Nga Bashkim Kastrati
Në Kosovë të praktikosh fenë islame dhe të “dukesh” si mysliman tashmë është bërë e vështirë, pasi që mund të shkaktohen pengesa të shumta. Disa nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” janë larguar nga orët mësimore vetëm për faktin se ata kanë filluar të mbajnë mjekra. Ky urdhër do të vlejë për ta deri sa t’i heqin mjekrat!
Por siç duket mjekra e tyre nuk ka të bëjë me praktikimin e fesë islame, pasi këta nxënës kanë deklaruar se mjekrën e mbajnë për shkak të stilit të tyre, e jo për shkaqe fetare.
Por drejtori i këtij gjimnazi Ilmi Reçica siç duket hallin e ka diku tjetër, atij këta nxënës po i duken si praktikues të fesë islame, gjë që e ka shqetësuar jashtë mase. Ai ka thënë për “KosovaPress” se bartja e mjekrës bie ndesh me rregulloren e shkollës dhe se në shkollë nxënësit nuk duhet të vijnë me mjekër apo shami, simbole këto fetare, të besimit islam.
“Është e vërtetë, disa nxënës sot i kam dërgua në shtëpi, arsyeja e vetme është mbajtja e mjekrave në masë të madhe. Ky vendim ka ardhur në konsultim me Këshillin Drejtues të shkollës, por edhe disa informacioneve se kam parë disa nxënës duke u falur në shkollë, në orët e mbrëmjes. Pas inspektimit në disa klasa dhe tërheqjes së vërejtjes disa ditë, që të shkojnë ta heqin mjekrën dhe të vijnë të nesërmen të pastër, sot mendoj që shkova, ata që i gjeta nëpër klasë ashtu iu thash të dalin, të shkojnë ta heqin mjekrën dhe të kthehen ashtu siç është rendi i shkollës”, ka thënë Reçica.
“Nuk është ai problem që unë kam insistuar aty, por gjimnazi i ka rregullat e veta dhe duhet të vijnë ashtu siç i ka hije një nxënësit të gjimnazit”, thotë ai.
“KosovaPress” ka kërkuar nga drejtori Rregulloren e cila i jep të drejtë për veprimet që ka ndërmarrë, por një e tillë nuk ekziston.
Ndërsa nxënësit ndjehen të diskriminuar për këtë vendim, ata thonë se kanë të drejtë të mbajnë mjekrat, pasi që stili i tyre është kështu dhe se nuk kanë ndonjë arsye tjetër.
“Sot në orën e pestë na njoftoi profesoresha që duhet me lshu mësimin për shkak të mjekrave. Ne hezituam të dilnim pastaj erdhi edhe drejtori dhe tha se duhet me leshu mësimin gjithqysh… Nuk ka ndodhë asnjëherë”, thotë për kosovapress Nderim Mushica, njëri nga të larguarit nga orët e mësimit.
Kjo situatë tregon për një qasje diskriminuese ndaj këtyre nxënësve dhe se kjo masë e përjashtimit bëhet për të parandaluar praktikimin e fesë islame, pasi që edhe kush duket si i tillë tash do ta pësojë. Sipas qasjes së këtij drejtori, edhe mjekra pavarësisht për çfarë arsye mbahet na qenka simbol fetar në këtë rast!
Por ky problem është më kompleks se kaq, për shkak se nëse nxënësit do të refuzojnë të heqin mjekrat a do të përjashtohen përfundimisht? Me çfarë të drejta bëhet kjo kur dihet se shkollimi i mesëm është obligues dhe ndërsa edhe liria fetare është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet tjera në fuqi, ku ndalohet çdo lloj diskriminimi fetar, gjinor, racor, seksual etj.
Me këtë çështje është duke u marrë edhe drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci. Ajo ka deklaruar se është në dyshim nëse me të vërtetë është dashur që këta nxënës të largohen nga shkolla, por është shprehur se është duke u marr detajisht me këtë ndodhi.
Kelmendi: Përjashtimi i nxënësve diskriminues dhe kundërnjerëzor
Gëzim Kelmendi deputet në Kuvendin e Kosovës ka thënë për tesheshi.com se është kundërnjerëzore dhe shumë e pakuptimtë që në një vend që synon të integrohet në BE sikur që është Kosova të përjashtohen nxënësit nga procesi mësimor për shkak mjekrave të tyre, të cilat ishin aq të vogla dhe të mirëmbajtura.
“Kjo shkollë e mesme “Sami Frashëri” që po i diskriminon këta nxënës, muaj më parë ishte pjesë e skandaleve të turpshme gjatë ekskursionit me nxënës në Shqipëri. Tash kërkon ‘zbulon’ rregulla të reja duke shkelur drejtat e njeriut dhe duke nxitur urrejtje ndërfetare. Largimi i nxënësve nga procesi mësimor është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me ” Nenin 38 “të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Njëherit largimi i nxënësve nga procesi mësimor paraqet shkeljen e Konventave Ndërkombëtare dhe shkeljen e Drejtave të Njeriut”, thotë Kelmendi.
Ai thotë se për institucionet shkollore duhet të jetë me rëndësi mësimi, edukata dhe sjellja e nxënësve, e jo mjekrat e tyre, ngase mjekra është manifestim publik i bindjeve fetare të cilin e mbron fuqishëm “Neni 38” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Fundja, Kosova është një shtet i ri i cili synon integrimin në BE dhe sjellja e Institucioneve ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të jetë në harmoni të plotë me praktikat evropiane, ku në gjitha vendet e BE respektohen bindjet fetare. Kjo sjellje e Drejtorit ka ngjallur reagime në shoqëri, dhe mendoj qe duhet që Drejtorati i Arsimit te Komunës së Prishtinës t’i kthej nxënësit ne shkolle ne mënyrë që mos të polarizohet situata edhe më shumë”, theksoi deputeti Kelmendi.
Në shkolla lejohen vathet në pjesë të ndryshme të trupit dhe veshjet ekstravagante, por mjekra jo!
Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për tesheshi.com se mbajtja e mjekrës është pjesë e identitetit të një personi ose grupi të caktuar dhe përderisa është simbol dhe pjesë e imazhit të individit ajo nuk cenon integritetin e të tjerëve. Ai thotë se shpeshherë në këto kontekste përdoren standarde të dyfishta, ku disa nxënës mund të bartin vathë në vesh apo hundë apo edhe në kërthizë, apo flokë në forma të ndryshme apo edhe tatuazhe të ndryshme. Ndërsa, për shkak të mjekrës që nxënësit mund të jenë edhe adoleshentë si në këtë rast, ata përjashtohen.
“Ky rast duhet të jetë i izoluar dhe se nëse është e kundërta, atëherë konsiderojmë se është shkelje e të drejtave të njeriut, sepse përveç që bie ndesh me normat Kushtetuese si akti më i lartë juridiko – politik në vend, po ashtu bie ndesh edhe me vetë Rregulloren e Komunës së Prishtinës 01. nr. 110-391, dt. 25.2.2010, Kuvendi i Komunës së Prishtinës, më 03 korrik 2015, sidomos nenin 4 ku decidivisht theksohet se: “Këto rregulla kanë për qëllim: 4.1 Ngritjen e cilësisë në procesin në institucione edukativo-arsimore; 4.2 Ngritjen e nivelit të disiplinës në punën e personelit edukativo-arsimor dhe nxënësve; 4.3 Ngritjen e përgjegjësisë në punë dhe mësim; 4.4 Zbatimin e Kodit të mirësjelljes; 4.5 Zbatimin e orarit të punës dhe të mësimit nga të gjithë. E në këtë rast nxënësit nuk kanë thyer ndonjë rregull?”, thotë Kamberi.
Ai thotë se nëse një person mban një mjekër, në këtë rast ndonjë nxënës nuk do të thotë që domosdoshmërisht përfaqëson ndonjë grup fetar, sepse mjekra si pjesë e testosteronit është personale dhe njerëzit e mbajnë edhe për aspekte shëndetësore siç është rasti nga mbrojtja e rrezeve ultra violete apo nga kanceri i lëkurës apo e mbajnë edhe për shkak të modestisë që ndryshe njihet me emrin edhe “Pogonotrofi”.
“Ne e dimë që sot mjekra mund të jetë sinonim i së keqes varësisht nga perceptimet, sepse asocion me shumë grupe fetare fanatike, mirëpo shumë njerëz të artit, muzikës, stilizimit, e të tjera mbajnë mjekër dhe kjo nuk do të thotë që ata patjetër janë fetar.
“Ndërsa, nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë dhe konkret në zgjidhjen e problemit në fjalë, përveç humbjes së orëve mësimore të cilat konsiderohen të “shenjta”, mund të ngjallin edhe pakënaqësi tek prindërit, tek qytetarët apo shoqëria e gjerë, duke i parë këto veprime si diskriminuese dhe linçuese ndaj disa nxënësve apo individëve, sepse tek e fundit qeverisja lokale është aty falë votës së qytetarëve dhe ajo duhet të jetë në shërbim të tyre, në këtë rast edhe shkolla duhet të jetë në shërbim të qytetarëve (nxënësve) deri në atë rast kur shkelen rregullat e përgjithshme të bazuara në Rregulloren komunale dhe rregulloret e brendshme të shkollave”, u shpreh sociologu Kamberi.
Në lidhje me këtë çështje ka pasur reagime të shumta ku është kundërshtuar vendimi i drejtorit të gjimnazit “Sami Frashëri” për t’i përjashtuar nga orët e mësimit këta nxënës.
Opinionisti Albinot Maloku ka shkruar në rrjetin social facebook se nga sistemi arsimor i Republikës së Kosovës prej vitit 1999 e sidomos prej 2008 kur Kosova u bë shtet kanë dal shkencëtar që jo veç shteti e shoqëria jonë kanë pas dobi, por edhe mbarë civilizimi perëndimor e lindor.
“Universiteti i Prishtinës në indeksin e Universiteteve botërore rënditet ndër 10 të parët. Nisur nga të gjitha këto, sistemit tonë arsimor është duke i penguar vetëm ‘leshi’ i nxënësve dhe studentëve për të përparuar edhe më shumë”. Sistemi arsimor në Kosovë është arsyeja e “përparimit” të shtetit të Kosovës në të gjitha rrafshet”, është shprehu Maloku. /tesheshi.com/