Shqiptarët e Maqedonisë janë si fëmija që ka prindër të ndarë e i cili fëmijë bënë çmos që mos e humbë as dashurinë e nënës – Shqipërisë as atë të babit – Kosovës. Por njëkohësisht duke u kujdesur të jetë i respektuar në familjen multietnike shtetërore të Maqedonisë, ku ka bashkuar me të tjerët pronën e trashëguar nga prindërit e vet. Duke qenë i tillë, duke u përpëlitur mes dëshirës që prindërit të mos e harrojnë dhe duke u orvatur që bashkështetasit me të cilët bashkëjetojnë të mos e përbuzin ashtu siç ndodh në këtë Ballkan me fëmijën e ndarë nga prindërit, shqiptarët e këtushëm shpesh vuajnë mallin për prindërit dhe duan ta dinë se çmendon për ta mëmëdhe Shqipëria dhe atdhe Kosova. Dhe kuptohet, nuk ndjehen mirë kur Tirana e Prishtina dëgjojnë vetëm vajin e tyre, kur Shqipëria e Kosova interesohen për ta vetëm kur ndodh ndonjë Brodec ku vriten dhe burgosen shqiptarë të pafajshëm, apo kur botohet ndonjë Enciklopedi ku përbuzet çdo gjë shqiptare.
Andaj, për shqiptarët e Maqedonisë mund të thuhet se ata janë një pjesë e popull tonë që bënë çmos ta mbrojë vetveten në shtetin ku jeton, e ku jo rrallëherë përballet me urrejtjen e qendrave sllave, dhe njëkohësisht, mundohet t’ia del në krye me mendjemadhësinë e Prishtinës që mendon se shqiptarët e këtushëm janë një grup vajtuesish që nuk dinë t’i dalin zot vetvetes dhe arrogancës së Tiranës e cila mendon se matanë Qaf Thanës jeton pjesa injorante e popullit shqiptarë, ajo pjesë e kombit që nuk dinë ta lexojë kalendarin e shekullit të ti.
Cili është portreti i vërtetë i shqiptarëve të Maqedonisë? Mbase ai portret është i njëjtë me atë të shqiptarëve në hapësirat tjera ku jeton populli ynë. Pra, edhe shqiptarët e këtushëm janë nevrikë njësoj si ata të Shqipërisë, e të cilët kur vozisin, njësoj i nevrikos edhe rruga monotone pa kthesa si edhe ajo që ngjitet maleve e të bënë të ndjehesh thuajse sillesh rreth vetvetes. Shqiptarët e këtushëm, njësoj si ata të Shqipërisë, xhindosen kur ua shan liderin e adhuruar partiak, thuajse ua ke sharë mamanë. Por, kur bëhet fjalë për përcaktimet partiake, përpos liderin e tyre të dashur vendorë, ata kanë edhe nga një të adhuruar në Tiranë e Prishtinë.
Andaj, nëse u ka ftuar në drekë ndonjë shqiptarë i këtushëm, para se të uleni të drekoni, informohuni mirë se cili është i preferuari i tij, Berisha apo Rama, Hashim Thaçi apo Ramush Hajredinaj, sepse mund të ndodh vetë ta paguani drekën nëse do ofendoni liderin e dashur të tij në Tiranë apo Prishtinë. Pra, duhet të mbani llogari se shqiptari i këtushëm jeton në trininë e vetë partiake dhe ka edhe partinë e vetë të preferuar në dy shtet tjera shqiptare. Kështu që shqiptari i Maqedonisë me të njëjtën zjarrmi përjeton zgjedhjet e këtushme dhe ato që mbahen në Prishtinë e Tiranë dhe shpeshherë, i mllefosur nga parregullsitë zgjedhore që ndodhin atje dhe këtu, ngushëllohet me atë se edhe këto parregullsi vetëm dëshmojnë sa jemi të njëjtë, se çdokund ku votojnë shqiptarët vlen i njëjti rregull: nuk janë të rëndësishëm votuesit por numëruesit e votave.
Dhe shqiptarët e Maqedonisë mburren me këtë trini partiake që u ka rënë në hise ta jetojnë. Por mbi të gjitha, ata mburren me trininë religjioze që ka populli i tyre. Andaj ata i ofendon rëndë kur debatues të ndryshëm nga Tiranë, shqiptarët e këtushëm i shohin si njerëz që edhe kokën e kanë në formë të minares së xhamive. I ofendon kjo sepse ata e duan fenë mysliman që dominon te shqiptarët e këtushëm, por ata mburrshëm e bartin në qenien e vetë edhe ylberin trengjyrësh të religjioneve që ka populli i tyre. Duke qenë të tillë, ata e dinë pse nuk u pëlqen shtëpia përkujtimore që qeveria e këtushme ia ndërtoi shenjtores Nënë Terezës, e të cilën shtëpi disa në Tiranë e marrin si shenjë nderimi të shtetit maqedonas ndaj shenjtores sonë. Ata pra e dinë pse ky shtet nuk e rindërtoi shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës mbi themelet ku ajo ka qenë, por e ç’vendosi atje ku dikur ka qëndruar kisha katolike ku Gonxhja e re i ishte përkulur Zotit.
Pra shqiptarët e këtushëm e dinë se shtëpia përkujtimore e shenjtores sonë u ndërtua aty ku ndodhet tani, vetëm që Shkupit t’i shlyhen të gjitha shenjat e shqiptarisë, vetëm që përnjëherë të shlyhen tri shenja shqiptare të kryeqendrës së sotme të Maqedonisë, të humben gjurmët për prezencën e madhe të dikurshme të komuniteti katolik shqiptarë, të cilët, në vitet e 60 të shekullit të shkuar, u davaritën në Kroaci dhe atje humbën çdo gjë të veten etnike. Njësoj siç humbën çdo gjë të veten edhe qindra mijëra shqiptarë mysliman që braktisën vendlindjen dhe u shpërngulën në Turqi, siç humbën gjuhën dhe përkatësinë etnike edhe ortodoksët shqiptarë nga Reka e Epërme në afërsi të Dibrës. Pra, shqiptarët e Maqedonisë u vunë në mbrojtje të shtëpisë së Nënë Terezës dhe kishës ku ajo ishte lutur, njësoj sa edhe të Burmali Xhamisë sepse e dinë se trinia religjioze është begatia për të cilën të gjithë ia kanë zili.
Por dënesja e shqiptarëve të këtushëm për atë që u bë me shtëpinë e Nënë Terezës dhe pronës së shqiptarëve të këtushëm, thuajse nuk u dëgjua në Tiranë e Prishtinë. Njësoj siç nuk dëgjohet as zëri i tyre kur thonë se të këqijat që i ndodhin Shqipërisë dhe Kosovës ata i përjetojnë njësoj dhembshëm sa ato që u ndodhin këtu ku jetojnë. Mbase kjo dhembje vjen nga vetëdija se shtrirja e degëve, varet nga forca e trungut kombëtarë, se degët e trungut të lënduar shpejtë veniten.
Shqiptarët e Maqedonisë e dinë se mëmëdheu ata nuk i njeh sa duhet. Andaj ndoshta do ishte mirë që televizionet e Tiranës të kishin nga një emision të llojit: “Njëqind leksione për fillestarët që nuk i njohin shqiptarët e Maqedonisë”. Mbase kështu Tirana do e kuptonte pse shqiptarët hidhërohen kur në mediat e atjeshme dikush ata i quan maqedonas, mbase debatuesit e shumtë nëpër televizionet e mëmëdheut do e merrnin vesh se emërtimi “maqedonas” nuk përcakton përkatësinë shtetërore, por atë etnike, dhe se për këtë nuk janë fajtorë shqiptarët por disa qarqe politike dhe shkencore maqedonase që besojnë se edhe qielli mbi Maqedoni, edhe toka mbi të cilën qëndron ky shtet, kanë përkatësinë e tyre etnike. Andaj shqiptarët e këtushëm hidhërohen kur disa opinionistë të Tiranës, e të cilët sa nuk i kërcejnë në gojë bashkëbiseduesit të ardhur nga Maqedonia, shesin kozmopolitizëm si të ishin në ndonjë treg perëndimorë, e jo në këtë tregun ballkanas ku çdonjëri do që brirët e dashit të t’i shes si të ishin qiri që të bënë dritë.
Çka duan në të vërtetë shqiptarët e këtushëm t’i tregojnë Tiranës arrogante? Mbase jo vetëm atë se qysh në mesditë ata e dinë se çka i ka thënë Rama Berishës në mëngjes, jo edhe atë se pa kaluar java e botimit, ata e kanë në duar librin e cilit do krijuesi në Tirana, por duan t’ia përcjellin porosinë: mundohuni ta dëgjoni rrëfimin tonë se si dukemi sepse kështu do e shihni më mirë se ç’pamje ka portreti ynë gruporë.
Mbase ka ardhur koha kur shqiptarët e Maqedonisë do kenë gjithnjë e më shumë hapësirë që mëmëdheut t’i rrëfejnë për vetveten. Dhe jo pse këtë ua mundësoi shteti ku jetojnë apo pse u ndihmoi për këtë Tirana dhe Prishtina, por pse lindi Tani i Topit i cili investoi pasurinë e vet që shqiptarëve të këtushëm t’u mundësojë vetë të rrëfejnë se cilët janë. Dhe të dëshmojnë se jetojnë sipas bindjes se ai që nuk dinë të kujdeset për familjen e vet, nuk ka pse habitet kur e nënçmojnë tjerët dhe s’ka si të jetë i dobishëm për vendbanimin e përbashkët evropian dhe botërorë. Pra, të dëshmojnë se e kanë kuptuar se duhet ta njohësh vetveten që të mund më lehtë të të njohin e t’i njohësh të tjerët. Të dëshmojnë se ata nuk janë atë që ngandonjëherë i mendon Tirana arrogante: nacionalromantikë të vonuar të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por popull që jeton kalendarin e internetit, popull që e dinë se para se të bashkohesh me familjen evropiane, duhet të bashkosh familjen tënde të ngushtë kombëtare. Edhe atë jo duke prish kufij shtetërorë por duke i rrënuar muret mentale që na i vulosi ndasia disadekadëshe, muret që na pengojnë të shohim më qartë vetveten.