Nga Alba Skëndaj
Mijëra emigrantë shqiptarë në Itali, Greqi apo në vende të tjera, rrezikojnë të mbeten pa një pension, nga mungesa e marrëveshjeve bilaterale mes shtetesh. Njohja e pensioneve apo bashkimi i viteve të punës për emigrantët shqiptarë, mbetet një problem serioz për tu zgjidhur, sidomos për vende si Greqia dhe Italia, ku jetojnë një numër i madh shqiptarësh. Kohët e fundit Qeveria Rama ka lidhur një sërë marrëveshjesh me shtete të ndryshme për njohjen e pensioneve të emigrantëve, por ka dështuar me Italinë dhe Greqinë, me të cilat ka vite që negocion por nuk ka arritur në rezultate.
Italia
Ekspertët analizojnë se në kushtet e një krize ekonomike, këtyre vendeve nuk iu duhet edhe barra e pensioneve të emigrantëve shqiptarë, duke i lënë ata në pjesën më të madhe pa sigurime e pa pension. Aktualisht, qeveria shqiptare ka mbyllur një sërë marrëveshjesh të tilla me vende si Belgjika: Turqia, Rumania, Maqedonia, apo Luksemburgu ndërsa prej vitesh është në negociata edhe me Italinë dhe Greqinë. I pyetur për këtë çështje, Naim Balluku, specialist në fushën e pensioneve, aktualisht përfaqësues i Patronatit INAS CSL në Shqipëri, shpjegon së pranë këtyre zyrave në Tiranë emigrantët apo familjarë të tyre mund të gjejnë të gjithë procedurat dhe hapat e nevojshëm që duhet të ndjekin për përfitimin e pensioneve të tyre. Sipas statistikave zyrtare, Italia ka një emigracion shumë të lartë shqiptar, ku janë me dokumente të rregullta rreth 500 mijë vetë, dhe prej tyre 260 mijë figurojnë të punësuar. E ndërsa Italia ka marrëveshje me shumë shtete, me Shqipërinë nuk është arritur akoma të lidhet një marrëveshje e tillë.
Greqia
Edhe në Greqi, marrja e pensionit për shqiptarët është tepër e vështirë, pasi për të marrë pension sipas skemës greke një shqiptar duhet që të ketë 4500 ditë punë që është e barabartë me 15 vjet pa ndërprerje. “Italia dhe Greqia po kalojnë periudha të vështira ekonomike, ne ndjekim hap pas hapi zhvillimet ekonomike në Itali dhe rezulton se kohët e fundit ekonomia italiane ka qenë në recension dhe vazhdon të jetë e tillë. Po në këto kushte është edhe Greqia. Mund të themi që si rezultat i krizës ekonomike është rritur shumë edhe papunësia, që influencon direkt te emigrantët tanë. Papunësia në Itali në fund të vitit 2014, rezultoi me 13.4 %. Në Greqi përsëri papunësia është në shifra shumë të mëdha 25.7 %, por papunësia për emigrantët është më e madhe, sepse emigrantët janë të parët më të rrezikuar nga papunësia, ndërkohë që papunësia për punonjësit italianë është 13.4 % për emigrantët është 18.8 % apo 19 % dhe kjo është më e madhe për moshat e reja, ku shkon te mbi 40 %. Edhe në Greqi është rreth 50 % për moshat e reja. Kjo ka krijuar një fluks të madh të kthimit të emigrantëve; nga dy shtetet fqinje; Itali dhe Greqi,” thotë Naim Balluku.
Kthimi i emigrantëve
Nga statistikat e fundit rezulton se 90 mijë emigrantë janë kthyer nga Greqia dhe rreth 30 mijë nga Italia (për 3 vitet e fundit). Këta individë, në mungesë të një marrëveshje bilaterale me Greqinë dhe Italinë, janë pa pensione. Për më tepër, këta individë nuk mund të përfitojnë as pension social me skemën e re të pensioneve në Shqipëri, pasi kushti është që duhet të jesh të paktën 5 vitet e fundit rezident në Shqipëri. Specialisti z.Naim Balluku, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyrë emigrantëve që nuk dinë si të veprojnë për të përfituar pensionin e tyre shpjegon: “Një emigrant shqiptar që ka punuar në Itali 19 vjet dhe në Shqipëri 14 vjet; në Itali nuk përfiton pension se nuk ka plotësuar 20 vjet për tu futur në kushte pensioni; në Shqipëri nuk përfiton pension sepse ka 14 vjet dhe nuk ka plotësuar 15 vite për të paktën pension të pjesshëm në Shqipëri. Pra 33 vite djersë e tij nuk reflektohet në të ardhurat që mund të ketë. Kështu që në rast të bashkimit të periudhave kontributive; në rast të një marrëveshje bilaterale krijohet tërësisht mundësia për të marrë përfitime nga të dy shtetet. Pra në bazë të viteve ku emigranti ka punuar, secili shtet do të jap kontributin e vet,” tha z.Balluku, ndërsa shtoi se pensionin do e marr, në vendin ku jeton, ku është rezident në momentin kur të mbush moshën.
Remitancat
Kthimi i emigrantëve dhe kriza ekonomike kanë reflektuar në uljen e remitancave dhe drejtpërdrejt edhe në ekonominë tonë. Sipas të dhënave statistikore në vitin 2007 remitancat nga emigracioni ishin 952 milionë euro, vetëm nëpërmjet bankave, në vitin 2013 ishin 492 milionë euro, por edhe pse kanë rënë si pasojë e krizës, prapë nuk janë pak. “Pra emigrantët kanë luajtur një rol shumë të madh në amortizimin e shumë problemeve sociale këtu në Shqipëri; kanë hequr barrën e shtetit për punësim, duke mbajtur ekonomikisht me mijëra familje, dhe këto shuma remitancash kanë ardhur me banka pa llogaritur ato në metoda të tjera. Pra të gjithë duhet të lobojmë fort për ti pritur dhe integruar emigrantët tanë që kthehen në vendin e tyre,” thotë më tej z.Naim Balluku.
Marrëveshjet me shtetet e huaja për njohjen e pensioneve
Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me shtete të ndryshme për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë. Me disa vende marrëveshjet janë përfunduar dhe me disa të tjera janë ende në proces. Pikësynimi është konkludimi i marrëveshjeve me Greqinë dhe Italinë ku jetojnë edhe shumë shqipatrë.
Negociatat me Italinë
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar protokolle teknike bashkëpunimi me një sërë institucionesh homologe italiane, ku palët janë angazhuar që t’iu ofrojnë (pa pagesë) emigrantëve shqiptarë lehtësira për informimin e tyre në fushën e mbrojtjes shoqërore dhe t’u krijojnë kushte për derdhjen e kontributeve vullnetare, në mënyrë që, duke jetuar e punuar në Itali, të mund të plotësojnë periudhat e nevojshme për të përfituar pension në Shqipëri, si një mundësi në mungesë të Marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore midis dy vendeve. Më 08.11.2012 u hap zyra e përfaqësimit të INAS-Albania në Tiranë, e cila në bashkëpunim të ngushtë me ISSH-në jep shërbime ndihmëse për të gjithë shtetasit që migrojnë për qëllime punësimi në të dy vendet tona.
Negociatat me Greqinë
ISSH, duke pasur parasysh se në Greqi, është numri më i madh i emigrantëve shqiptarë, ka insistuar të thellojë bashkëpunimin dhe të realizojë Protokoll Teknik Bashkëpunimi me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA. Një hap të mëtejshëm në këto marredhënie, shënoi rinovimi i Protokollit të Bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Greke në gusht të vitit 2006, dhe ngritja e një grupi pune për t’i dhënë shtysë të mëtejshme bisedimeve. Në nëntor të vitit 2008, në një takim pune, u ra dakord për nisjen e procedurave për nënshkrimin e një Protokolli Teknik Bashkëpunimi midis ISSH-së dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Greqisë, IKA dhe fillimit të bisedimeve për realizimin e Marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore. Në ndihmë të informimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, për njohjen dhe informimin e tyre mbi ligjin e sigurimeve shoqërore, sigurimin dhe procedurat për tu siguruar vullnetarisht janë realizuar artikuj dhe emisione në median e shkruar dhe vizive greke.
Francë
Ndërmjet ISSH-së dhe Institutit Kombëtar të Sigurimit për Pensione të Francës (CNAV), është nënshkruar në maj të vitit 2005 një Protokoll Teknik Bashkëpunimi, i cili është në fuqi. Në kuadër të këtij Protokolli, janë bërë disa vizita studimore nga punonjës të ISSH-së në Francë, për shkëmbimin e ekperiencës dhe ngritjen e cilësisë së menaxhimit të skemës për tu përballur me sfidat e procesit të integrimit të saj.
Gjermani
Bashkëpunimi me institucionet gjermane është nxitur për faktin se Gjermania është vendi i tretë për numrin e emigrantëve shqiptarë. Në datat 20 – 22 janar 2015, në Tiranë u çelen negociatat për realizimin e një marrëveshjeje dypalëshe, në fushën e mbrojtjes shoqërore në Republikën e Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Kjo marrëveshje do të mundësojë njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të derdhura nga qytetarët shqiptarë në shtetin Gjerman dhe anasjelltas. Këto negociata do të pasohen nga raundet e ardhshme dhe me një punë intensive të grupeve teknike, do të synohet që kjo marrëveshje të arrihet të nënshkruhet brenda vitit 2015, në mënyrë që të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur, të gjithë shtetasit e interesuar. Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë rreth 19 mijë qytetarë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
Belgjikë
Raundi i parë i bisedimeve për realizimin e marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës u zhvillua në mars të vitit 2010, në Bruksel. Në 27-29 Qershor 2011 u zhvillua Raundi i dytë i bisedimeve. Raundi i tretë dhe i fundit i negociatave u zhvillua nga data 28 Janar – 1 Shkurt 2013, në Bruksel. Në këtë raund u ra dakord dhe për projekt-marrëveshjen administrative, për zbatimin e marrëveshjes bazë të mbrojtjes shoqërore, midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Më 3 prill 2014 përfundoi procesi i ratifikimit nga Parlamenti Shqiptar i Marrëveshjes, me Ligjin nr.35/2014 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës për mbrojtjen shoqërore”, publikuar në Fletore Zyrtare nr.57, datë 24.04.2014. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 35 mijë persona.
Maqedonia
Tashmë Shqipëria dhe Maqedonia njohin kontributet e sigurimeve shoqërore për efekt të përfitimit të pensionit për të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë në Maqedoni dhe anasjelltas. Kjo u bërë e mundur falë marrëveshjes “Për mbrojtjen shoqerore”, e cila u firmos pak javë më parë në Shkup nga Mininistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Erion Veliaj dhe homologu i tij maqedonas, Ministri i Punës dhe Politikave Sociale të Maqedonisë, Dime Spasov. Marrëveshja bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Ajo garanton personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Por ajo që ka më shumë rëndësi dhe që prek një kategori të madhe qytetarësh nga të dyja vendet është mundësia që krijon për bashkimin e periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të cilat tashmë do merren në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre për pension pleqërie, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar, të vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit, si dhe të drejtën për të eksportuar përfitimet, atje ku jeton.
Kosova
Më 5 mars të këtij viti ministri Erjon Veliaj udhëtoi në Kosovë, për të firmosur së bashku me homologun e tij Arban Abrashi një marrëveshje për heqjen e lejeve të punës dhe njohjen e pensioneve. Në një kohë kur Shqipëria i ka hequr lejet e punës për shtetasit kosovare që punojnë në vendin tonë, me anë të kësaj marrëveshje synohet integrimi dhe hapja e tregut të punës mes dy vendeve tona, nga e cila mund të përfitojnë një numër i madh qytetarësh që punojnë në vendet reciproke. Gjithashtu, në bashkëpunimin midis dy ministrive parashikohet edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje në fushën e pensioneve, me qëllim njohjen reciproke të periudhave kontributive në secilin vend. Nga ana tjetër, u ra dakord që qendrat e formimit profesional të Kosovës të ofrojnë mundësi aftësimi pa pagesë, ku të rinjtë shqiptarë nga zonat Hasit dhe Kukësit mund të ndjekin qendrat profesionale në Gjakovë ose Prizren.
Rumania
Marrëveshja e fundit është nënshkruar me Rumaninë. Rreth pesë mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Rumani tashmë do t’u njihen kontributet e sigurimeve shoqërore për të përfituar pension. Këtë mundësi e krijon marrëveshja “Për mbrojtjen Shoqërore”, e nënshkruar në Bukuresht nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Ministrja e Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe të Moshuarve, Rovana Plumb, në shkurt të këtij viti. Më konkretisht, marrëveshja parashikon që në rast se një shtetas shqiptar ka punuar dhe është siguruar në Shqipëri për një periudhë 14 vjeçare, por ka punuar edhe në Rumani për rreth 14 vite, ai mund të bëjë bashkimin e të dyja periudhave të sigurimit. Pra, personit i konsiderohen 28 vite pune dhe pavarësisht se ku aplikon për të marrë pension, ai plotëson kushtet për pension. Llogaritja e masës së pensionit llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do të përballohet propocionalisht nga secili shtet. /tesheshi.com/