Aty nga viti ‘97-’98 ku përpos problemeve të brendshme që kalonte Shqipëria, u shtua dhe Kosova me problemet e saj me serbët, deri në shpërthimin e luftës, u kryqëzuan paevitueshmërisht dy fate, të dy popujve të ndarë nga një kufi, sa afër e ngjitazi, aq larg e të ndarë nga njëri-tjetri. Në këtë atmosferë, Fatos Lubonja do merrte kurajon që të trajtonte atë që askush nuk kishte dëshirë t’i përmendte për arsye patriotike: ndasitë dhe diferencat mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ngjalli shumë reagime në atë kohë, shoqëruar me një sërë shkrimesh, në median e Tiranës dhe Prishtinës, ku vetë Lubonja i kushtoi disa. Ne po sjellim një prej tyre, edhe si kujtesë për të djeshmen në raportet mes dy pjesëve, që, falë disa zhvillimeve të dialektikës gjeopolitike, sot janë bërë njësh, të ndarë vetëm nga një kufi administrativ….
Para do kohësh kam takuar në një nga kryeqytetet e Europës një kosovar i cili, teksa bisedonim mbi problemet e mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës, në një çast, pa e prishur pamjen e mirësjelljes dhe rsepektit reciprok që e karakterizonte bisedën, si duke qeshur, më tha: “Ne po vijmë t’ju pushtojmë njëherë, pastaj shohim e bëjmë…”
E kishte fjalën se ne shqiptarëve të Shqipërisë mëmë na mungonte patriotizmi, prandaj, e meritonim që kosovarët të na bënin një “pushtim atdhetar”, që do ta shpëtonte kombin nga gjendja ku e kishim çuar ne me atë rrazbitjen tonë deri në neveri për vendin dhe me atë gadishmëri për ta bjerrë identitetin kombëtar në favor të një identiteti prej skllavi në Perëndim.
Humori i tij cinik, i mpleksur me atë ndjenjën e superioritetit që i jepte ndenja e lartë patriotike, më la mua, shqiptarit të këtej kufirit, një shije disi të hidhur, dhe më ngërmoi t’i përgjigjesha duke i treguar historinë e një grupi djemsh kosovarë që kishin dezertuar nga ushtria serbe dhe që erdhën në territorin e Shqipërisë me ndjenja të forta patriotike, por që, të ndeshur me vështirësitë e mëdha ekonomike dhe më shumë komplikime të tjera, u armiqësuan dhe aq me qytetarët e Elbasanit sa arritën të bëjnë grevë urie për të kërkuar largimin nga Shëipëria për në Europë.
Prej atij momenti biseda sikur u këput në mes duke më lënë një shije të hidhur moskuptimi që m’u bë se kishte qenë e pranishme gjatë gjithë kohës, por e fshehur nën mirësjelljen dhe dashamirësinë e jashtme. Ajo shije moskuptimi më është kthyer e rikthyer nëpër mend sa herë më ka rastisur të mendoj dhe bisedoj rreth marrëdhënieve shqiptarë-kosovarë dhe veçanërisht sa herë ndonjë gazetar i huaj më ka drejtuar pyetjen: “A janë të gatshëm shqiptarët të luftojnë përkrah kosovarëve në rastin e hapjes së një lufte me Serbinë?”
Në Gjermaninë e bashkuar qarkullonte një anekdodë tashmë e njohur botërisht, një lindor takon një perëndimor dhe i thotë: “Hello, tani u bëmë një popull”, kurse perëndimori i përgjigjet: “Edhe ne po ashtu”. Prapa këtij humori qëndron një e vërtetë e hidhur, ajo se kur një popull e ndan historia më dysh ai bëhet dy popuj dhe se, edhe në u arriftë bashkimi gjeografik i tyre, ky do të jetë larg atij bashkimi që ndërton unitetin e vërtetë të një kombi.
Pas ndarjes së gjatë 50-vjeçare, gati plotësisht izoluese, ne, shqiptarëve dhe kosovarëve, na u dha mundësia e kontakteve. Përshtypja ime është se dashuria platonike e ushqyer për 50 vjet sikur është kthyer në një fejesë më shumë zhgënjyese sesa premtuese. Retorikat mbi solidaritetin për çështjen e madhe të kombit, dashurinë për Kosovën dhe Shqipërinë, mbi bashkimin, duket sikur janë bërë gjithnjë e më formale, gjithnjë e më shumë vegla të politikanëve në luftrat politike ndërkohë që, thellë thellë, si popuj, njehemi larg, jo rrallë dhe plot dyshime dhe mosbesim të ndërsjelltë.
Mua më duket se ka ardhur koha që të dy palët të ndeshemi më ballazi me problemin e këtij hendeku mjaft të thellë shpirtëror, kulturor e psikologjik që na ndan dhe që nuk premton një martesë të lumtur edhe sikur kjo të realizohet.
Filozofi frëng Pol Riceur, kur flet për rrugët e afrimit të popujve të ndryshëm sugjeron tre gjëra: njohjen e kulturave të njëri-tjetrit, rivlerësimin me sy kritik të historisë së njëri-tjetrit, si dhe faljen e mëkateve ndaj njëri-tjetrit. Ne nuk jemi tamam dy popuj të ndryshëm, por më duket se nuk jemi tamam as një popull i vetëm, prandaj dhe sugjerimi i Riceurit më duket se na përshtatet disi, ndofta përgjysëm. Ne vërtet s’kemi mëkate për t’i falur njëri-tjetrit, të paktën nga ato të mëdhatë, që lënë vulë mbi ndërgjegjet kolektive. Vërtet kemi dhe shumë gjëra të përbashkëta, veçanërisht gjuhën dhe shekujt kur bënim pjesë në Perandorinë Osmane, por, qysh kur u formua shteti shqiptar, historia na ka ndarë më dysh duke na përplasur me fate të ndryshme, herë herë dhe të përkundërta duke bërë që, si para Luftës së Dytë Botërore ashtu dhe pas saj, të mos kemi pasur shumë kohë të merremi e të komunikojmë me njëri-tjetrin e të njohim vërtet njëri-tjetrin.
Konstante e përhershme e ndryshimit ka qenë se ne, të dheut amë, kemi qenë të zënë më shumë me problemin e sundimit të njëri-tjetrit dhe të çlirimit nga njëri-tjetri, kurse kosovarët me çështjen e çlirimit nga dominimi serb.
Le të përpiqem ta ilustroj, pa kërkuar gjatë, se si shfaqet kjo konstante gjatë 50 viteve që po i lëmë pas e në vazhdim. Kosovarët e donin vendin Shqipëri sepse atje shikonin nënën e tyre nga e cila ishin ndarë me përdhunë; shqiptarët filluan ta urrejnë, pasi, i rrethuar me tela me gjemba, ai u shëmbëllente më shumë si një kamp përqëndrimi. Kosovarët kishin mundësi të dilnin jashtë shtetit dhe kjo eksperiencë i zhveshi nga ëndrrat e tokës së premtuar, shqiptarët e izoluar digjeshin për të parë botë. Kosovarët e shikonin Enver Hoxhën si simbol e Shqipërisë, madje shumë prej tyre u bënë dhe marksistë-leninistë për këtë arsye; shqiptaët e urrenin sepse ai ishte simbol i së keqes që i kishte pushtuar. Kosovarët, të lodhur nga serbët, digjeshin nga malli për shqiptarët; shqiptarët thoshin se të keqen më të madhe e provuan kur mbetën thjeshtë dhe vetëm në duart e shqiptarëve. Kosovarët përmalloheshin kur dëgjonin këmngë popullore; shqiptarëve ato u kishin ardhur në majë të hundës pas s’dëgjonin tjetër muzikë në radio e televizionin shqiptar.
Këta dy lloj shqiptarësh pas vitit ’90 u takuan për herë të parë me njëri-tjetrin në Europë pas ngjarjes së ambasadave dhe eksodeve masive, dhe filluan të grindeshin: emigrantët kosovarë të lektisur për dheun mëmë, i qortonin ikanakët shqiptarë se pse e lanë vendin, kurse këta të fundit ia kthenin se nuk donin t’ja shihnin bojën atij atdheu të mallkuar ku s’kishin parë tjetër veçse vuajtje. Një pjesë e mirë e kosovarëve nuk mund të duronin që t’u shahej Enveri, kurse këta e shanin me fjalët më të ndyra.
Pas hapjes së Shqipërisë këtij problemi të jashtëkufitjve iu shtuan dhe ato të brendakufijve. Shumë intelektualë shqiptarë, që shumëçka nga e keqja që e kishte pllakosur Shqipërinë e gjenin tek tradita muslimane e që bënin thirrje, thuajse hapur, për kthimin në fenë e të parëve, mbetën të zhgënjyer kur shkuan në Kosovë dhe panë se atje muslimanizmi kishte rrënjë aq të thella….Poende, kosovarët, që e njihnin shumë më mirë psikolgjinë e kapitalit e që erdhën në Shqipëri jo thjesht me dashuri platonike, por me mendimin se do investonin një markë për të fituar dy, ranë shpejt në konflikt me shqiptarët e varfër të cilëve iu krijua përshtypja se ata po vinin t’i mashtronin e t’i dominonin në tokën e tyre, t’i kthenin në shërbëtorë. Dukej se shqiptarët ishin më të gatshëm të bëheshin shërbëtorë të italianëve, gjermanëve dhe amerikanëve sesa të kosovarëve. Rasti i Hajdin Sejdië i cili u voli shqiptarëve dollarët e grumbulluar me aq mund, e acaroi në në ekstrem për ca kohë krizën e mosbesimit midis shqiptarëve dhe kosovarëve…Poende në jetën politike, reja e konfliktit veri-jug, e cila herë zbehet dhe herë zymtësohet në qiellin e psiqikës së shqiptarëve, i ka veshur kosovarët, veçanërisht në mendjen e jugorëve me hijen e frikshme të aleatit të revanshshizmit verior…
Të gjitha këto që përmenda dhe shumë të tjera bisedohen nëpër rrethe të ngushta, tryezave të shtëpive apo kafeneve duke ushqyer komplekse dhe paragjykime gjithëçfarëshe. Ato, ashtu si plagët që nuk i rreh ajri dhe dielli, më shumë malcohen nga kjo praktikë sesa shërohen. Rrallëherë i sheh ato të bëhen publike nga intelektualët shqiptarë dhe kosovarë. Akoma më rrallë i sheh të trajtohen me seriozitetin dhe urtësinë që meritojnë. Këtej nga Shqipëria nëpër shtyp flitet hapur vetëm për “vëllezërit kosovarë”, për “çështjen e Kosovës”, për “armikun e përbashkët serb”. Herë herë të duket sikur të dy palët duan dhe u leverdis të shikojmë tek njëri-tjetri vetëm hijet e njëri-tjetrit. Mirëpo, le të mos harrojmë se këto plagë, të mbështjella deri në marrje fryme nga retorika boshe mbi atdhedashurinë, janë përcaktuesit e vërtetë të dashurisë sonë ndaj njëri-tjetrit ashtu sikurse komplesket e fshehura në inkoshient janë sunduesit e vërtetë të ndenjave dhe veprimeve të njeriut…
Përgatiti për publikim, Alba Skëndaj – /tesheshi.com/