Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u deklarua e prerë për të vazhduar protestat kundër qeverisë, në dalje nga Byroja e Kuvendit që po merr në shqyrtim përjashtimin e saj dhe të gjashtë deputetëve të tjerë të opozitës për sjelljen në seancën ku u zgjodh Arta Marku. “Çizmja ishte vetëm paralajmërim, nuk ndalemi”, tha ajo, e pyetur për incidentin që i rrezikon përjashtimin me dhjetë ditë.
Sipas Kryemadhit, Rama është duke varfëruar përditë shqiptarët që të ketë dorë të lirë në nënshtrimin e tyre.
Byroja e Kuvendit pritet të marrë masën disiplinore ndaj 7 deputetëve, mirëpo këta të fundit kanë deklaruar se nuk do të ndalin protestat pasi e konsiderojnë zgjedhjen e Markut, si një akt të pastër në shkelje të Kushtetutës.
Flamur Noka nga partia Demokratike e justifikoi sjelljen në parlament si kryerje të detyrës ndaj popullit për të mbrojtur Kushtetutën. /tesheshi.com/