Pasditen e 24 nëntorit 1971, një burrë i quajtur Dan Cooper iu afrua sportelit të Northwest Orient Airlines në Portland, Oregon. Ai bleu një biletë me një drejtim në fluturimin nr. 305, me destinacion Seattle, Uashington.
Kështu filloi një nga misteret më të mëdha të pazgjidhura në historinë e FBI-së.
Cooper ishte një burrë i qetë që dukej rreth të 40-ave, i veshur me kostum me një kravatë të zezë dhe këmishë të bardhë. Ai porositi diçka për të ngrënë teksa priste që avioni të ngrihej.
Pak pas orës 15:00, ai i dha një mesazh stjuardesës duke treguar se kishte një bombë në çantën e tij dhe donte që ajo të ulej pranë tij. Stjuardesa e habitur bëri siç i tha. Cooper i tregoi asaj një masë telash në një kuti dhe kërkoi që ajo të shkruante atë që i tha.
Mesazhi iu dërgua pilotit, në të cilin shkruhej se ai kërkonte një parashutë dhe 200 mijë dollarë. Kur avioni u ul në Seattle, rrëmbyesi la të lirë të 36 pasagjerët në fluturim duke marrë si këmbim parashutën dhe paratë.
Megjithatë, Cooper mbajti disa anëtarë të ekuipazhit dhe avioni u ngrit përsëri duke urdhëruar pilotin të vendoste një kurs për në Mexico City.
Diku midis Seattle dhe Reno, pak pas orës 20:00, rrëmbyesi bëri diçka të pabesueshme: u hodh me parashutë nga pjesa e pasme e aeroplanit duke patur me vete dhe paratë. Pilotët u ulën të sigurt, por Cooper u zhduk gjatë natës dhe fati i tij përfundimtar mbetet një mister edhe sot e kësaj dite.
FBI-ja mësoi për krimin në fluturim dhe menjëherë hapi një hetim të gjerë që zgjati shumë vite. Deri në përvjetorin e pestë të rrëmbimit u ndaluan më shumë se 800 të dyshuar, ku vetëm njëri mbeti si i dyshuari kryesor.
Ai ishte Richard Floyd McCoy, i cili u zbulua se kishte kreyer një rrëmbim të ngjashëm dhe arratisje me parashutë më pak se pesë muaj pas fluturimit të Cooper-it. Por McCoy më vonë u lirua nga hetimet sepse nuk përputhej me përshkrimet fizike pothuajse identike të Cooper-it të dhëna nga dy stjuardesat.
Ndoshta Cooper nuk i mbijetoi hedhjes nga avioni. Në fund të fundit, parashuta që ai përdorte ishte e pakontrollueshme, veshjet dhe këpucët e tij ishin të papërshtatshme për një ulje të ashpër dhe ai u hodh në një zonë të pyllëzuar gjatë natës – një propozim i rrezikshëm për një profesionist me përvojë, që provat sugjerojnë se Cooper nuk ishte i tillë.
Kjo teori mori një shtysë të mëtejshme në vitin 1980 kur një i ri gjeti një paketë të kalbur plot me kartëmonedha njëzet dollarëshe (gjithsej 5800 dollarë) që përputheshin me numrat serial të parave të dhëna. /tesheshi.com/