Zëvendës Shefi i Misionit në Detyrë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Dan Koski, edhe pse në një konferencë pa temë politike siç ishte ajo “Planifikimi Urban dhe Zhvillimi Ekonomik Vendas”, e përçoi mesazhin e qartë politik.
“Reforma në Drejtësi vazhdon të ecë përpara, në rrugën e duhur, sipas planit. Shtetet e Bashkuara janë krenare për ndihmën që po u jepet këtyre institucioneve ndërsa ecin përpara. Shqipëria do të ketë shumë shpejt sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtëisë që Kushtetuta parashikon. Qytetarët shqiptarë duhet të ndihen të sigurtë për këtë gjë – reforma në drejtësi nuk do të ndalojë”, tha Koski.
Pse kjo deklaratë?
Sepse, edhe ndërkombëtarët po e përkthejnë aksionin opozitar si një tentativë për bllokimin e Reformës në Drejtësi. Ndaj, në çdo deklaratë të kohëve të fundit, si nga Uashigtoni e si nga Brukseli, potencohet forte se kjo reformë do të vazhdojë e nuk mund të pengohet. /tesheshi.com/