nishani, se ky vendim dhe kjo marrëveshje, shkaktuan pakënaqësi të madhe e indinjatë të thellë në Mitrovicë dhe në Kosovë. Kundër këtij vendimi, që u tha se është jonjerëzor dhe jo i drejtë, dolën institucionet komunale, institucionet shkencore, si dhe qytetarët, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, intelektualët, shoqëria civile në tërë Republikën e Kosovës, e madje edhe në Shqipëri.
“Në vend që të merremi me përgatitjet serioze për organizmin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave, ashtu sikur e meriton heroi Isa Boletini, ne në Mitrovicë po shpenzojmë shumë energji për menaxhimin e pakënaqësisë së madhe që ka shpërthyer” ka thënë Bahtiri.
Për këtë çështje dhe për qëndrimi të drejtë e dinjitoz, shprehi mirënjohjen më të thellë për reagimet e qytetarëve të Mitrovicës e të Kosovës, për respektin e treguar për heroin Isa Boletini ka thënë Presidenti Nishani. Presidenti i Shqipërisë ka kërkuar që eshtrat e boletinëve të rivarrosën në Boletin dhe askund tjetër.
“Kërkoj me vendosmëri që rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij të bëhet në vendlindje, në Boletin, e jo në Vlorë” i ka thënë Presidenti Nishani, Kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirit. “Jam i surprizuar pozitivisht me reagimin e mitrovicasve, përkatësisht dashurinë e tyre të treguar për heroin Isa Boletini dhe me vullnetin e shprehur që ai të rivarroset në Boletin. Edhe Vlora, edhe Boletini, i përkasin historisë gjithëshqiptare, ashtu sikur që i përkasin edhe figurat e mëdha të kombit, Ismail Qemali e Isa Boletini. Por, historia nuk guxon të zhvendoset nga aty ku është bërë dhe ku është edhe sot. Këtë nuk mund ta bëjnë as presidencat e as qeveritë. Mitrovica përmes Boletinit është simbol i ruajtjes së territoreve shqiptare, prandaj eshtrat e heroit Isa Boletini, duhet të vendosen në vendlindjen e tij, në Boletin. Unë do dëshiroja që edhe ceremonia të jetë sa më dinjitoze dhe të ndodhë aty”, tha ai.
Presidenti Nishani në vazhdim tha, se me figura të çmuara historike nuk duhet të luaj askush dhe se është e papranueshme dhe e pafalshme që figurat e mëdha historike të kombit të shfrytëzohen për interesa të politikës ditore. “Si duket, në këtë rast pati një përpjekje të tillë, por që qytetarët e Mitrovicës, të Kosovës e më gjerë e kuptuan se ky ishte një kurth politik, për të cilin përgjegjësinë e mbajnë ata që e përgatitën”, tha Presidenti. Ai na vazhdim tha se figura e Isa Boletinit, fatkeqësisht, një kohë të gjatë është lënë nënë hije për shkaqe ideologjike, andaj, një gjë e tillë në kohën e sotme, nuk guxon të përsëritet.
Sa i përket përgatitjeve për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini, më 10 qershor të këtij viti, Presidenti Nishani tha se ai dhe presidenca do t’i kryejnë me përgjegjësi të lartë të gjitha obligimet e tyre dhe se këtë do ta bëjnë me kënaqësi të veçantë, sepse edhe figura e Isa Boletinit është e veçantë dhe meriton respektin më të madh.
“Pa marrë parasysh se nga kush do të organizohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini, unë dhe presidenca jemi të gatshëm në çdo kohë që të ndihmojmë dhe të kryejmë obligimet tona që kërkohen. Unë besoj se edhe të tjetër duhet të sillen kështu. Nuk besoj se ndokush do të guxoj të ndërmerr veprime që do të ndikonin negativisht në organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të figurës emblematike, heroit Isa Boletini. Presidenti do të jetë i pranishëm në ceremoni dhe do t’i kryej të gjitha aktivitetet e veta”, tha ndër të tjera, Presidenti Nishani.
/tesheshi.com/