Gjatë kohës që ishte në opozitë, kryeministri Edi Rama përdorte një diskurs mjaft nihilist, me gjuhë lufte, për të përshkruar gjendjen në vend. Sulmi dhe fajësimi i kundërshtarit kanë përkufizuar që herët gjithë ligjërimin e tij. Në fjalimin e parë në kuvend, gjatë kohës që po paraqiste programin ekonomik, Rama foli për një ekonomi të shkatërruar, të vjedhur, për biznese të shpartalluara, për arkën e shtetit të lënë bosh.
Kryeministri filloi të tregojë se kjo gjuhë nuk ishte tipar i tij vetëm në opozitë. Ai tha se vendi është zhytur në borxhe kudo: në shëndetësi, në arsim, energji, ujësjellës, në sipërmarrje, etj. U shpreh se barbaria ka qenë aq e llahtarshme, sa hemorragjia është e gjithanshme. Shqipëria përshkruhej në daljet e përditshme me orë të tëra në televizor si një trup që kullon gjak ngado. Policia ishte drejtuar nga banditë, ushtria nga maskarenj, çdo zyrë kishte qenë strehë kriminelësh, dhe krimi kishte qenë zot i vendit. U tha se, “ne, megjithëse nuk e kemi shkaktuar këtë gjëmë, e marrim përsipër këtë barrë të tmerrshme,” etj.
Ndonëse në analizën e 100 ditëve (sigurisht në televizor, dhe me projektorë e grafiqe), Rama tha se “më e keqja ka kaluar”; ai nuk reshti për asnjë moment së foluri për gjendje të tmerrshme të trashëguar, borxhe masive, kompani të rrënuara nga “mendësia e lala Gjonit që la pas tokë të djegur”. Ky lloj ligjërimi është intensifikuar këto ditë, në përpjekje për t’iu përgjigjur kritikave të ashpra të deputetit Ben Blushi. Në panairin e punës, Rama (në një fjalim mbi një orë) tha se ekonomia vuan nga kanceri dhe kërkon operacion të rëndë. Ajo kullon gjak ngado, kudo ka plagë të thella, dhe nuk mund të kërkohet kaq shpejt rezultat.
Ai u shpreh se “morëm një Shqipëri të zhytur në borxhe të thella, të falimentuar gjithandej, ku nuk paguheshin invalidët, ku nuk kishte ilaçe në spitale, ku sëmundja kishte pushtuar çdo qelizë të vendit.” Dy ditë më pas, në Kukës, Rama foli sërish për borxhe të mëdha dhe për ekonomi të shkatërruar, për operacion të rëndë që kërkonte kohë, dhe për mjekim të dhimbshëm dhe shumë të hidhur. Edhe në Shkodër po i njëjti ligjërim: mjekim, operacion, kancer, gjetëm mynxyrë, etj. Çfarë përfaqëson ky lloj ligjërimi, dhe sa i pranishëm është ai në diskurin politik në vendet demokratike? Nuk po hyjmë në hollësi të gjendjes aktuale të ekonomisë, të reformave të qeverisë, të efekteve të tyre, dhe të situatës në të cilën e gjeti kryeministri Rama vendin.
Por është e sigurt se gjendja e Shqipërisë në 2013-n nuk ishte aq e rëndë sa e Shqipërisë në vitin 1992, kur PD-ja erdhi në pushtet pas 47 vitesh komunizëm, ku e gjithë ngrehina e ekonomisë kolektive ishte gërmadhë, dhe mjerimi ishte tronditës. Shqipëria e vitit 2013 nuk ishte më keq sesa Italia e vitit 1945, pas një lufte të marrë të regjimit të çmendur fashist të Musolinit. Humbjet në njerëz, në ekonomi, e kudo tjetër, ishin dramatike. Shqipëria e vitit 2013 nuk ishte më keq se Gjermania e vitit 1945, ose e vitit 1949, pas gati 20 vitesh nazizëm dhe shkatërrim total të vendit. Gjermania u bombardua egërsisht, ajo u kthye në një arenë dhune dhe lufte, që përpiu gjithçka. U vranë miliona gjermanë, miliona mbetën të gjymtuar pas një regjimi kriminal si ai i Hitlerit. Shqipëria e vitit 2013 nuk ishte në gjendje më të rëndë se Franca e vitit 1945, kur gjenerali Dë Gol po përpiqej të mbante në këmbë një vend në krizë të thellë, që qe drejtuar nga një qeveri mëkëmbëse e Hitlerit. Ne kemi për t’i hedhur sytë një fjalimi, nga më të rëndësishmit e ish-kryeministrit italian Alicide De Gasperi, mbajtur në vitin 1945, për të parë natyrën e ligjërimit të tij. Eshtë emocionuese ta lexosh këtë tekst. Nuk ka aty asnjë fjalë për njerëzit e Duçes, për fashistët, ai nuk flet për një Itali të shkatërruar dhe të llahtarshme, që i duhet ta mëkëmbë. Fjalimi titullohet, “Dashuri dhe falje”.
Ai shprehet: “Ne duhet të jemi bashkë në këtë moment që kërkon më shumë se kurrë të mos gjejmë fajtorë, të mos tregojmë gishta. Zemra e dhembshur mund të ndiejë dhimbjen e atyre që vuajnë, shpirti i butë mund të ndihmojë ata që janë në uri, në sëmundje, pa strehë dhe pa shpresë.” Kancelari i Gjermanisë Perëndimore u zgjodh Konrad Adenauer në vitin 1949. Vendi u drejtua nga aleatët (Franca, Britania dhe SHBA-të) nga 1945-a gjer në 1949-n. Në datën 14 gusht, në seancën e parë të Bundestagut (parlamentit), Adenauer shpalosi në fjalimin programatik idetë e tij për Gjermaninë e re. Adenauer foli në atë fjalim për dramën e thellë, sidomos shpirtërore, që vuajti populli gjerman, dhe për përpjekjet për rindërtim.
Ai flet për krijimin e mundësive që gjithkush të jetojë si njeri me dinjitet, që gjithkush të mos privohet nga nevojat bazë. Adenauer shprehet: “Ne do të bëjmë gjithçka që gjermanët të jenë njerëz të lirë, të kenë punë, të rrisin dhe edukojnë në mënyrën e duhur fëmijët e tyre. Ne do ta bëjmë këtë duke ofruar paqe, duke ndjekur vetëm idealin e punës dhe të së drejtës. Fantazmat e krimit do të mbesin në hijen e vet, dhe në hijen e historisë. Gjermania do ndërtohet nga të gjithë, dhe për të gjithë.” Ai vlerëson mjaft lart aleatët dhe komisionin që ka drejtuar Gjermaninë deri në atë moment, shpreh angazhimet e vendit të tij ndaj tyre dhe traktateve, por kurrë nuk flet për Gjermani që kullon gjak, që vuan nga kanceri, që është zhytur në mizerje, në borxhe, etj. Nuk tha, “nuk keni parë gjë akoma,” siç bëri kryeministri Rama në seancën e parë të parlamentit.
Dhe të mendosh që Gjermania ishte ndarë, lindja ishte pushtuar nga Bashkimi Sovjetik, mijëra nazistë ishin vërdallë, dhe mijëra të tjerë ishin në ekzil. Sipas studiuesve, fjalimi më i rëndësishëm që ka mbajtur gjenerali Dë Gol, president i Francës, është ai i vitit 1946, që njihet si fjalimi i Bayeux-it. Është një moment kyç për Francën pas luftës, një moment kur po ideohet kushtetuta e re dhe vendi do të hyjë në zgjedhje. Franca është shumë e ndarë, për shkak se komunistët janë mjaft të fuqishëm, dhe vendi është thuajse i shkatërruar krejt. Dë Goli u kërkon francezëve me një gjuhë të përkorë të mbështesin kushtetutën e re, të besojnë tek e mira, liria dhe e drejta. Ai i vlerëson fuqimisht të gjithë ata që dhanë jetën për Francën (fjalimi mbahet në Bayeux, pranë Normandisë, ku ndodhi zbarkimi aleat). Më pas, Dë Goli shprehet: “Heronjtë tanë, duke dëshmuar këtë superioritet moral, na lanë një barrë të rëndë nderi, të cilën ne do ta mbajmë duke e dashur edhe më shumë vendin dhe popullin tonë.”
I gjithë fjalimi shpjegon nevojën për kushtetutën e re, për forcën dhe frymën e re, dhe në asnjë rresht nuk flitet për gjëmë të trashëguar, për ekonomi të shkatërruar, për lala Gjonin apo për borxhe të rënda që duhen paguar, e as për operacione të dhimbshme me plagë e gjak. Gjuha e Dë Golit ka vetëm respekt, paqtim dhe ftesë. Po të shohësh me radhë gjuhën e të gjithë udhëheqësve të vendeve demokratike të pas Luftës së Dytë Botërore, në Belgjikë, Holandë, Britani, Austri, etj., nuk gjen asnjë rast të ngjashëm me gjuhën e kryeministrit Rama.
Një gjuhë të tillë e gjen vetëm tek fjalimet e drejtuesve komunistë që erdhën në pushtet pas kësaj lufte. E gjen tek Enver Hoxha, që vetëm fajësonte “satrapin Zog,” reaksionarët, gjakpirësit, etj. E gjen masivisht tek Lenini në 1917-n, dhe tek të gjithë liderët e Lindjes. E gjen edhe tek Kastro, Mao Ce Duni, etj. Kjo lloj gjuhe është tipar I totalitarizmit. “Tjetri” është gjithçka, gjithë ekzistenca jote varet nga konstruktimi i tjetrit. Dikotomia ne dhe ata i jep trajtë gjithë veprimit politik. Ky lloj ligjërimi tregon në fakt edhe gjendjen e rëndë. Ky lloj ligjërimi shkon vetëm me krizën, me mjerimin. Ky lloj ligjërimi nuk shkon me demokracinë! /tesheshi.com/