Pas një viti jetë jashtë kthetrave të okupimit serb, njeriu shqiptar në Kosovë po e krijon përfytyrimin më të përafërt se kurrë ndonjëherë në të kaluarën, për hapësirën e lirisë dhe favoret, që ajo i krijon njeriut të lirë. Me gjithë problemet e mëdha sociale, ndëretnike, psikologjike dhe politike, të cilat e ngarkojnë jashtëzakonisht shumë jetën e përditshme, ka filluar të sendërtohet ajo aspiratë pothuaj mitike e njeriut shqiptar për jetesë pa kërcënimin permanent të frikës së pushtetit.
Në 1-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Xhems Huper pati deklaruar se në Kosovë janë shtuar shpresat për një jetë më të mirë. Vërtet, po të bëhet një shfletim i jetës brenda kornizave kalendarike të një viti, shihet një rritje e shpresave dhe një fillim i realizimit të tyre. Fjala vjen, studentët vitin e kaluar shkollor i kanë ndjekur ligjëratat nëpër amfiteatro, mësojtore dhe klinika, e jo nëpër bodrumet e shtëpive private, ku në dhjetëvjetëshin e kaluar kanë hequr të zitë e ullirit, në përpjekjet e tyre për të zënë dije. Edhe aktivizimi i hapësirave të konvikteve e të mensës, të bibliotekave, u ka krijuar kushtet që të gëzojnë favoret e statusit të tyre dhe të moshës së tyre. Natyrisht asgjë nuk ka qenë perfekte, por pakrahasimisht me ë mirë se në të kaluarën.
Edhe bujqit kosovarë, edhe pse të gjendur në rrënojat që ka lënë prapa agresioni i armatosur serb, kanë gëzuar një trajtim të kujdesshëm të organizatave të ndryshme, të cilat i kanë furnizuar me farëra dhe me pjesë këmbimi. Hapja ditëve të fundit edhe e linjës hekurudhore në relacionin Xërxë-Fushë Kosovë, me qëllim të lehtësimit të plasimit të prodhimeve bujqësore, është poashtu një përkujdesje për ta. Për secilën kategori sociale apo moshore, (përveç pensionistëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare!!!), mund të gjendet diçka që ka qenë një shfrytëzim i favoreve të lirisë njëvjeçare dhe të rritjes së shpresës për një jetë më të mirë sikundër ka konstatuar me të drejtë Huper.
Mirëpo, më duket se kjo nuk është shoqëruar sa duhet me rritjen graduale të disponimit për të marrë edhe përgjegjësi më të shumta për lirinë dhe për zgjerimin e hapësirave të saj. Veçmas në plan të aktivizimit dhe të angazhimit politik. Arsyet mund të jenë të shumta. Së pari, në periudhën e klauar dhjetëvjeçare, janë bërë mjaft eksperimentime të pasuksesshme politike, të cilat kanë prishur disponimin e shumë njerëzve ndaj politikës dhe institucioneve politike. Në fillim të viteve të nëntëdhjeta pati një aktivizim të jashtëzakonshëm të njerëzve, për të kontribuuar në politikë, në atë që u quajt politika e pavarësisë, por nuk vonoi dhe filloi stërkeqja politike.
Nëse një Kuvend i votuar në kushte jashtëzakonisht të rënda të okupimit, nuk e kishte kryer mandatin e vet kushtetues për pesë vjet, nëse një kryetar nuk e kishte kryer funksionin sipas obligimneve kushtetuese, nëse një qeveri nuk e kishte përmbushur detyrimin ndaj shtetasve në krijimin e mekanizmave të vetëmbrojtjes nga agresioni i okupatorit, kjo ka krijuar sindromin e mosbesimit në politikanët shqiptarë , në institucionet politike dhe në aktivitetin politik. Së dyti, mungesa e koncensusit ndërmjet faktorëve politikë shqiptarë për çështjet fundamentale të fateve të popullit e të vendit, (ndaj luftës çlirimtare, ndaj të rënëve, ndaj Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ndaj zgjedhjeve, etj.,) ka krijuar atmosferën e fërkimeve dhe të tensionimeve politike.
Kjo i bën shumë njerëz që të abstenojnë nga angazhimi, e rrjedhimisht krijohen pasoja për kualitetin e skenës politike. Së treti, UNMIK-u ka koncentruar në duart e autoriteteve të sjella në Kosovë sipas mandatit të marrë me rezolutën 1244, gjithë pushtetin politik, gjë që bën që shumë njerëz të rrezonojnë se nuk kanë gjasa të afirmohen dhe të përparojnë në karrierë politike, ngase edhe një kohë të gjatë nuk shihet mundësia që pushteti politik të jetë në kompetencë të vendasve. Së katërti, jeta e gjatë në robëri, ka krijuar një gjendje të përafërt me atë të gjallesave që jetojnë në kushte ekstremisht të këqia klimatike, dhe ku tërë energjinë e harxhojnë për një mbijetesë elementare. Kjo skemë ka funksionuar në jetën e njeriut shqiptar për një kohë tragjikisht të gjatë.
Në pamundësi që të realizohet në jetën shoqërore, njeriu shqiptar është mbyllur në strukturat e familjes, aty ka krijuar konturat e autoritetit dhe të realizimit të vet. Rrjedhimisht, është krijuar një hapësirë ku ai ndihet më rehat, ku ka mnë pak përgjegjësi, se në logun politik me shumë të panjohura, me shumë konkurencë dhe pa prognozë të sigurt për realizim të ambicieve dhe të ideve personale.