Partia Demokratike sapo ka përfunduar zgjedhjen e Kryesisë së re dhe drejtuesve të rinj të strukturave drejtuese, duke ngacmuar dhe një debat mbi llojin e partisë që po ofron, nisur nga produkti i ri njerëzor në raport me atë tradicional dhe cilësinë politike. Megjithatë, një dimension mbetet i pandryshuar te PD, ashtu siç në dilemën e madhe të nisjes së mendimit filozofik botëror, se “ç’nuk ndryshon në ndryshueshmërinë e gjërave”. Ai është Sali Berisha, si i pandryshuar vetë qëkurse ia behu nga mjekësia në politikë, dhe gjithashtu i pandryshuar në raport me PD, partinë, për dikë të themeluar e për dikë tjetër të aneksuar prej tij, në Dhjetorin ’90.
Basha, edhe pse vetë kryetar de jure, nuk ka mundur dot, më saktë mbajtur me plot dëshirë, a ndryshe as që ka guxuar të kontestojë kreun historik të partisë, si një kryetar de facto. Dhe realisht, PD ka dy kryetarë, gjersa që të dy janë po aq të pranishëm në media, e gati-gati me të njëjtin intensitet në ligjërimin politik. Është po ky ligjërim që shërben si ilustrim i faktit që Berisha vijon të jetë fryma e vërtetë e PD-së. Në lidershipin e kësaj partie, me Bashën të parin, mendohet si Berisha dhe flitet si Berisha. Ndaj dhe PD vuan nga një krizë të thellë besimi, sepse nuk është e aftë të suprizojë me të renë, me të ndryshmen, me një tjetër etikë e brum politik, duke mbetur po ajo që publiku e njeh dhe që për më tepër e ka provuar. Dhe ajo që shfaqet si e re në moshë, duke patur si mishërim dhe Bashën, është peng, a më saktë imituese e tabiateve të së vjetrës, mishëruar nga Berisha. Ky i fundit është i lindur për të qenë një akuzator, por kursesi një ofertues, më saktë një ndërtues. Kështu dhe Basha, kështu dhe PD.
Dhe këtu është rasti të kujtohet se krejt e kundërta ndodhi në PS me humbjen e Nanos në 2005-ën e marrjen e partisë nga Rama në 2006-në. Ky i fundit, publikisht, e goditi modelin Nano në qeverisje. Ja njohu disa merita, ia vlerësoi disa tipare, por u tregua i pakursyer në kritika. Ruajti etikën njerëzore ndaj Nanos, por ia pamundësoi që dhe president të bëhej. Për Ramën, epoka Nano përfundoi në 2005-ën dhe ai nuk kishte më ç’të jepte. As si president.
Por ndërsa u shkëput nga modeli Nano dhe bëri që dhe ai të shkëputej prej ambicieve të mëtutjeshme politike, me bindjen se themeluesi dhe formësuesi historik i PS-së kish lënë pas një model të dështuar, Rama nuk e goditi të gjithë enturazhin e tij. Disa emra në PS sot, ku veçojnë Ruçi apo Balla, për momentin në kupolën e lartë të mazhorancës, janë një trashëgimi njerëzore nanoiste. Por është fakt se PS sot ka fytyrën e Ramës dhe nanoizmi është thjesht muzeal.
Koha e do që dhe PD të kishte fytyrën e Bashës (nëse e ka një origjinale), pasi Berisha, me gjuhën e kohës, të së djeshmes, së tashmes e së ardhmes, është një epokë e mbyllur, me sukseset apo dështimet veta.
Mjaft të thuhet se Shqipëria nuk mundi e nuk po mundet të bëhet me akuza; ajo do të bëhej e do mund të bëhet me ide e moral, dy dimensione që nuk pati i kurrë. Siç dhe Nano. /tesheshi.com/