Asgjë nuk do ndryshojë për mirë në zërat e ndryshëm të realitetit të përgjithshëm derisa gjuha do mbetet po ajo; gjuha e politikës, e cila orienton sa psiqikën e njerëzve, e sa mënyrën e zgjedhur me demek për ti mbrothësuar punët e këtij vendi. Nëse ne do kemi dëshirë të bëjmë një test nëse vërtet po kthen për mirë kahja e punëve, le t
i drejtohemi gjuhës, fjalorit, komunikimit në përgjithësi.
Në një shkrim të tijin para disa viteve, fill pasi ishte shkëputur nga të qenit pranë Berishës si drejtues i Zyrës së Shtypit në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër, gazetari dhe opinionisti Ermal Hasimja do i bënte një përshkrim fantastik qasjes berishiste ndaj kundërshtarit. Sipas Hasimes, tek Berisha kundërshtari nuk është dhe as që ka gjasë të jetë njeri normal, pra, edhe pse kundërshtar i tij: ai është o kriminel, o i sëmurë. Por, normal, njeri me të mirat dhe të këqijat e tij, jo, nuk ndodh të jetë!
Edi Rama fitoi një simpati të madhe publike kur në deklaratën e parë pas fitores së 23 qershorit zgjodhi ca fjalë të pambukta ndaj rivalit të tij, politik e kulturor njëkohësisht, Berisha. Ai tha se koha do e gjykonte për të mirat apo të këqijat e tij; deklaratë që ngjiti shpejt në opinion si një akt fisnik. Por ndodhi që shumë shpejt ligjërimi i ndryshoi, ku dhuntia e tij prej një gojëtari të lindur e të sprovuar nisi të fshikullonte keqaz opozitën dhe personazhet e saj, duke investuar fuqishëm me gjuhën e tij brisk dhe në një krizë të rëndë komunikimi, pos atyre të tjerave që na kanë kapluar, siç është dhe ajo e xhepave.
Madje duhet theksuar se ndër premtimet më të pambajtura të Ramës është pikërisht ai i dhënë disa herë në studio televizive gjatë promovimit të Rilindjes në vitin e fundit të opozitës, kur deklaronte se një herë në javë do të takohej me shefin e opozitës. Dhe nëse e mat Rilindjen me kutin e këtij premtimi, mu për shkak se është tejet i bujshëm, por krejtësisht, qartësisht dhe ekstremisht i pambajtur, ahere nuk ka ç`shpresohet më.
Nga ana tjetër, opozita kurrë nuk ia kujton këtë lloj premtimi as Ramës, e as opinionit. E kjo për faktin e thjeshtë se gjendet po në të njëjtin shtrat mental dhe moral, ku nuk ka gjasë që kundërshtarin ta ketë hera-herës edhe mik, njerëzisht, por dhe politikisht. Edhe Berisha njihet për njeri llafeshumë e gjuhëbrisk, por jo të kultivuar. Ka paaftësi të lindur për të mos prodhuar asnjë postulat politiko-intelektual, edhe pse është një doktor/profesor i kënduar që merret 24 orë në 24 me politikë. Brezat e nesërm do të vuajnë për t`i gjetur një syresh në karrierën e tij, siç fjala vjen ka dhe Noli, mendja e madhe që dështoi katastrofikisht në politikë. Por, gjithsesi, lideri demokrat e tha në krye të herës atë “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, që sikur të kishte gjetur vend vërtet në frymën e të bërit politikë, do na kursehej për veshët tanë njerëzorë një fjalor i tillë rrugësh me hordhi dhe qenër.
Janë më të freskëtat fjalë këto, hordhi dhe qen, të dala së fundi, e para nga kreu demokrat Lulzim Basha, dhe, e dyta, nga një tregtar i mllefosur në Durrës. Kontekstet si u thanë nuk është e nevojshme të sqarohen, por është e domosdoshme të thuhet se ndërsa të dytit i falet qeni, se helbete, pa shkollë, apo se kushedi se çhall e ka zënë që ta lëshojë gjuhën deri në atë pikë sa t
i thotë kryeministrit “qen që duhet djegur”, i pari nuk i ka gjithsesi këto kushtëzime psiqike për të futur në fjalorin e tij hordhitë, aq më shumë kur ato u adresohen tatimorëve, shtetit, pra, që mëton se do i udhëheqë nesër në rolin e një kryeqeveritari.
Gjuha vëlla, gjuha, prej aty ta vë notën! Hordhi e qen ndoshta të sjellin vota, të sjellin në pushtet, por sukses në qeverisje harroje se të garantojnë. Përkundrazi, të kthehen dhe ty pas si një fugë…
/tesheshi.com/