Nga Mensur Krasniqi
Pas disa ditësh, nga publikimi i audioinçizimeve të gazetarit maqedonas Zoran Bozhinovski, lidhur me bisedën erotike të zv/kryeministrit të Maqedonisë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferit dhe deputetes Ermira Mehmetit, vjen reagimi i parë i dy funksionarëve.
Edhe për dallim nga fakti që shumica e qytetarëve kanë kërkuar dorëheqjen e tyre, Xhaferi nuk e ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë, duke përgënjeshtruar fuqishëm zërat se ai do të largohet nga posti i zv.Kryeministrit.
“Nuk është e vërtetë, ato janë spekulime mediatike. Unë mbetem në postin e zv.Kryeministrit, ndërsa lajmet e fundit janë spekulime të cilët ju kontribojnë qarqeve të caktuara. Audio-incizimet janë të pavërteta dhe janë të inskenuara nga njerëz të cilët shantazhojnë funksionarët e BDI-së”, ka thënë për Zhurnal, Musa Xhaferi, duke shtuar se BDI-ja ka ngritë iniciativë në prokurori që të zbardhë të vërtetën për materialet kompromituese.
Nga ana tjetër, edhe deputetja Ermira Mehmeti ka denoncuar rastin në fjalë në Prokurori, mirëpo për dallim nga bashkëpartiaku i saj, jo në emër të partisë por në emrin e saj personal.
“Do dal nga kjo histori e shëmtuar dhe ju siguroj që nuk mbyllem në shtëpi e të qaj, por do ta çoj deri në fund për të zbuluar publikisht se kush pretendon të marrë përfitime politike, financiare, duke shantazhuar. Unë nuk tërhiqem, sepse nuk kam asgjë për të fshehur”, deklaroi Ermira Mehmeti.
Ndryshe audio-inçizimi ku si protagonistë kryesor në biseda të nxehta erotike ishin paraqitur funksionarët e lartë të BDI-së, ka nxitur reagime të shumta në opinionin e gjërë. I fundit është analisti dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti.
Sipas tij nuk mund të akuzohen si të prapambetur ata që kritikojnë amoralitetin politik, sepse në të kundërtën do të ndihmojnë në ngritjen e një modeli negativ, që nesër pasnesër mund të kopjohet edhe nga fëmijët e tyre.
“Të gjithë mendjehapurve dhe mendjendriturave të civilizuara, që mbrojnë të drejtat e femrave shqiptare duhet thënë: zonja dhe zotërinj, ne nuk merremi me të drejtën e çdo burri dhe gruaje, që të shkojë në krevatin që e pëlqen dhe e as me mënyrën si i manifestojnë kënaqësitë që ndjejnë; madje mund të jetë se ne s’jemi me asgjë më të mirë se ata që i kritikojmë, por ne nuk e kemi në duar fatin e popullit dhe andaj kemi të drejtë të shpalosim fytyrën e vërtet të atyre që vendosin për të ardhmen e fëmijëve tanë, fytyrën e atyre që janë lehtë të shantazhueshëm dhe të pafytyrë, të atyre që gjithë neve na çuan në shtretërit e policisë maqedonase dhe të VMRO-DPMNE-së! Andaj mos u ngutni në përcaktimin e modelit të femrës shqiptare në Maqedoni dhe na lejoni që edhe ne të prapambeturit dhe ‘islamistët’, ta shfrytëzojmë të drejtën tonë dhe t’u themi bijave tona se nuk është vlerë civilizuese të ndërtosh karrierë nëpërmjet krevatit si dhe, të jenë të kujdesshme kur anëtarësohen në ‘maço’ partitë tona, ngaqë shpeshherë, drejtuesit e tyre nuk të përkrahin pse je e mençur apo e aftë, por pse duan t’ua zbukurosh ditën dhe natën!”, ka deklaruar Kim Mehmeti. /tesheshi.com/