Sikur Ramush Haradinaj në kthimin e tij nga Berlini do të merrte tranzitin në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, duke përdorur agjencinë ajrore gjermane “Lufthansa”, sot kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ishte për fundjavë në Gllogjan tek prindërit e tij, siç shpesh e bën fundjavave.
Nëse shqiptarët do të kishin një kompani të vetme të telefonisë celulare, fitimi që mund të arrinte ndoshta në 1 miliardë euro në vit, atëherë këto para do të prodhonin punë dhe të mira për shumë prej nesh dhe krijuar mundësi që të zhvillohen biznese të tjera. Sot mbi 200 milionë euro në vit shkojnë në Slloveni vetëm nga fitimet që marrin në Kosovë prej telefonisë së lëvizshme.
Sikur të gjitha frutat që prodhojnë shqiptarët t’i shtrydhnin në një manifakturë dhe t’i kthenin në fuqi, të mirat që u jep toka e tyre me më shumë diell, ne do të mbanim mbi 100 milionë euro brenda vendit e do të krijonim punë e të ardhura.
E njëjta gjë me qumështin e lopëve dhe deleve tona, e njëta gjë me barnat, e të tjera e të tjera.
Këtu nuk flitet për asfarë diskriminimi apo shovinizmi por një koncept normal i futjes në punë të mendjes në mënyrë që ne mos t’i çojmë larg vetes të ardhurat tona duke fragmentarizuar tregun dhe krijuar hendeqe mes shqiptarëve. Sepse çfarë ndodh? Asgjë tjetër përpos ishujve tribal që krijojmë mes vetes duke dashuruar në mënyrë iluzionare rite, koncepte apo zakone, që na vijnë si pasojë e subkoshiencës me sindromën e viktimës.
Kështu ndodh edhe me dashurinë tonë për jugokozmosin apo jugosllavët e ashtuquajtur të “butë”, të cilët na dolën papritur si armiq dhe “vëllezër me serbët”.
Në fakt ata të tillë kanë qenë, këtu e që në fillim të shekullit të kaluar kur krijuan Mbretërinë Serbo-Kroato-Kllovene apo Jugosllavinë e parë. I lidh elementi bazë- gjuha. Bukës i thonë ljepa që nga Uralet e deri në Beograd, janë një shtrat i përbashkët që edhe pse me fe të ndryshme e kanë zhvilluar luftra tribale, kanë shumë çka i bashkon.
Në samite, konferenca apo seminare ndërkombëtare, lobet e para të përbashkëta që krijohen prej shumë vitesh janë pjesëmarrësit nga vendet e ish-Jugosllavisë, që kënaqen me muhabet duke folur “nashke”, ndërsa ne vijmë nga Tirana, Prishtina apo Shkupi, i shohim me admirim dhe komentojnë për çfarë flasin duke u mburrur kush e di më mire sllavishten. Është ende avantazh tek shumë nga ne njohja e serbishtes, edhe pse të dish një gjuhë të huaj është vërtetë politive, por jo në këtë kontekst. Jemi të zotë të gjejmë mijëra epitete për njëri-tjetrin, dhe të kënaqemi të dëgjojmë këngë sllave, të pijmë qumësht nga lopët sllave, lëng nga frutat e tyre, e krijojmë edhe media të financuara nga paratë e telefonisë celulare të tyre. Dhe shajmë njëri-tjetrin e sulmojmë çdo nismë që çon kah integrimi ynë.
Ramushi tha mbrëmë se “jemi 7 milinë shqiptarë”. Po, jemi është e vërtetë, por jemi vetëm për të bërtitur pas ndeshjeve, por kemi 100 flamuj e bëjmë tregti për secilin. Jemi i vetmi komb në Ballkan që nuk kemi një kompani ajrore “flamur”, kur të tjerët kanë disa, jemi i vetmi që nuk kemi një kompani telefonie strategjike, një kompani energjie, por ngelemi gjithmonë të varur nga serbët.
Nisma e Tan Hoxhës me Digitalb-in krijoi një treg unik mediatik, por ne e sulmojmë dhe anatemojmë për të krijuar parcelat që na e kanë zvogëluar audiencën dhe i marrim çdo ditë njëri-tjetrit duke ulur nivelin, ndryshuar gjuhën dhe shkruar pa pikë turpi me dialekt a thua se gazeta apo gjuha e medias është hajgare kafiqi.
Kemi simpati për emra të njohur kompanish a produktesh nga “jugosllavët e butë” dhe kemi krijuar afeksion. Shikoni shtëpitë tona: me materiale ndërtimi nga “sllavët e butë”, hamë, pimë, mjekohemi dhe flasim në telefon nga ata, shohim televizionet e tyre, ndjekim modelet e tyre të gazetave të televizioneve, vishemi si ata, picërrojmë sytë si kuqalashët e tyre dhe dërgojmë në bankat e “jugosllavëve të butë” miliarda euro në vit. Dhe më pas, kur marrim lekët që na sjell djali me western union nga kurbeti, shkojmë në kafe e duke kthyer çajin që ka markë sllave, themi: “O janë ekonomi e fortë sllovenët, prodhojnë dru të fortë, i kam pas mobiljet qe 50 vjet, edhe vllau jem qashtu i ka pas”.
Po si u bënë të fortë? Duke shfrytëzuar paratë tona të “gjakut” të mërgimtarëve që nuk i fusim në punë për të prodhuar, por vetëm të blejmë.
Kurrë nuk e morëm respektin si myshteri të mirë, si bashkëpunëtorë të mirë dhe miq të mirë, edhe pse ka djem tanë që kanë luftuar për sllavët gjatë luftës së tyre me serbët.
Edhe në rastin e Ramush Haradinajt, ata e prenë në besë këtë trim tonin, duke e arrestuar me një letër të Beogradit, ndërkohë që edhe sikur t’ja kërkonte me ngulm Serbia, Sllovenia nuk duhet ta kishte dorëzuar, por ta kishte mbrojtur.
Edhe malazezëve u themi shpesh se janë më të mirë e butë, por ata na vranë Isë Boletinin në pabesi 100 vjet më parë, sepse ua kërkoi Serbia dhe kësaj të fundit Rusia. Ata bëhen bashkë se flasin njësoj e kollaj.
Siç tha vetë ish- kryeministri Janez Jansha se në qeverinë sllovene ka një “lob të fortë projugosllav”. I lidh biznesi që u krijua nga rrënojat e Jugosllavisë së Titos, perandoritë multimiliardere që kanë krijuar dhe na shesin nishesten për djathtë dhe gomën për pashtetë. Dhe ne pasi e hamë flasim qesim: “Sa të mira”!
Pastaj marrim avionin shkojmë në Lubjanë të takojmë Ramushin në hotel, mësyjmë restorantet dhe krijojmë një turizëm për ta. Ndërkohë që duhet të kishim mësyrë me makinat tona me targa të Kosovës e Shqipërisë dhe të bënim protestë në mes të Lubjanës, që po abuzon si anëtar i Bashkimit Europian dhe po shkel bazën e parimit të Europës së Bashkuar: Po persekuton politkisht një qytetar që është shpallur i pafajshëm nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri tek ajo ndërkombëtare. Ramushi foli mbrëmë, nëse qeveritë e kanë lënë vetëm, këtë nuk duhet ta bëjmë ne!
/tesheshi.com/