Nga Blendi Gashi
Prezantimi i Kosovës në nismat rajonale me fusnotë vazhdon të shkaktojë përplasje në politikën kosovare.
Ndonëse kanë ikur saktësisht pesë vite që kur ministrja për dialog, Edita Tahiri, deklaroi se “fusnota është si fluskë bore që kalon pas dimrit,” me ç’rast paralajmëroi atë kohë heqjen e shpejtë të fusnotës mbi emrin e Kosovës, një gjë e tillë as sot nuk ka ndodhur.
Fusnota çuditërisht sot dha dy efekte. Përveç asaj të pritshmes, pra, përplasjes mes deputetëve, si kurrë më parë arriti t’i bëjë “një” pozitë e opozitë, ndërsa në gjithë këtë “lëmsh” mungoi njeriu kryesor i fusnotës, ministrja Tahiri.
E gjithë kjo ndodhi pas debatit “pro et contra” që u zhvillua për ratifikimin e projektmarrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Pas një debati mbi dy orësh nga ligjvënësit, ky projektligj u hodh në votim, por nuk kaloi, pasi mori vetëm 70 vota derisa nevojiteshin 80.
Kjo gjë e nervozoi kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i cili kërkoi pauzë për, siç tha, bërjen e një deklaratë në bazë të së cilës do të mund të arrihej pajtimi i të gjitha partive për ta votuar këtë marrëveshje dhe për fusnotën.
Dhe si rrallëherë, pushimi doli të jetë i suksesshëm, pasi pozita e opozita pas përçarjes u bashkuan për herë të parë për fusnotën. Kuvendi, me 80 vota pro dhe 5 kundër, miratoi deklaratën e harmonizuar nga gjashtë grupet parlamentare lidhur me çështjen e prezantimit, gjegjësisht lidhur me çështjen e përdorimit të fusnotës, ku Kuvendi e njeh Kosovën vetëm me emrin Republika e Kosovës.
Pas votimit të kësaj deklarate, opozita i dha votat për projektmarrëveshjen për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, e cila u votua me ngritje duarsh të deputetëve.
Por ja si u përplasën pozita e opozita para dakordimit…
Para se të arrihej “pajtimi” mes mazhorancës dhe opozitarëve, ndodhën jo pak përplasje.
Derisa pozita kërkonte votën që kjo marrëveshje të kalojë, pasi pohonte se në të kundërtën izolohet shteti, opozita këmbëngulte se me veprime të tilla po vihet në pikëpyetje esenca e vetë shtetit.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, disa herë mori fjalën, duke kërkuar nga deputetët t’i thonë “Po” marrëveshjes, për të cilën tha se është në interes të vendit, por thirrjet e tij nuk dhanë rezultat.
Hoxhaj i siguroi ligjvënësit se votimi i kësaj marrëveshjeje nuk e cenon integritetin dhe sovranitetin e vendit, pasi selia e këtij fondi do të jetë në Tiranë. Ai theksoi se projektmarrëveshja për Fondin e Ballkanit Perëndimor ka të bëjë me arsimin e lartë, me hulumtimet shkencore dhe kulturën në mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.
“E kundërshtojmë çdo tendencë për interferim diplomatik nga Serbia. Shtetet kombe do të mbesin ato që janë,” tha Hoxhaj.
Në krah të ministrit të Jashtëm doli edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila tha se nëse projektligji nuk votohet, atëherë Kosova izolohet nga nismat rajonale.
“Nëse nuk votohet kjo marrëveshje, alternativa tjetër do të jetë izolimi i Kosovës në këto nisma,” deklaroi ajo.
“S’e votojmë…”
Ndaj deklarimeve të ministrit Hoxhaj reagoi deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, i cili kërkoi nga ai që të mos e hedhë topin kah deputetët për marrëveshjet e bëra nga ekzekutivi në mënyrë të papërgjegjshme. Ai tha se vendosja e fusnotës për Kosovën në marrëveshjet me Shqipërinë është veprim i papërgjegjshëm.
“Është një gabim dhe papërgjegjësi totale. Fluska e Edita Tahirit nuk po duket se po mbetet vetëm fluskë, nuk jemi kundër marrëveshjeve por kundër fusnotës,” u shpreh Haradinaj, duke diskutuar për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.
Deputeti Haradinaj ka thënë gjithashtu se AAK-ja nuk është kundër marrëveshjeve të ndryshme, por, sipas tij, këto marrëveshje duhet të mendohen dhe të analizohen mirë.
“Mos e hedhni topin nga deputetët, përndryshe derisa ju bëni marrëveshje të papërgjegjshme e keni votën kundër,” ka përfunduar Haradinaj
Ndërsa deputeti i Vetëvendosje-s, Glauk Konjufca, deklaroi se me marrëveshjen ku Kosova paraqitet me fusnotë po kërkohet që vendi ynë të jetë shteti i 114-të që e ka njohur Kosovën. Ai theksoi se fusnota nuk duhet të jetë për aspekte të brendshme.
“Kur e keni lidh koalicionin e elefantëve, keni thënë se keni 86 vota, tash pse gjithë kjo lutje për votat e opozitës. Fusnota mund të jetë për bashkësinë ndërkombëtare, për serbët, por jo për institucionet e Kosovës,” tha ai.
Konjufca shtoi se nëse doni votën e opozitës, atëherë Kuvendi i Kosovës duhet të dalë me një deklaratë që nuk e njeh fusnotën për aspektin e brendshëm, çka edhe ndodhi pas pauzës.
Edhe deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha, dha vërejtjet për preznatimin me fusnotë e jo si shtet, derisa tha se partia e tij nuk do ta votojë këtë marrëveshje.
Për çështjen në fjalë foli edhe deputeti i pavarur Ilir Deda, i cili tha se duhet të votohet projektmarrëveshja për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor për aq kohë sa kjo përkon me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës. /tesheshi.com/