Nga Anila Dushi
Ana e Malit është një krahinë shqiptare me tradita e histori të lashtë e cila shtrihet në dy anët e kufirit, në pjesën shqiptare dhe atë malazeze. Pjesa shqiptare, komunë deri më 21 qershor të 2015 dhe tashmë pjesë e Bashkisë Shkodër, përfshin 10 fshatra; ndërsa pjesa e Malit të Zi, Ana e Malit përfshin 20 fshatra.
Në Mal të Zi ajo përfshihet në komunën e Ulqinit, dhe rreth 99% e banorëve janë shqiptarë. Ana e Malit në Mal të Zi ndodhet mes liqenit të Shkodrës dhe liqenit të Shasit. Ngjarjet e ndryshme historike që shoqëruan popullin shqiptar në periudha të ndryshme u pasqyruan edhe në Anë të Malit, ku kulmi arriti më ndarjen nga Fuqitë e Mëdha të trevave shqiptare në vitin 1913.
Kështu, Ana e Malit u nda mekanikisht në dy pjesë: në Anën e Malit, që shtrihet brenda territorit të Shqipërisë dhe në Anën e Malit tjetër, që ndodhet brenda territorit të Malit të Zi. Në vitin 1948, goditjen më të rëndë kësaj treve ia dha mbyllja e kufirit, i cili qëndroi i pakalueshëm deri në vitin 2002, kur u rivendosën marrëdhëniet familjare, shpirtërore, ekonomike etj. midis dy vendeve.
Banorët e dy anëve kanë mundur të ruajnë lidhjet mes tyre, edhe pse për shumë vite pjesa shqiptare ishte e izoluar, ndërsa me ndryshimet politike në Shqipëri në fund të vitti 1990 dhe me zhvillimet e mëpasme, marrëdhëniet mes banorëve të së njëjtës trevë, dhe pse në dy shtete të ndryshme, kanë njohur progres.
Veçanarisht hapja e pikës së kalimit kufitar Muriqan – Sikobinë, dy fshatra këto të Anës së Malit, respektivisht në kufirin mes dy shteteve, ka bërë që banorët lë lëvizin lirshëm në çdo kohë, të jenë bashkë në gëzime e hidhërime, apo në festa të ndryshme.
“Pranverë në Anën e Malit” është një aktivitet që zhvillohet çdo vit në zonën e Shasit në pjesën malazeze dhe ku marrin pjesë mjaft banorë të kësaj treve, emigrantë që kthehen aty dhe ku përfshihen aktivitete artistike, panaire ushqimesh e gatimesh tradicionale, ekspozita artizanati etj. Zhvillohet në mes të verës, edhe pse shoqërohet nga fjala pranverë.
“Është një ditë e veçantë ku synohet që banorët e kësaj treve të shpalosin vlerat e saj të mbajtura gjallë e të trashëguara, por dhe si prezantim ndaj turistëve që kanë çfarë të shohin në Shas e në zonën përreth. Është një aktivitet që organizohet nga shoqatat shqiptare të Anës së Malit në Mal të Zi dhe përfshin shumë njerëz, jo vetëm nga kjo zonë në dy anët e kufirit”, shprehet Ismet Kallaba, një prej organizatorëve.
Ndërsa Bajram Mehmeti, drejtues i shoqatës “Ora”në Mal të Zi shton se është viti i 12-të që bëhet një aktivitet i tillë gjithëpërfshirës dhe pjesmarrja është gjithnjë e më e madhe, jo vetëm nga dy anët e kufirit por dhe nga turistë shqiptarë ose të huaj që zgjedhin të eksplorojnë Shasin dhe të njihen me një pjesë të kulturës së pasur shqiptare.
Nexhat Avdiu, gjeograf, doktor i shkencave, nga fshati Sukobinë, thotë se për një aktivitet të tillë të përmasave të mëdha është zgjedhur Shasi pasi ai është një vendbanim i banuar 100 % me shqiptarë, me shumicë dërmuese të besimit islam dhe me një numër të vogël të besimit katolik; shtrihet në pjesën verilindore të Ulqinit dhe ka një sipërfaqe rreth 113 km² që njëherazi përbën diku afër 44.3 % të sipërfaqes së përgjithshme të komunës së Ulqinit.
Në veri kufizohet më zonën e Krajës, në lindje me lumin Buna dhe komunën Ana-Malit, që ndodhet brenda territorit të Shqipërisë e pikërisht me fshatrat Vidhgarë, Shtuf, Muriqan dhe Goricë, ndërsa në përëndim me komunën e Tivarit.
Ana e Malit ka terren fushor të alternuar më atë kodrinoro–malor. Lartësia mesatare e relievit shkon nga 4 m. mbi nivelin e detit e deri në mbi 400-500 m mbi nivelin e detit. Për shkak të pozitës së përshtatshme gjeografike duke u gjendur pranë qendrave të njohura tregtare si Shkodra dhe Ulqini i njohur për detari, tregti etj., prej vitesh në këtë trevë kanë kaluar rrugë të rëndësishme si ajo Tivar – Katërkollë – Shkodër, e ndërtuar nga austrohungarezët gjatë viteve 1916-1918.
Më pastaj vjen rruga Ulqin – Katërkollë – Shkodër – Shasi, aty ku dhe zhvillohet aktiviteti. Shasi ndodhet në pjesën verilindore të Ulqinit në një lëndinë mbi liqenin me të njëjtin emër, ku janë dhe rrënojat e qytetit mesjetar të Shasit. Ai tashmë është pak i banuar dhe pse ka vlera të mëdha kulturore. Banorët kanë emigruar në zona të tjera dhe kjo ka sjellë dhe uljen e numrit të nxënësve në shkolla. Banorët e paktë që vazhdojnë të jetojnë këtu merren më së shumti me bujqësi e blegtori, ndërsa si treg për prodhimet e tyre shërben kryesisht ai i Ulqinit.
Halim Xheka ka mundur që duke punuar fort të transformojë një pjesë të kënetës në fushë, ndërsa pak më lart ka ngritur biznesin e tij, një hotel.
“Këtu ka qenë hoteli i ushtrisë i ndërtuar në vitin 1975, e kam privatizuar në vitin 2000 dhe kam blerë tokën. Kam kthyer kënetën në fushë. Janë rreth 13.000 metër katrorë sipërfaqe. Është e gjitha me një bar natyral të cilin e kosis disa herë në vit me makinë korrëse pasi rritet shpejt. Këtu vijnë shumë njerëz, kalojnë ditën ose qëndrojnë disa ditë, familjarë ose dhe me shoqëri. Fusha krijon mundësi për sporte të ndryshme, klima këtu është e përshtatshme dhe e shëndetshme. Në dimër ajo mbulohet nga uji por përsëri pamja është mjaft e bukur. Përdoren varkat për shëtitje që ankorohen pranë rrugëve me gurë të skalitur, të cilët në këtë zone janë të shumtë. Më përpara kam punuar si mekanik, por më pas vendosa të investoj dhe rezultatet janë të kënaqshme. Zona e Shasit frekuentohet mjaft dhe jo vetëm në ditën e aktivitetit”.
Nadire Hollaj dhe Halime Sakaj janë dy mike që kanë ardhur për të kaluar disa ditë këtu dhe shprehen se jetojnë në SHBA.
“Jetoj prej 20 vitesh në Nju Jork pasi atje shkuan djali dhe vajza. Çdo vit vij e qëndroj 3 muaj në Shqipëri, vij në Shkodër, në Vladimir (Mal i Zi) por dhe në zona të tjers si Korçë, Tiranë, Valbonë, Dardhë etj., pasi më pëlqen të shëtis. Ndërsa atje ku jetoj mërzitem vetëm. Këtu më pëlqen shumë natyra, ushqimet, shërbimi etj”, thotë Hollaj, ndërsa Sakaj shton se ky vend i tërheq dhe për mikëpritjen tipike shqiptare.
Por në këtë zonë takohen dhe të huaj që vijnë të eksplorojnë dhe ku vendasit afrojnë shoqërues. Doktori i shkencave, Nexhad Avdiu shpjegon se Shasi njihet për ekzistencën e 365 kishave ku aktualisht janë gërmadhat e vetëm 8 prej tyre.
“Ka patur përpjekje prej shqiptarëve për promovimin e vlerave të tyre, janë bërë gërmime arkeologjike më 1995 si dhe para tre vitesh. Nuk ka patur përpjekje nga ana e shtetit. Është e domosdoshme që të bëhet e mundur nxjerrja në sipërfaqe e objekteve në mënyrë që të jenë të dukshme dhe të vizitueshme vlerat e tyre. Janë 8 kisha që tregojnë rrënjët e kulturës së lashtë”, thotë Avdiu.
Ndërsa Halim Xheka shton se disa objekte janë nën ujë si Kisha e Gjelit në rrëzë të gurit.
“Unë e kam rregulluar vetë gjysmën e rrugës pasi turistët jo vetëm të huaj por dhe nga Tirana e zoina të tjera shfaqin interes. Pastaj i shoqëroj me varkë. Shteti nuk ka ndërhyrë, ai vetëm na merr para permes taksave”.
Studiuesit shqiptarë të Malit të Zi shprehen se duhet një bashkërendim mes Ministrisë së Kulturës së këtij vendi por dhe komunës së Ulqinit për të bërë të mundur rizgjimin e vlerave kulturore të kësaj zone, më e pasura në trevat shqiptare të Malit të Zi. Ato shtojnë se aktiviteti i përvitshëm “Pranverë në Anën e Malit” shërben si një promovim i mirë i krahinës dhe tërë zonës. Grupet artistike nga trevat e kësaj krahine në dy anët e kufirit, panairet e artizanatit ku marrin pjesë dhe artizanë nga Shkodra që shpalosin punimet e tyre, ekspozitat e kulinarisë me gatime të shumëllojshme dhe tipike për zonën, aktivitetet sportive etj., i japin një gjallëri të veçantë kësaj dite.
Suad Mehmeti nga Ulqini me veshjen e tij të veçantë shpjegon se merr pjesë në këtë aktivitet me synimin për të promovuar veshjen e peshkatarit, tipike për zonën, këpucët, kostumin popullor dhe traditën e trashëguar duke demostruar një ritual tipik, atë të peshkatarit që sjell peshkun në dasëm.
Suzana Kovaçi nga Proj shprehet se ka sjellë gatime tradicionale në panair si kurulanën, ndërsa Kije Pali nga Ktheza shton se prej 12 vitesh është pjesëmarrëse në panairin e këtij aktiviteti festiv ku produket e biznesit të saj kanë gjetur pëlqim. Në panair ka mjaft pjesmarrës dhe nga Shkodra me produkte ushqimore tipike si tava e krapit apo tespixhja, por dhe artizanë.
Kristina Ndoci paraqet në panair punime në filigramë, Adriana Handaraj veshje kombëtare, Pjetër Vulaj punime lëkure, etj. Shasi dhe Ana e Malit në Mal të Zi paraqesin interes të shtuar dhe fakti që ndodhen vetëm 20 minuta larg pikës së kalimit kufitar të Muriqanit ka shtuar dhe frekuntimin nga shqiptarët e viseve të tjera brenda kufirit të Shqipërisë. /tesheshi.com/