Dje isha në një sallë leksioni. Isha mysafir i Alfred Lelës, dhe folëm për radion. Diku në fund të orës ra fjala për një emision të dikurshëm që ka pas bërë Arian Çani natën deri në mëngjes, “Klani i natës”, dhe më vonë, “Koha e natës”. Ka qenë një program radiofonik ku njerëzit shfrynin dufin dhe mendimet perverse në telefon. Shanin dhe mallkonin Çanin me fjalët më të ndyra në botë, por e dëgjonin dhe mbanin vesh ç’thoshte ky personazh tej përkufizimeve. Audienca ishte e lartë, madje shumë e lartë. Dikush nga studentët më pyeti në fund të takimit tonë: “A është profesional Arian Çani?” Thashë që është, dhe ika. Kisha ditë që lexoja shkrime në portale a gazeta se si një vajzë nga Brazili nxori zogun tek “Zonë e lirë”. Pashë videon dhe mbeta pa fjalë, me zogun e vajzës, flokët bjond të Gjonit, dhe normalitetin me të cilën e përjetoi mikpritësi ndodhinë. Pyetja mbetet e njëjtë: a është profesional? Them “po”, përderisa profesioni ka pësuar një metamorfozë etike, të cilën e pranon shumica dërrmuese e gjindjes. A na shqetëson ne vallë nëse xheneriku ynë përdor metoda joortodokse të riparimit? Aspak. Atëherë, përse ta vëmë veten në hall për këtë ngjarje? Të gjitha, në fund të fundit, profesione janë!
Shqipëria ka patur përherë kuplara. Kur e mësonim këtë gjë në vitet e izolimit të kuq skandalizoheshim. Si ka mundësi që gjyshërit tanë të nderuar ishin kurvarë? Të tulatur në shkallët e gjimnazit imagjinonim si do ishte Shqipëria me kuplara. Shkollën e kishim tek Zogu i Zi. Tash që jetojmë në një tokë të lirë nuk na bëjnë përshtypjet qimtoret me orë, madje në lagjet tona tipat që nxorën në rrugët e Torinos a të Athinës të afërmet e tyre, fqinjet, në plot raste të fejuarat dhe gratë, nuk u paragjykuan, nuk u dogjën katundisht, madje si pasunarë të rinj u jepnim vetë pushtet. A e di njeri sa deputetë ka në Kuvend që janë marrë dhe merren me qejfet e klientëve në semaforët e Europës? Sipas të dhënave të mia, nja katër a pesë. Dikur në vendin tonë ia ngulje thikën apo bajonetën tjetrit po të shante nga motra. Tani askush nuk bëzan kur ia marrin motrën dhe ia përdorin si eskortë, madje ai tregon në lagje se ka një motër shumë të zonjën, e cila punon asistente e pronarit të një fabrike të madhe, prandaj motra ka blerë shtëpi në Milano dhe ai ka një banesë në Tiranë. Të gjitha janë bërë me mund. Kjo tregon që jemi një popull që e veshim si lëkurë moralin e ri që na bie në hise prej skamjes, padijes, por edhe etjes për të pasur shpirtin dërrasë dhe vendparkimin me Mercedes.
A e kujton kush tregimin e Migjenit, “Historia e njenës nga ato”? Djali dhe baba që lypin qejfin tek e njëjta e përdalë, tek i njëjti shtrat. Koha ka ecur, por, me ç’duket, ne kemi ngecur.
Sipas meje, ndoshta jam gabim, nuk shkojmë dot përpara, nuk e cekim dot qytetërimin e Perëndimit, nëse udha jonë nuk ka moral. Është e vërtetë që gjermanët prodhojnë pornografinë më të shpifur të kontinentit, por nuk është ky prioriteti i tyre, ndaj nuk kemi pse themi meqë e bëjnë ata, ne e bëjmë më keq. Ndoshta mund të thonim, do punojmë më shumë se një gjerman, do e kem frikë shtetin më shumë se një gjerman, do ia paguaj taksat shtetit si me qenë gjerman, e kështu me radhë. Vallë Gjoni me flokë të verdha dhe braziliania me zogun jashtë do kishte gjasa të hynte cullak në një studio të atjeshme?
Në Shkodër do thonin që, nëse e shoh dhe një herë, ma zi ma bëfshi, dhe prapë e sheh dhe më zi ja bëjnë!
/tesheshi.com/