Kriza politike nëpër të cilën po kalon Kosova mund të ketë pasoja edhe në aspektin ekonomik, konkretisht tek investitorët potencialë, që ndoshta e kanë parë Kosovën si mundësi për të investuar. Bllokimi i Kuvendit të Kosovës dhe përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës janë një sinjal negativ për investitorët e huaj.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, Kosova ka probleme të mëdha, duke përfshirë ato ligjore e burokratike, për të siguruar investime të huaja, ndërsa kriza politike krijon një imazh edhe me të keq, pasi investitorët seriozë nuk i rrezikojnë paratë e tyre në një vend ku ka kriza politike dhe paqëndrueshmëri institucionale. Kjo për faktin se vitin e kaluar Kosova u përball me një krizë tjetër institucionale, ndërsa për gjashtë muaj nuk u krijua qeveria e re.
Pavarësisht situatës së fundit, ka plot faktorë tjerë që kanë ndikuar në imazhin e keq të Kosovës, si korrupsioni, ryshfeti, haraçi, e një sërë dukurish të tjera negative. Si pasojë e këtyre rrethanave, që nga viti 2007 ka rënie të investimeve të huaja.
Investimet e huaja direkte në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, kanë shënuar rënie të mëdha. Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës në lidhje me zhvillimin makroekonomik, investimet e huaja direkte të pranuara në Kosovë në periudhën janar-qershor 2014 shënuan vlerën prej 38.9 milionë euro, që është për 110.1 milionë euro më ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjithashtu, investimet e rezidentëve të Kosovës në vende të tjera ishin dukshëm më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, dhe arritën vlerën 1.5 milionë euro. Në të njëjtën kohë, nuk ka parashikime optimiste as për vitin ku gjendemi.
Bllokimi i Kuvendit është sinjal i keq për investitorët potencialë
Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, deklaron për tesheshi.com se gazi lotsjellës dhe dhuna në Kuvendin e Kosovës janë sinjali më i keq që dërgojmë tek partnerët ndërkombëtarë dhe investitorët potencialë.
Ai thotë se fatkeqësisht Kosova nuk po mundet të formësojë një traditë të krijimit të një konsensusi nacional për projekte strategjike.
“Aktualisht Kosova ndodhet para finalizimit të dy kontratave të mëdha në aspektin e investimeve të jashtme; është fjala për termocentralin e ri dhe Brezovicën. Dhuna në Kuvend tregon paqëndrueshmëri politike, si dhe hezitim tek investitorët e jashtëm. Vitin e kaluar ne kishim një bllokadë institucionale, dhe ajo krizë po reflektohet edhe sivjet në ecuritë makroekonomike,” thotë Gashi.
Ai sugjeron që të gjitha partitë parlamentare t’i kenë parasysh pasojat ekonomike që mund të shkaktojë ky bllokim, dhe se duhet që sa më parë të gjejnë zgjidhjen më të mirë dhe të krijohet një stabilitet institucional, i cili është i domosdoshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Sa më shpejt që të gjendet një zgjidhje për problemet politike, aq më mirë do të jetë për inkurajimin e investimeve të huaja,” theksoi profesor Gashi.
Kriza politike e rrit perceptimin negativ për Kosovën
Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se kriza politike aktuale shkakton parregullsi në të gjitha sferat e jetës, edhe në aspektin ekonomik, andaj pozita dhe opozita duhet t’i kthehen dialogut dhe ta çojnë vendin drejt integrimit ekonomik evropian.
“Republika e Kosovës ka përjetuar lloj-lloj krizash politike e ekonomike. Gjykata Kushtetuese pati shkarkuar presidentët Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli për shkak të shkeljeve të bëra, pastaj kemi destabilizimin e veriut të vendit nga strukturat paralele serbe, vrasjen e policit Enver Zymberi, kontrabandën me derivate dhe produkte të tjera. Po ashtu janë edhe demonstratat me kërkesën për shkarkimin e ministrit serb të Qeverisë së Kosovës, Jabllanoviçit, pasi ky i kishte ofenduar nënat gjakovare, si dhe, së fundmi, vjen dhe bllokimi i punës në parlamentin e vendit nga opozita, madje dhe përdorimi i vezëve dhe gazit lotsjellës, si kundërshtim i marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi,” ka thënë Beqiri, duke shtuar se kjo ka bërë që Kosova të jetë e pasqyruar në mediat ndërkombëtare si shtet i destabilizuar. Thirrjet e opozitës për rrëzimin e qeverisë me anë të demonstratave po i trembin investitorët potencialë, shpjegon ai.
Sipas tij, investitorët e huaj kanë perceptim negativ për Kosovën, e janë shumë faktorë që kanë ndikuar te krijimi i këtij perceptimi. Perceptimi negativ krijon vështirësi të mëdha në investime, sepse askush nuk investon dhjetëra apo qindra miliona në një vend ku nuk ka siguri të plotë.
“Ligji aktual për investime nuk është i favorshëm për investitorët e huaj, andaj institucionet përkatëse duhet që shumë shpejt të hartojnë politika të përshtatshme për investime. Pastaj mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e mbështetjes institucionale, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pa favorshme fiskale, janë disa prej pengesave që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi, ose të mos vijnë fare, ndërsa kriza të tilla politike vetëm sa ndikojnë negativisht edhe më shumë,” u shpreh Beqiri.
Investimet e huaja direkte janë shumë pozitive, sepse krijojnë mundësinë për rritjen e punësimit dhe rritjen e GDP-së në ekonominë e Kosovës. Po ashtu, krijojnë mundësinë që ta zvogëlojnë importin dhe ta rrisin eksportin, gjë që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës. /tesheshi.com/