Fajin e ka sistemi! Një slogan ky i përsëritur shpesh, aq më shumë tani në prag të reformës në drejtësi. Një term që, për shkak të përdorimit në kontekste të mjegullta, hera-herës shoqërohet me një lloj velloje mistike që e bën sistemin të duket si diçka e pamundur për t’u rrokur, si një qenie autonome dhe e përbotshme që gjallon e vetme, që shkel e shtyp këdo që i del para, si një forcë e papërballueshme, përtej njerëzores, që pasi të fut në vorbullën e vet centrifugale, të merr me vete dhe të përplas ku t’i dojë qejfi, duke të të detyruar t’i nënshtrohesh pa kushte.
E nëse tenton të rezistosh sadopak, kjo forcë e përbindshme tregohet akoma më e pamëshirshme, duke të përjashtuar dhe lënë në skajet e harresës, dështimit dhe përhumbjes. Epike mbetet në këtë drejtim fjalia e kryeministrit se, “edhe një gjerman po të vinte në Shqipëri do të fillonte të sillej njësoj si shqiptarët”, që do të thotë, se do të gllabërohej nga sistemi dhe nuk do të mbetej pas shqiptarëve në prapësi. Por nëse e pranojmë si të vërtetë këtë thënie, atëherë edhe e anasjellta duhet të qëndrojë, pra, po ta transplantonim sistemin tonë në Gjermani, edhe gjermanët do të fillonin të silleshin si ne, shqiptarët, e do të bëheshin njësoj të korruptuar dhe të korruptueshëm.
Ndërkohë, për shumë të tjerë që nuk e vrasin mendjen të gërmojnë sadopak nën sipërfaqen e rrëshqitshme të termit “sistem”, kjo shprehje nuk paraqet asgjë më shumë se një eufemizëm pa vlerë për të larë duart nga njollat e mëkateve të pushtetit, një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë nga individët, personazhet dhe aktorët, duke ia veshur të gjitha sistemit, kësaj qenieje mistike dhe të pakontrollueshme.
Por a është vërtet sistemi, me referencë të posaçme drejtësinë, problemi ynë kryesor? A është sistemi e keqja e madhe, me shkërmoqjen e të cilit do të shpëtonim nga drejtësia e kapur apo e korporativizuar, siç parapëlqen ta quajë dikush? Dhe ç’është më thelbësorja, cili është roli i individit brenda sistemit? A do të kishim një sistem funksional dhe të drejtë nëse do ta zëvendësonim të gjithë trupën e gjykatësve dhe prokurorëve me të tjerë gjykatës dhe prokurorë? Apo do të mjaftonte pak kohë që edhe ata të gëlltiteshin nga sistemi, duke u bërë të ngjashëm me paraardhësit e tyre?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duhet që më së pari, kur flasim për sisteme, të udhëhiqemi nga parime të të menduarit në sistem. Nuk mundet të vlerësosh apo të akuzosh një sistem, aq më pak ta çrrënjosësh atë për ta zëvendësuar me një tjetër, duke ofruar përqasje të fragmentarizuara, që nuk janë të afta të marrin në konsideratë tërësinë e detajeve dhe kompleksitetin e çështjeve me të cilat përballen. Dhe me kompleksitet, fatkeqësisht, nga sa po shihet e dëgjohet, kuptohet vetëm kompleksiteti i detajeve dhe imtësive trullosëse, duke anashkaluar ndërvarësitë dhe ndërveprimet, ato që përbëjnë thelbin e të menduarit në sistem dhe të të ashtuquajturit kompleksitet dinamik.
Individi versus Sistemi
Një sistem ka strukturën, sjelljen në funksion të qëllimit për të cilin ekziston, si dhe ndërvarësitë që ekzistojnë brenda tij. Në kontekstin e sistemeve sociale komplekse, termi institucion përdoret për të përshkruar një paketë rregullash që udhëheqin sjelljen dhe vetë strukturën. Individi qëndron në një marrëdhënie të dyanshme me sistemin. Në njërën anë, ai është projektuesi i këtyre normave dhe rregullave që udhëheqin sistemin, dhe, në anën tjetër, është gjithashtu zbatues dhe interpretues i tyre.
Po ashtu, një rol jo pak të rëndësishëm luajnë praktikat apo “zakonet e sjelljes” që janë pjesë e kulturës që sundon në sistem, ku përfshihen edhe modelet mendore, që mund të përshkruhen si struktura konceptuale të të menduarit të ngulitura thellësisht në mendjet e njerëzve, çka i bën të vështira për t’u ndryshuar, por që luajnë një rol thelbësor në mënyrën sesi ne ndërveprojmë me pjesët e tjera të sistemit. Roli i dyfishtë që individi ka në raport me sistemin, duke u shfaqur njëherë si hallkë e tij, apo si pjesë e strukturës, dhe herën tjetër si projektues i tij, e bën pozicionin e individit pashmangshmërisht të lidhur me qëllimin për të cilin sistemi ekziston dhe me produktin apo rezultatin e tij, që jo gjithmonë i përgjigjet këtij qëllimi.
Për ta bërë më konkrete, mund të themi se sistemi i drejtësisë, i projektuar nga Kushtetuta e vitit 1998, ka degraduar në pikën ku është i paaftë të prodhojë rezultatin për të cilin ekziston, dhe në rastin më të keq prodhon pikërisht rezultatin e kundërt, padrejtësinë. Duke pranuar apriori papërsosurinë e çdo sistemi të projektuar nga njeriu dhe nevojën për përmirësime të vazhdueshme, duhet gjithashtu të pranojmë se shmangia e një sistemi institucional nga pikësynimi i tij është pikërisht rezultat i faktorit “njeri”, i shfaqur herë si projektues dhe herë si interpretues i rregullave.
Ky arsyetim mbi sistemet sociale dhe institucionale të konsideruara si “krijesa” njerëzore rrëzon thelbin e argumentit që e veçon individin dhe merr në shënjestër vetëm sistemin si të keqen e madhe, kur në thelb individi është hallkë e sistemit, është bosht i strukturës së tij. Individi është ingranazhi më i rëndësishëm kur flitet për sisteme sociale dhe institucionale. Eshtë themeli i tij, prandaj ndryshimi i sistemit fillon jo me ndryshimin e individit apo fytyrave, por me ndryshimin e konceptimit të individit mbi funksionimin e sistemit, të rolit të tij brenda sistemit, si dhe të modeleve mendore që shoqërojnë pjesëmarrjen e tij në sistem. Prandaj pohimi se sistemi është i kalbur (lexo, i korruptuar) është më se i vërtetë, ama nëse do të shihnim përtej fasadës, individi është hallka apo struktura më problematike që i vë vulën këtij sistemi, dhe ky korruptim është moral, intelektual dhe gjithfarëlloj tjetër.
Reformimi i Sistemit
Pikënisja për të reformuar një sistem është të ndryshosh konceptimin, pra, të fillosh të ideosh zgjidhjen duke menduar në mënyrë sistemike. Kjo do të thotë të heqësh dorë nga këndvështrimet lineare, duke e përqendruar vëzhgimin tek ndërveprimet e shumëfishta “shkak-pasojë-shkak”, që vizualisht mund të simbolizoheshin përmes rrathëve dhe që kalojnë kufijtë e një sistemi të vetëm (edhe pse kjo varet nga përkufizimi që i bëjmë sistemit) si dhe tek dinamika e proceseve, e jo tek fotografimet e çastit dhe ngjarjet. Nëse përdorim sërish si referencë sistemin e drejtësisë, pikënisja do të ishte evidentimi i ndërveprimeve që ky sistem ka me politikën, me biznesin, me institucionet kushtetuese, me administratën publike në tërësi, dhe me qytetarin.
Shqyrtimi i kujdesshëm i të gjitha këtyre marrëdhënieve, herë institucionale dhe të shpalosura qartë, por shpesh edhe informale dhe të nëndheshme, është jetik për të arritur në një vlerësim të saktë të faktorëve që kanë ndikuar në shmangien e sistemit nga qëllimi i tij, dhe, ç’është më e rëndësishmja, për zbulimin e “pikave delikate” ku mund të kryhen ndërhyrje të lehta dhe pa kosto të fryra, por me impakt të madh në sistem, ndoshta edhe më të madh se ristrukturimi i të gjithë sistemit, një operacion ky me kosto të larta, jo vetëm financiare.
Nevoja për evidentimin e të gjithë këtyre ndërveprimeve lidhet me gjetjen e zgjidhjeje të qëndrueshme apo themelore, ndryshe nga zgjidhjet simptomatike që bazohen në analiza të fragmentarizuara të njerëzve që shikojnë vetëm një hallkë, pa qenë në gjendje të parashikojnë efektin që ndryshimet e propozuara mund të kenë në hallkat e tjera dhe që në terma afatgjatë mund të jenë rrënuese, pavarësisht një përmirësimi të lehtë fillestar.
Për ta ilustruar këtë me një shembull na vlejnë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të kryera me miratimin e përbashkët të PD-së dhe PS-së, që mundësuan zgjedhjen e presidentit të Republikës me shumicë të thjeshtë. Edhe pse në këtë mënyrë u zgjidh një ngërç politik i momentit, që shmangu zgjedhjet e parakohshme, në terma afatgjatë sistemi u degradua edhe më tej, pasi presidenti njëpartiak nuk mund të përfaqësonte unitetin e kombit, duke dalë mbi palët, dhe propozimet e tij për emërime në pozicionet kyçe brenda sistemit të drejtësisë nuk mund të mos ishin të njëanshme, çka dëmtoi më tej drejtësinë, e posaçërisht parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Ky është rasti tipik sesi një ndërhyrje simptomatike, e ngritur mbi një analizë të fragmentarizuar, që nuk arrin të shikojë dinamikat brenda sistemit dhe të mjedisit me të cilin ai bashkëvepron, dhe që në total përbëjnë megasistemin shtetëror, rrënon në vend që të përmirësojë.
Një tjetër problem i madh i mendjeve që përpiqen të reformojnë sistemet, por pa kuptuar dhe aplikuar asnjë nga parimet e të menduarit në sistem, është vrulli për ta luftuar kompleksitetin me më shumë kompleksitet, pa ditur që, sa më shumë të përpiqesh ta ndryshosh, aq më shumë sistemi kundërshton (sipas parimit të reagimit kompensues, që u mundëson sistemeve ruajtjen e balancave të brendshme), duke përfunduar në një betejë të humbur si rrjedhojë e paaftësisë për të menaxhuar kompleksitetin e krijuar. Dhe kjo e bën sistemin të duket i përbindshëm dhe i pakontrollueshëm.
Mangësi të tilla mund të vihen re edhe nga një lexim i përciptë i propozimeve për ndryshimet kushtetuese, të përgatitura nga ekspertët e reformës në drejtësi dhe që tashmë i janë dërguar për opinion Komisionit të Venecias. Në këto propozime parashihen disa struktura të reja që me demek do ta reformojnë dhe do ta bëjnë sistemin funksional. Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i shtohen radhës së institucioneve të tjera “të larta” që çuan në kolaps sistemin aktual. Shembull tipik sesi kompleksiteti luftohet me kompleksitet, por edhe i këndvështrimit të cunguar të ekspertëve, të cilët, duke qenë të specializuar vetëm në çështje të drejtësisë, nuk janë në gjendje të shikojnë implikimet që sektorë apo hallka të tjera të shoqërisë luajnë në dhënien e drejtësisë.
Të menduarit në sistem është një disiplinë e gjerë dhe larmishme, e cila s’mund të shterohet me një artikull të vetëm, por megjithatë, në përfundim, diçka është e qartë. Eshtë e vërtetë që sistemi mbetet një nga problemet tona, por kryeproblemi është paaftësia për të menduar sipas logjikës së sistemeve, qoftë edhe kur flasim për sistemet, dhe aq më pak kur ndërmarrim reforma për t’i reformuar ato. Ky konkluzion mund të shërbejë edhe si përgjigje për fjalinë epike që përmendëm në fillim. A do të fillojë edhe gjermani të sillet njësoj si shqiptarët po të bëhet pjesë e sistemit tonë? Me shumë mundësi jo, dhe kjo sepse ai është edukuar në një mjedis ku notat dhe diplomat nuk mund të blihen, ku për të zgjidhur një ankesë nuk duhet të bredhësh pafundësisht nëpër dyer institucionesh, dhe ku poshtërsia nuk shpërblehet e promovohet ndërsa qytetaria të bën të etiketohesh si “dështak”.
Vullneti dhe dëshira e mirë duhen vlerësuar, por ato nuk mjaftojnë për të dhënë zgjidhje themelore. /tesheshi.com/