Policia malazeze iu përgjigj me gaz lotsjellës turmës së protestuesve të mbledhur në qendër të Podgoricës mbrëmjen e djeshme, e që kërkonte dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Milo Xhukanoviç, si dhe zgjedhje të reja.
Po dje, më herët, policia hoqi çadrat e protestuesve antiqeveritarë, të vëna prej javësh në rrugën qendrore të kryeqytetit të vendit.
Gjatë përplasjes së mbrëmshme u ndaluan 11 persona, mes të cilëve dhe dy deputetë të Frontit Demokratik, ndërsa, në krahun tjetër, gjashtë policë u lënduan lehtë.
Kundërshtarët e qeverisë e akuzojnë atë për sundim autoritar dhe për përdorim të presionit kundër tyre.
Partia kryesore e opozitës kërkon krijimin e një qeverie të përkohshme, të ngarkuar me organizimin e zgjedhjeve të njëmendta.
Milo Xhukanoviç u rizgjodh sërish kryeministër pas zgjedhjeve të 14 tetorit 2012, dhe prej shumë vitesh është në qendër të politikës malazeze. Ai ka qenë dhe president i vendit në periudhën 1998-2002.
Dorëheqja e tij u kërkua dhe në fund të shtatorit, kur mijëra protestues vërshuan në rrugët e Podgoricës në mbështetje të opozitës. /tesheshi.com/