Rrallë ndodh që garat e Moto GP-së të mos ofrojnë emocione gjer në fund të tyre, parakalime dhe përmbysje vendesh deri në metrat e fundit para finishit.
E tillë ishte gara e tretë sezonale, ajo e Çmimit të Madh në Amerikë, ku Marc Marquez-i nuk njeh rivalë prej gjashtë vitesh.
Piloti spanjoll siguroi këtë të dielë fitoren e gjashtë radhazi në Ostin të Teksasit, madje i pangacmuar thuajse gjatë tërë garës nga askush.
Kampionit të botës në fuqi iu desh vetëm pak sa të merrte kryesimin e garës, e mandej do të shkëputej së tepërmi nga ndjekësit më të afërt, Vinales, Iannone dhe Rossi.
Këta të fundit do të luftonin për vendin e dytë dhe të tretë në podium, të siguruar respektivisht nga Vinales dhe Iannone.
Kjo ishte fitorja e parë sezonale për Marquez-in, që ngjitet në vend të dytë në renditjen e përgjithshme të pilotëve në Moto GP.
Kryesimin e mori pas garës amerikane Andrea Dovizioso i Ducati-t. Crutchlow zbriti nga vendi i parë në renditje në të katërtin, pasi nuk ia doli të marrë asnjë pikë në Ostin, i përplasur kur duheshin dhe 12 xhiro deri në mbarim të garës. /tesheshi.com/