Para 2 ditësh imam shkupjan Benjanim Idrizi, i cili me vite të tëra jeton dhe vepron në Gjermani, ka pranuar një letër falenderuese nga “Gruaja më e fuqishme” në botë, kancelarja gjermane Angela Merkel.
Kancelarja Merkel në shkresën e saj dërguar Idrizit ka shprehur mirënjohje për angazhimin e tij në ndërtimin e bashkëjetesës dhe solidaritetit me komunitetet e ndryshme fetare në Gjermani.
Shkak për këtë është bërë një deklaratë e nënshkruar nga imami shqiptar, e titulluar “Jo në emër të Allahut – Dhe jo në emrin tonë”, nëpërmjet së cilës, ai dhe shumë të tjerë si ai, udhëheqës fetarë, kanë dënuar keqpërdorimin e fesë, ekstremizmin dhe terrorizmin.
Në një intervistë për tesheshi.com, Idriz flet rreth ndjesive kur e mori letrën e Merkelit dhe inisiativës së tij…
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Cila është ndjenja që iu shoqëroi kur morët në dorë letrën e Merkelit? Ishte e pritshme nga ana juaj?
Letrën e zonjës Merkel e konsideroj si një lloj njohje e politikës më të lartë në Gjermani për veprimtarinë tonë. Në letrën e saj, znj. Merkel potencon se e ka lexuar deklaratën tonë që e publikuam dhe se e çmon atë lart. Me këtë deklaratën që e nënshkruan imamët në Mynih, në mesin e tyre hoxhallarë nga xhamitë shqiptare, kemi dërguar një sinjal të fortë opinionit se Islami është feja e paqes dhe kundër dhunës, dhe se nuk mundet të ndërlidhet një fe me terrorizmin. Në të njëjtën kohë, i kemi bërë apel rinisë myslimane se vendi i tyre është shkolla, universiteti dhe puna, e të mos lejojnë që të manipulohen nga fryma dhe ideologji ekstremiste që nuk kanë lidhje me fenë e Zotit. Në duart e rinisë duhet të jetë lapsi e jo arma.
Na shpjegoni pak raportin e jetës multietnike dhe multireligjioze të qytetarëve në Gjermani?
Gjermania është një shtet multietnik dhe multifetar. Marrëdhëniet ndëretnike janë në nivel të lakmueshëm. Natyrisht, egzistojnë edhe pretendime që duan ta destabilizojnë këtë harmoni ndëretnike dhe ndërfetare. Obligimi i politikës si edhe fesë, asaj islame dhe krishtere, është të luftojnë kundër urrejtjes dhe ekstremizmit dhe të afirmojnë vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës nën ombrellën e ligjit.
Cili është komenti juaj për aktin e sulmeve terroriste të besimtarëve mysliman me arsyetimin “Në emër të Zotit”?
Keqpërdorimi i Zotit dhe mësimet hyjnore të fesë është fenomeni i vjetër dhe ekziston në të gjitha religjonet. Fatkeqësisht, ka edhe myslimanë që e përdorin fenë për interesa politike. Ndërkohë që Kur’ani sqaron se Islami i sjell harmoninë njeriun. Islami është relaks për njeriun, prandaj, çdo gjë që kundërshtohet me këtë qëllim hyjnor është një akt kundër Zotit. Terrori, pa marrë parasysh a është ai individual apo shtetërorë, kurrë nuk ka sjellë lumturi dhe nuk mund t’i zgjidhë problemet. Dhuna gjithmonë është mëkat!
Ndryshe, ju jeni kryetar i “Forumit Islam në Mynih” dhe imam i xhamisë në Penzberg. Si funksionon një xhami në Gjermani?
Xhamitë në Gjermani janë formuar në baza etnike por disa edhe në baza ideologjike, gjë që është një fenomen negativ në historinë e myslimanëve. Shumica e objekteve e xhamive nuk janë në gjendje të lakmueshme. Gjenerata e re që është e lindur në Gjermani gjindet në periudhën e post-integrimit. Atyreve ju nevojitet xhamia që janë reprezentuese si dhe hoxhallarë që njohin gjuhën, rrethanat dhe situatën e vendit. Xhamitë nuk janë vetëm faltore, por vendet ku takohen njerëz të ndryshëm, burra dhe gra, të rinj dhe pleq, punëtorë të thjeshtë dhe akademikë, myslimanë dhe jomyslimanë; shkurt, ajo është një platformë ku prezantohet kultura islame. /tesheshi.com/