Meqë jemi të përfshirë në debatin mbi rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, le të rikhehemi pak në vite për të folur mbi çmimin e bukës, rritjen e tij në në ’92, më drastiku dhe më shokuesi…
Si akund tjetër në Shqipëri, çmimi i bukës njohu një rritje më të lartë në Poliçan. Ishte vitit 1992, pak muaj pasi PD fitoi zgjedhjet e 22 marsit të këtij viti dhe nisi reformat ekonomike. Ato diktuan edhe rritjen e ndjeshme të çmimit të bukës. Një ndër qytet ku u protestua dhe jo vetëm për çmimin e bukës, ishte Poliçani.
Është një ndër ngjarjet e rëndësishme të historisë së tranzicionit ku PD-ja e ardhur rishtaz në pushtet, e shigjetoi Poliçanin si vend enverist, dhe, për atë qytet u duk se kishte sanksione specifike që nuk lidheshin vetëm me reformat e pashmangshme ekonomike.
Është koha e grevës së punëtorëve të Poliçanit e cila po kthehej në konflikt të ashpër me qeverinë dhe kur Ilir Meta, deputeti 22-vjeçar i “qytezës së kallashit” i mori në mbrojtje qytetarët e tij.
Ishte deputet i PS-së, dhe mes kaosit të krijuar nga qeveria e Berishës shkoi në Poliçan dhe doli në krye të tyre për t’i mbrojtur e për të kërkuar të drejtat që ata pretendonin se po iu shkeleshin nga qeveria e PD-së. Çështja shkoi në parlament pasi demokratët vendosën t’i heqin imunitetin Ilir Metës, duke cilësuar si nxitës të konfliktit të qytetarëve të Poliçanit me autoritete shtetërore, madje e akuzuan për terrorizëm.
Në debatet e asaj dite spikasin disa deputetë të PS-së që mbrojnë Ilir Metën. Të dy përmendin çmimin e rritur të bukës në Poliçan ndryshe nga çdo vend tjetër në Shqipëri. Ja çfarë thoshte Musa Ulqini në debatin për heqjen e imunitetit të kolegut të tij:
“Për t’i acaruar dhe më shumë punëtorët atyre nuk iu dha rroga për gjashtë ditë me radhë. Pikërisht gjatë këtyre ditëve që punëtorët ishin pa pagë, çmimi i bukës tregtohej në Poliçan me 360 lekë të vjetra, si në asnjë vend tjetër të republikës. Megjithatë, grevistët e Poliçanit u treguan gjakftohtë. Ata kërkuan nga organet përkatëse që për këto provokacione e padrejtësi të manifestonin më datën 25 gusht. Kjo kërkesë u vlerësua si e ligjshme dhe grevistëve iu dha leje nga organet përkatëse”., tha ndër të tjera Ulqini.
Qetësia dhe dashuria e Ilir Metës 25 vjet më parë
Një tjetër deputet i majtë që mbrojti Ilir Metën, ishte edhe Adem Zyberi. Tek fjalimi i tij mund të gjejmë edhe rrënjët e “dashurisë dhe qetësisë” së Ilir Metës. Me sa duket në fjalimin e Zyberit, versioni i parë i kësaj shprehje unike të Ilir Metës, kishte qënë “Me qetësi dhe maturi”. Ja çfarë thoshte Adem Zyberi, i cili ashtu si Musa Ulqini evidenton faktin e çmimit të ekzagjeruar të bukës në Poliçan në raport me qytetet e fshatarat e tjera të Shqipërisë.
“Të gjithë jemi në dijeni se populli i Poliçanit u hodh në grevë, për arsye se kërkesat ekonomike drejtuar gjithë instancave, megjithëse ishin pranuar si të drejta, nuk ishin zgjidhur. Kjo revoltë paqësore që synonte zgjidhjen e kërkesave ekonomike, u politizua në atë masë nga Qeveria dhe Radiotelevizioni, sa një popull u etiketua enverist, komunist, socialist…”
Dhe deputeti Ilir Meta u cilësua organizator dhe terrorist. Duhet ditur se socialistë ka kudo në Shqipëri, por Poliçani doli në rrugë jo se ishte socialist, por se ishte pa bukë dhe të gjithë e dinë se mungesa e bukës në familje është kufiri i fundit i durimit. Fakte për të vërtetuar ka plot, bile një pjesë e tyre u publikuan dhe nga ministrat Safet Zhulali dhe Bashkim Kopliku në një seancë parlamentare.
Cili ishte qëllimi dhe kush mbajti përgjegjësi nga Ministria e Mbrojtjes, që punëtorëve të kombinatit iu dërguan me një javë vonesë rrogat dhe nuk iu zgjidhën kërkesat e paraqitura?
Përse popullit të Poliçanit iu shit buka më shtrenjtë se kudo në republikë, në një kohë që ata ishin pa rrogë?
Punëtorëve u premtohet emigracioni dhe punësimi i organizuar në Evropë. Në fakt, në Evropë dhe në botë shkojnë e vijnë qeveritarë dhe parlamentarë, kurse punëtorët nxirren në asistencë. Për zgjidhjen e problemeve dhe halleve të shumta që ka populli, ai kërkoi bisedime me Qeverinë dhe qeveritarët. Dhe ata, në vend të dialogut, mobilizuan ushtrinë dhe policinë për të rrethuar qytetin dhe popullin e tij. Kurse dy strategët e mëdhenj ushtarakë, zotërinjtë Zhulali dhe Kopliku drejtuan nga ajri operacionin që zhvillohej në sheshin e qytetit midis policisë dhe popullit. Besoj se të gjithë e kuptojnë se sa revoltuese janë qëndrime të tilla për popullin dhe sidomos për atë të Poliçanit, i cili e shikon veten pa perspektivë punësimi dhe për momentin, pa përkrahjen e Qeverisë. Në një situatë të tillë të acaruar, vajti atje deputeti i zonës, Ilir Meta, i cili i foli popullit për qetësi dhe maturi, duke ndikuar drejtpërdrejt për qetësimin e gjendjes”.
Kështu pra, rritja e çmimit të ujit në Tiranë, na çoi drejt zbulimit të faktit se “qetësia dhe dashuria” e Ilir Metës datokan më herët, dhe se ai qenka cilësuar deri dhe “terrorist” nga kampi i Berishës. /tesheshi.com/