Të paktë janë ata artistë si Mirush Kabashi, që këto kohë të vështira të një krize morale që po jeton shoqëria shqiptare, arrinjë të përcjellin mesazhe lapidare, sidomos kur është fjala për brezin e ri.
I ftuar për të përcjellë mesazhin e “fillimit të jetës” për studentët e sapodiplomuar të UET-it, Kabashi ka mbajtur një fjalim frymëzues dhe emocionues, i cili u përcoll me duatrokitje të gjata nga të rinjtë dhe prindërit e tyre.
Një mesazh spontan me në thelb moralin dhe parimet e së drejtës që duhet të ndjekin njeriun në jetë. Një mesazh i duhur për rininë shqiptare, ku është futur modeli i turrjes pas partive politike, për përfitime të shpejta dhe pa merita.
“Paçi një jetë dhe një karrierë sa më të gjatë e sa më të vështirë që do të thotë; mos kërkoni rrugët e shkurtra dhe të lehta. Mos shfrytëzoni mundësitë ekonomike apo klienteliste për të siguruar vende të pamerituara pune, mos bini në kurthin e partive politike për t’u ngatërruar brenda tyre dhe për hir të ndonjë kontributi të pamoralshëm dhe shpeshherë të paligjshëm të merrni poste të pamerituara dhe madje ndonjëherë të bëni karrierë, sepse shumë shpejt do ta gjeni veten që keni ‘fituar’ ato, por do të keni humbur vetveten. Shumë shpejt do ta gjeni veten jashtë dhe do t’iu mbetet vetëm ndjesia e turpit.
Ndërtojeni jetën tuaj mbi bazën e një rruge të gjatë që do të formojë dinjitetin tuaj profesional dhe dinjitetin tuaj njerëzor, vetëm pasi t’i keni arritur këto të dyja atëherë pse jo të inkuadroheni dhe në politikë, kemi nevojë për njerëz, por të formuar.”- tha ndër të tjera Kabashi në fjalën e tij, e cila u mbyll me një recitim epik të poezisë së famshme “Në Mundsh” nga Rudyard Kipling, vargjet e së cilës ishte në sintoni të plotë me mesazhin e Mjeshtrit të Madh të Teatrit Kombëtar dhe kinemasë shqiptare./tesheshi.com/