Binali Jëlldërëm, kryeministri i Turqisë, ka shfrytëzuar sot një aktivitet për të deklaruar se prania e trupave turke në kampin në Bashika në Irak do të vazhdojë për të garantuar mosndryshimin e demografisë në rajon, si dhe për të rinisur luftën ndaj ISIS-it.
Çështja e trupave turke në Bashika ka marrë përmasat e një krize, ndërsa Iraku i kërkoi OKB-së një takim të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar mbi këtë.
Parlamenti irakian po ashtu u shpreh të martën përmes një deklarate të shkruar se nuk e pranonte praninë ushtarake turke në Bashika.
Jëlldërëm tha gjatë aktivitetit të sotëm se Iraku po i kalonte caqet duke folur keq për Turqinë, ndërkohë që po i mbyllte sytë ndaj pranisë së vendeve të tjera që nuk kanë punë në rajon.
“Reagimi i Irakut ndaj pranisë ushtarake të Turqisë në bazën ushtarake në Bashika, në veri të Mosulit, është i pakuptueshëm. Iraku po harxhon kohën duke u kapur pas pranisë së Turqisë në Bashika, kur atje ka trupa nga 63 vende të ndryshme për të luftuar ISIS-in dhe organizatat e tjera terroriste,” u shpreh ai.
Ministria e Jashtme turke thirri dje ambasadorin irakian në Ankara, e të njëjtën gjë bëri dhe Ministria e Jashtme irakiane, duke thirrur ambasadorin turk në Bagdad.
Milicia shiite irakiane, Hashdu’sh-Shabi, ka kërcënuar se do t’i sulmojë trupat turke nëse ato nuk tërhiqen nga Iraku. Një klerik shiit, Kasim et-Tai, ka lëshuar një fetva po ashtu të dielën e kaluar, duke u kërkuar irakianëve të luftojnë kundër trupave turke, e duke e quajtur këtë një detyrë fetare e morale.
Një analist i çështjeve të Lindjes së Mesme, Taha Këllënç, e ka parë këtë si një paqyrim të qëndrimit e interesave iraniane në rajon. Sipas tij, Turqia nuk duhet t’i marrë seriozisht komentet e qeverisë irakiane, por duhet të ketë një strategji kundër axhendës iraniane në rajon. /tesheshi.com/