Kush do udhëtojë këto ditë rrugëve të Shqipërisë, duhet ta dijë se ato do jenë plot patrulla policore, disa të destinuara për shkeljet rrugore e disa për kontrolle.
Është parathënë kjo në një komunikate të Policisë së Shtetit, ku janë renditur masat e shtuara, në kuadër një situate “gadishmërie”, për festat e fundivitit.
“Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore nacionale, qytetase dhe ndërqytetase, në përdorimin e mjeteve logjistike si radarë e dragera, për parandalimin e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo me shpejtësi mbi normat e lejuara, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore;
Shtimi i kontrollit të automjeteve, në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët e strukturave kufitare fqinje apo ato ndërkombëtare, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, është menduar që në pikat e kalimit kufitar, për aq sa i takon palës shqiptare, të mos ketë radhë.
“Krijimi i lehtësirave në pikat e kalimit të kontrollit kufitar, brenda kuadrit rregullator, në rast se do ketë fluks në hyrje, duke shtuar burimet njerëzore dhe infrastrukturën, si dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare”. /tesheshi.com/