Sulmuesi legjendar uruguajan Luis Suarez, 36 vjeç, u ka thënë lamtumirë tifozëve të klubit të ligës së parë braziliane Gremio në fundjavë, për të cilët shënoi 24 gola dhe 17 asistime në 52 paraqitje.
Në ndeshjen e fundit të sezonit në shtëpi, Suarez shënoi gjithashtu golin e vetëm në një fitore 1:0 ndaj Vasco da Gama dhe kështu e solli klubin e tij në mundësitë e vendosjes direkte në Copa Libertadores.
Pasi u përshëndet me fansat, Suarez tha se ende nuk është i sigurt se ku apo nëse do ta vazhdonte karrierën.
Se ai po mendon seriozisht për pensionin mund të nënkuptohet nga intervista e tij e fundit me radiostacionin uruguaian Sport 890.
“Një ditë para çdo loje marr tre pilula dhe disa orë para se të dal në fushë, bëj një injeksion. Nëse nuk e bëj, nuk mund të luaj. Duhet të mendoj se në pesë vite mund të mos jem në gjendje as të luaj futboll të mbyllur me miqtë e mi”, tha ai dhe shtoi:
“Është e vërtetë që hapat e mi të parë çdo mëngjes janë shumë të dhimbshëm. Kushdo që më sheh në një gjendje të tillë mendon se është e pamundur për mua të luaj përsëri një lojë të vetme. Djali im më thërret të luaj futboll me të dhe unë thjesht nuk mundem”.
Nëse Suarez vendos të vazhdojë karrierën e tij, opsioni më i mundshëm për klubin e tij të ri duket të jetë Inter Miami, ku do të luante sërish me ish-bashkëlojtarin e tij nga Barcelona dhe mikun e madh Lionel Messi. /tesheshi.com/