Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Malin e Zi, Mehmet Bardhi, thotë se shqiptarëve në këtë shtet u mohohen shumë të drejta, pavarësisht se autoritetet malazeze e kanë “gojën plot me demokraci”.
Pikëpamjet e tij rreth kësaj çështje, Mehmet Bardhi i shfaqi në një interviste për televizionin TV1-CHANNEL në Shkodër dhe portalin tesheshi.com. Ai thekson se në disa pika, të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi jo vetëm qe nuk kanë përparuar, por kanë bërë hapa mbrapa.
Në shembujt që sjell për këtë, Bardhi përmend se treva shqiptare është më e pasura në Malin e Zi, por resurset e saj janë plaçkitur nga Podgorica zyrtare. “Pushteti ka ardhur duke u centralizuar në Podgoricë dhe bashkë me këtë edhe pasuritë natyrore të trevës shqiptare në Malin e Zi trajtohen në mënyre të centralizuar dhe shqiptarët nuk përfitojnë asgjë”,thekson Bardhi.
Me ketë rast ai lëshon kritika edhe për Tiranën zyrtare dhe Prishtinën e Shkupin, duke theksuar se nuk po bëjnë gjë për koordinimin e faktorit shqiptar në Ballkan.
Mehmet Bardhi është Kryetar i LDK në Malin e Zi që në vitin 1991, ku për herë të parë u themelua një parti shqiptare në këtë shtet. Ai ka qenë disa herë deputet në parlamentin malazez, si dhe ka kryer detyra të ndryshme shtetërore në komunën e Ulqinit. Para vitit 1990 Mehmet Bardhi ka qenë i dënuar me burg nga regjimi i Beogradit, për motive politike./tesheshi.com/