Pas publikimit të lajmit se vëllai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, qenka sorollatur nëpër Evropë duke kërkuar azil, e kërcënimit të raportuar të mëpastajmë të kryeministrit ndaj gazetarit që e publikoi lajmin, më bëri përshtypje reagimi i zëdhënësit të njërës prej partive politike. Isa Mustafa u etiketua aty si sozi e “homologut të tij turk, Erdoganit”, duke bërë pastaj krahasime midis totalitarizmit të cilësuar në lindje në Kosovë dhe atij real në Turqi! Nuk ma tërhoqi vëmendjen fort lapsusi i posteve (Erdoani ka kohë që është president i Turqisë, dhe jo kryeministër), madje nuk u entuziazmova fort as ndaj përshkrimit të gjendjes së mjerueshme të lirisë së shtypit në të dy vendet, as përse u përmend Erdoani e aq më pak Isa Mustafa, por ajo që njëmend më irritoi ishte përzgjedhja e modelit nacionalist për krahasim!
Një politikan tjetër shqiptar, që bile është edhe kryeministër, para disa muajsh, për t’i ofenduar ministrat e tij që nuk punonin, në katër raste i etiketoi ata me epitete antiturke brenda një letre të shkurtër, duke ua sharë pasditen dembele turke, duke ua turfulluar ndër hundë të sharat me turkoshakë dhe duke u kërkuar me ngulm që ta vrasin turkun brenda tyre. Përse turku xhanëm? Përse kaq shpesh turku në fakt? Përse turku gati si me automatizëm përherë si kurban i frustrimit tonë?
Ka dekada, dhe mbase po bëhet një shekull, qyshkur se në politikë, letërsi, muzikë, kinematografi, e mandej nëpërmjet tyre aty-këtu edhe në jetën e përditshme, është krijuar me mjeshtëri sentimenti i fajësimit të turkut për çdo gjë të keqe që u pati ndodhur shqiptarëve historikisht, por edhe aktualisht, sot e kësaj dite. Termat si “turkoshak”, “derdimen”, “anadollak”, “fallangat turke”, “egërsirat turke”, e një mori të tjera, janë disa nga margaritarët që kemi krijuar për t’i fajësuar turqit për mjerimin tonë. Atë që ndodhi gjatë periudhës së Perandorisë Osmane le ta thotë historia, por përmbledhur, me një fjalë, osmanët (dhe jo turqit) nuk na bënë aspak më shumë të këqija sesa romakët para tyre, serbët pas tyre, apo evropianët në intermexo, uvertura e prapaskena gjithandej historisë!
Por, mbi të gjitha, Perandoria Osmane është e kaluar, dhe turku i sotëm nuk ka kurrfarë mëkati fillestar të trashëguar për t’i bartur mbi supe budallallëqet dhe ofendimet tona. Njësoj sikurse nuk na pëlqen kur shqiptarin e sinonimizojnë me mafien nëpër Evropë, me vjedhjen, prostitucionin, të përdalin e të neveritshmin, njashtu nuk besoj të tingëllojë fort hijshëm ky racizëm antiturk në frazeologjinë e përditshme politike, kulturore e sociale tek ne. Mbi etiketën nacionale të ndërlidhjes së turkut me gjithçka të mundshme prapanike në këtë planet, tek ky korrelacion qëndron edhe një problem tjetër.
Epiteti negativ i të përdorur të turkut për të palarat e shoqërisë është edhe një njollë që jo rrallëherë i përfshin edhe myslimanët shqiptarë në tërësi kur dëshirohet të denigrohen apo të paraqiten si orientalë, joevropianë dhe të prapambetur. Racizëm deri në grykë! Problemi në fund të fundit nuk është pse përdorim turkun, orientalin a myslimanin, si alegori, por tek fakti se përse i përdorim vetëm këta (në gati 90% të rasteve). Përse nuk marrim, për shembull, Vatikanin si simbol të diktaturës sot? Është shteti i vetëm evropian ku nuk ka zgjedhje popullore, ku shumica dërrmuese e “delegatëve” që e zgjedhin presidentin janë të bardhë, evropianë, ose “të civilizuar”, ku nuk ka liri shtypi, ku ka marifete të ngufatjes së aferave ekonomike, sociale, etj.
Ose, si shembull të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe dënimit pa verdikte, përse nuk marrim shembull ish-presidentin amerikan George Bush, që dënoi, ndëshkoi, torturoi e keqtrajtoi pa seanca gjyqësore mijëra njerëz në burgje të përjetshme? Përse nuk marrim si shembull të korruptimit dhe hajnisë kroatin, bie fjala? Një ish-kryeministër i këtij nacionaliteti u dënua tash vonë për përvetësime marramendëse nëpërmjet keqpërdorimit të pozitës politike. Përse vetëm turku? Madje, disi me automatizëm në këtë valle antiturke u rrotullohen pandërprerë eshtrat dy të sakrifikuarve të përjetshëm, Esat Pashë Toptanit dhe Haxhi Qamilit, që përdoren si simbole të tradhtisë, babëzisë dhe mjerisë kombëtare.
Që të dy përdoren vetëm sepse “prapësinë” e tyre të supozuar e lidh diçka me turkun. Për të qenë absurdi i plotë, këtyre dy “tradhtarëve” të përjetshëm të kombit u theksohen me zhurmë shurdhuese titujt, “turkoshak”, “pashë” dhe “haxhi”, kurse, në rastin e Ismail Qemalit, Eqrem Vlorës, Hasan Prishtinës e plot të tjerëve, gati me automatizëm ose në gjysmë heshtje u hiqen nga emri titujt si “pashë”, “bej”, “hoxhë”, “haxhi”, etj. Natyrisht, sepse i miri sipas kësaj filozofie nuk mund të jetë pashë, bej, hoxhë a haxhi, tituj këta të rezervuar gati ekskluzivisht për të keqen.
Po përse vallë nuk përdoret në këtë konotacion ndonjëherë Marka Gjoni i Republikës së Mirditës, ose Prenk Lleshi, “ministri i luftës” së kësaj Republike, që ushqeheshin nga Jugosllavia e atëbotshme për të copëtuar e hasmëruar shqiptarët? Vetëm pse këta ishin katolikë? Përse nuk përdoret Izraeli ndonjëherë si model i shtypjes, dhunimit, vrasjes së fjalës së lirë, vrasjes së shkollës, shembjes së të drejtave elementare për të jetuar? Hë pra, përse? Sepse lufta e ashpër e deklasimit antisemit, antiamerikan e antievropian të nxjerr sakaq nga loja? A është etik ky nënshtrim prej servili ndaj të keqes së të fortit dhe shantazhimi deri në palcë i një armiku (të imagjinuar) të dobët? Ku ngeli morali i të dashurit të së vërtetës më shumë se Platonin?
Terminologjia antiturke dhe sentimenti i orientalizimit e tjetërsimit të turkut është relikt i së kaluarës së errët komuniste, ku u krijua me nge për t’u mbajtur në këmbë pushteti i përgjakur i vetë shqiptarëve. Madje u morën në qëndisjen e tij mjaft modele nga fqinjët dhe ish-Bashkimi Sovjetik, aty-këtu edhe nga Evropa, që nuk kishin kurrfarë paraleleje tek shqiptarët. Turku i sotëm nuk është fajtor me pagesë për të derdhur fobinë tonë! Fajësimi i sotëm i turkut është shprehja më denigruese e racizmit brenda nesh, e koprracisë intelektuale në ne, e amoralitetit politik përreth nesh.
Nuk kemi nevojë fare të dalim jashtë shtëpisë për të gjetur shembuj të kalbjes dhe degradimit të shoqërisë. Secila parti politike e shqiptarëve është sot ku më shumë e ku më pak një perandori e vockël e diktaturës, nepotizmit, korrupsionit, gjëra të cilat, kur përzihen pastaj me amoralitetin dhe derdimenët intelektualë, na bëjnë shembull unikë të dekadencës politike e sociale. Shembujt e tillë i kemi me bollëk edhe në të kaluarën, kështu që nuk kemi nevojë fare të dalim tek turku.
Kemi mjaft mostra shqiptare, bile për eksport! Duke e parafrazuar mbrapsht kryeministrin shqiptar, më duhet të them se është koha e fundit për të vrarë portretizimin e turkut si armik brenda nesh, është koha që ta bëjmë armik të vërtetë “politikanin shqiptar të korruptuar”, “shqiptarin që vjedh”, “shqiptarin që mashtron”, “shqiptarin koprrac”, ‘”gjykatësin shqiptar që nuk gjykon drejt”, “shqiptarin e padrejtë”. Vetëm atëherë kjo shoqëri mund të bëjë përpara. Ne vetë jemi armiku i vetvetes. Shqiptari! Shqiptarët! Le të pushojmë ta kërkojmë tek turku! /tesheshi.com/