Për të dytën herë në pak muaj, shtetarët e Kolumbisë dhe drejtuesit e rebelëve të FARC-ut kanë shtrënguar duart e kanë firmosur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund konfliktit prej disa dekadave në vend.
Ndërsa marrëveshja e mëhershme nuk arriti të marrë mbështetjen popullore në një referendum të zhvilluar më 2 tetor, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së dytë qe më e tkurrur në pompozitetin e vet.
Rreth 800 qenë të ftuarit në ceremoninë në Bogota, shumë më pak nga 2.500 pjesëmarrësit në ceremoninë e parë në qytetin e Kartagjenës.
Rodrigo Londono, udhëheqësi i FARC-ut, dhe Juan Manuel Santos, presidenti i Kolumbisë, shtrënguan duart pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Kjo marrëveshje do të kërkojë miratimin nga Kongresi, gjë që pritet të ngjasë javën e ardhshme. Presidenti i Kolumbisë deklaroi se zbatimi i marrëveshjes nuk do të shtyhet as edhe një çast të vetëm.
Marrëveshja e re shpresohet ta mbyllë përgjithmonë kapitullin e konfliktit të armatosur prej së cilit humbën jetën gjatë dekadave 260.000 njerëz, ndërkohë që miliona të tjerë u detyruan të zhvendosen brenda territorit të Kolumbisë. /tesheshi.com/