Nga Shkëlzen Rrecaj
Labinotë Demi-Murtezi, gruaja kurajoze nga Gjilani, ndoshta nuk e kishte menduar se do gjendej në një parlament si ky i tanishmi në Kosovë ku të vjen të përlotesh, jo vetëm nga gazi lotsjellës që lëshon opozita, por dhe nga degradimi i komunikimit demokratik që ka pësuar ligjërimi politik në Kosovë.
Znj. Demi-Murtezi për portalin tesheshi.com, ajo ka folur pikërisht për bllokadën në Kuvend, zënkën me deputeten Haxhiu, por dhe për rolin e saj aty, motivin bazë që e ka shtyrë të jetë kontribuese në politikë…
Znj. Demi- Murtezi, si po i përjetoni këto ditë të trazuara në Kuvendin e Kosovës?
Kjo bllokadë që po vazhdon e po bëhet gjithnjë më e ashpër, është me e keqja që mund t’i kishte ndodhur vendit tonë. Tentativa për t’i dëmtuar institucionet dhe krerët e tyre, veprimet jodemokratike në tempullin e demokracisë, janë një imazh i keq dhe shkak reale për t’i dëmtuar proceset në të mirë të vendit siç janë MSA-ja, anëtarësimi në UNESCO, liberalizimi i vizave në prag të të cilit jemi, etj.
Për mua dhe partinë time këto ngjarje janë të papranueshme. Ofendimet e rënda dhe dhuna fizike po bëhen gjëra rutinë në Kuvend, duke mos lënë hapësirë kohore dhe mundësi reale për të diskutuar.
Ju keni pasur një debat të nxehtë në korridoret e Kuvendit me deputeten e VV-së Albulena Haxhiu. Cc`ndodhi realisht?
Pas provokimeve të shumta në seancën plenare, ndjeja një përgjegjësi morale t’u them kolegëve të opozitës që të mos provokojnë të paktën ne si femra. Pas një takimi të rastësishëm në korridor me kolegen Albulena Haxhiu, edhe ia thashë atë që mendoja. Mirëpo kolegja ime jo vetëm që nuk më mirëkuptoi, por filloi me akuza e ofendime që më detyruan më pas të mendoj që nuk ia vlen.
Po flitet se po përgatiten trazira në Kosovë. Sa është e vërtetë kjo dhe cili është qëndrimi i PD-së?
Nuk dëshiroj të besoj asnjëherë se po përgatitën trazira me të mëdha se këto që po ndodhin në Kuvend. Partia e Drejtësisë vëzhgon ngjarjet me kujdes, ndërkaq veprimet tona përkojnë me programin e partisë sonë, me rregullat dhe ligjet e institucioneve të vendit, dhe mbi të gjitha ta ruajmë qetësinë dhe të japim kontributin tonë ashtu siç na takon. Për këtë rast PD edhe ka dhënë një deklaratë për media.
Pozita juaj është dhe paksa delikate aty, për shkak të statusit fetar vecc atij politik. Muslimane kokë e këmbë si i thonë, por që veproni në një shtet laik. Si ja bëni?
Përgjegjësia e secilit deputet është e madhe në esencë, për secilën femër është një barrë edhe me e rëndë, duke pasur parasysh obligimet që ka gruaja në shtëpi e në familje. Ndërkaq, shteti mbetet laik në udhëheqje, gjithçka funksionon në bazë të ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e Republikës. Mirëpo secili besimtar vazhdon punën dhe përditshmërinë e tij, qoftë ai musliman, i krishterë apo ortodoks, ngase këtë liri fetare për ta manifestuar edhe në publik ia garanton po kjo Kushtetutë.
Në zgjedhjet e fundit ju dolët si femra më e votuar brenda koalicionit “misioni i ri”, diccka që duhet t`ju ketë sadisfaksionuar patjetër…
Në zgjedhjet e fundit parlamentare unë isha femra më e votuar brenda koalicionit. Në atë listë të përbashkët nga 4 ose 5 parti politike, unë isha e teta për nga numri i votave në përgjithësi, ndërkaq si femër isha më e votuara. Po ashtu në atë listë kishte edhe ministra, edhe deputete me disa mandate, nuk ishte e lehtë të arrije me vota në atë stad.
Si janë marrëdhëniet tuaja me deputetët tjerë në parlamentin e Kosovës, me theks të veçantë me gjininë femërore?
Raportet e mia janë të mira më të gjithë në përgjithësi, pavarësisht gjinisë. Raporte të shëndosha, kolegiale, bashkëpunuese, duke përjashtuar seancat e sezonit vjeshtor.
Ju keni takime edhe me stafin diplomatik. A mund të na tregoni si janë marrëdhëniet me ta dhe si e vlerësojnë ata një deputete me mbulesë në kuvendin e Kosovës?
Nuk kam vërejtur asnjë lloj ndryshimi raportesh me mua në krahasim me deputetët tjerë, në asnjë aspekt. Çdo vend tjetër që ka ambasadorët dhe stafin e tyre diplomatik në Kosovë, e kanë ditur se Kosova ka një popullsi shumë etnike, shumë konfesionale, ndërkaq dominojnë shqiptarët muslimanë. Dhe është shumë e natyrshme që puna me qytetarët dhe me institucionet, të bien në kontakt edhe me njerëz që bindjet e tyre fetare nuk hezitojnë t’i publikojnë.
A mendoni se prezenca e juaj në Parlamentin e Kosovës, ka ndikuar që të ndryshohet ligji për shërbyesit civil ku edhe në sektorët tjerë është lejuar mbulesa, ku dihet fare mirë që edhe partia juaj ka pasur pikë në progresin elektoral?
Fatmirësisht që ligji për shërbyesit civilë po pastrohet nga disa te meta, siç ka qenë edhe kodi i veshjes. Konsideroj se prezenca ime, mbështetja ime me numër të konsiderueshëm të votave, ka reflektuar për sensibilizim dhe stabilizim të situatës, në sensin e të drejtave dhe lirive të njeriut, me theks të veçantë të lirive fetare.
Sa keni mbështetje nga shoqëria civile në Kosovë në punën tuaj, duke e pasur parasysh që je e vetmja deputete me mbulesë, ku edhe kushtetuesja i kushton mjaft rëndësi respektimit të drejtave të njeriut?
Nga pozicioni që kam, asnjëherë nuk jam diskriminuar që këtë çështje ta ngris duke iu referuar shoqërisë civile. Vazhdoj të takoj qytetarë dhe mbështetës çdo ditë, me të cilët ndaj mendime dhe përvoja për ngritje të çështjeve me rëndësi për qytetarët.
Ju keni patur qasje edhe si gazetare. Cili është mendimi i juaj për gazetarin e sotme?
Unë krahas shumë aktiviteteve tjera që kam pasur si nxënëse dhe studente, edhe gazetaria ka qenë një fushë të cilën e kam dashur dhe vazhdoj ta dua. Fatkeqësisht, gazetaria jonë nuk është ajo të cilën unë do ta dëshiroja, pa u futur në detaje.
Siç dihet, Partia e Drejtësisë ishte përcaktuese e dominimit të koalicionit “misioni i ri” në zgjedhjet e kaluara, cila do të jetë e ardhmja e PD-së dhe pozicioni i juaj në PD dhe hapat e ardhshëm, siç po flitet në opinion se PD-ja është duke ecur drejt një konsolidimi gjithnjë e më të fuqishëm?
Partia e Drejtësisë, parti me 16 vite në skenën politike kosovare, ka ruajtur vazhdimësinë e punës se saj bazuar në programin e partisë. PD ka votuesit e saj, njerëzit që përditshmërinë e tyre kanë programin e partisë në punë dhe profesion dhe kësisoj u mbetet besnike elektoratit të saj. Është e vërtetë që ne i kemi mundësuar avancimin me votë koalicionit “Misioni i Ri” krahas partive tjera, dhe vazhdojmë të jemi në koalicion.
Siç e dini, prof.dr. Ferid Agani tash udhëheq Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërkaq unë si deputete jam anëtare e komisionit për buxhet dhe financa.
Puna jonë e sinqertë, besnikëria në bashkëpunim dhe përkushtim për qasje sa me profesionale, po rezulton me përtërirje dhe interesim tek qytetarët për t ‘u bërë pjesë e programit tonë partiak./tesheshi.com/