Njerëzit e kanë të obliguar ta njohin vendin ku jetojnë, edhe në ato “skuta” në dukje jashtë interesit, siç janë resurset natyrore të tipit florë dhe faunë. Sepse nga njohja, shtohet dashuria për vendin, kujdesi për të, kujdesi për jetën, të ardhmen. Sa e njohin banorët e Kosovës vendin e tyre, çka bart ai në gjirin e natyrës? Ndoshta shumë pak. Dhe për këtë flet intervista e mëposhtme me z. Qenan Maxhuni, ekspert i biodiversitetit….
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Maxhuni, cilat janë çështjet me të cilat merret Instituti ku punoni?
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN) është institucioni qendror për ruajtjen e natyrës dhe monitorimin e gjendjes së vlerave të mbrojtura natyrore në Kosovë. IKMN është trashëgimtar i Entit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ambientit (EKMNA) i themeluar me 1974. Pas luftës së fundit, EKMNM regjistrohet me emërtimin “Instituti për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ambientit të Kosovës” e me vonë si Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës – IKMN.
Në vitin 2001 me formimin e organeve qeverisëse të Kosovës, formohet edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ku IKMN bëhet pjesë e kësaj ministrie, ndërsa në vitin 2006 me themelimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ai kalon si njësi e këtij agjencioni në kuadër të së cilit vepron tani edhe atë me një staf prej vetëm dy zyrtarëve.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës në kuadër të veprimtarisë së vet, kryen punët profesionale në mbrojtjen e natyrës që kanë të bëjnë me: monitorimin e gjendjes së larmisë biologjike dhe peizazheve si dhe propozimin e masave për mbrojtjen e tyre, hartimin e bazave afatgjata profesionale të mbrojtjes për llojet e bimëve, shtazëve, tipave të vendbanimeve dhe peizazheve, menaxhimin me zonat e mbrojtura dhe shfrytëzimin e të mirave të natyrës, hartimin e raporteve për gjendjen e natyrës, pjesëmarrje në zbatimin e akteve ndërkombëtare në mbrojtjen e natyrës etj.
Sa është e pasur Kosova me bimësi dhe kafshë të egra?
Ndonëse Kosova është një vend i vogël, shquhet për një biodiversitet mjaftë të pasur. Pozita e saj gjeografike, faktorët gjeologjikë, pedologjikë, hidrologjikë, relievi dhe klima kanë mundësuar që Kosova të ketë një diversitet mjaft të pasur biologjik dhe peizazheve, ku vlen te theksohet prania e llojeve të rralla dhe me rëndësi të veçantë.
Në aspektin e shumëllojshmërisë floristike dhe faunistike në veçanti me lloje bimore endemike, relikte dhe endemorelikte veçohen Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Pashtriku, Koritniku, Shala e Bajgorës duke mos lënë anash edhe pjesën qendrore të vendit.
Edhe përkundër hulumtimeve nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, ende nuk është bërë një inventarizim i biodiversitetit si dhe nuk dihet numri i saktë i taksoneve bimore dhe shtazore në Kosovë. Sipas shënimeve të autorëve të ndryshëm, mendohet së në Kosovë janë prezent nga 2.700 -3.000 lloje të florës vaskulare si dhe rreth 300 lloje të kurrizorëve, mbi 200 lloje të fluturave dhe shumë lloje tjera të jokurrizorëve, posaçërisht insekteve.
A ka specie “autoktone” në vendin tonë, e të cilat nuk gjenden tjetërkund?
E thamë edhe më lartë se vendi ynë shquhet për një biodiversitet të pasur ku vlen përmendur llojet bimore që rriten vetëm në vendin tonë. Në kuadër të llojeve të hulumtuara rreth 200 sosh janë endemike, endemorelikte dhe subendemike. Sidomos është i rëndësishëm grupi i endemikëve lokal – llojeve autoktone të cilat gjenden vetëm në vendin tonë e ku numri i tyre është ende i padefinuar plotësisht. Prej këtyre llojeve vlen të veçohen bimët vaskulare si: Cynoglossum krasniqi, Cerastium neoscardicum, Plantago dardanae, Tulipa kosovarika, Tulipa luanica, mandej llojet e insekteve si Bathyscidius comottiorum, Neelus klisurensis, ato më të reja të zbuluara siç janë Chaetopteroides kosovarorum dhe Drusus dardanicus etj.
Duke pas parasysh se hulumtimet e mirëfillta në vendin tonë janë ende të pakta, mendoj se me angazhimin serioz të ekspertëve, duke llogaritur edhe në përkrahjen institucionale, kjo listë me lloje të reja do të ishte edhe më e madhe.
Cilat janë karakteristikat e florës dhe faunës në Kosovë?
Vendi ynë karakterizohet me florë dhe faunë heterogjene, endemike dhe shumë interesante. Kjo pasuri natyrore është edhe rezultat i ndikimeve të shumta të regjionit mesdhetar, euro-siberian dhe atij nordiko-alpin si dhe i ndryshimeve të shpeshta të kushteve ekologjike në të kaluarën.
Kryesisht në territorin e masiveve malore të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna mund të gjenden lloje të bimëve dhe shtazëve që janë mjaft të rralla, jo vetëm për rajonin e Ballkanit por edhe më gjerë. Shumë prej këtyre llojeve janë relikte, endemike, të kërcënuara nga zhdukja dhe për këtë arsye gjenden jo vetëm në Listën e Kuqe kombëtare por edhe në listat dhe Konventat ndërkombëtare. Disa herë ka rastisur që hulumtues të huaj, kanë ardhur në ekspedita të ndryshme hulumtuese në Kosovë duke u kthyer me material i cili ka rezultuar me lloje të reja për shkencë.
Në kuadër të florës mjaft të pasur, veçohen 323 bimë endemike. Krahasuar me sipërfaqen që ka Kosova në kuadër të Gadishullit Ballkanik (afër 2.3%), mund të themi se fitodiversiteti ynë paraqet rreth 25 % të florës së Ballkanit dhe rreth 18 % të florës së Evropës.
Llojet më të rëndësishme drunore janë endemoreliktet si rrobulli (Pinus heldreichii) dhe arneni (Pinus peuce), si dhe rreth 20 lloje të bimëve stenoendemike.
Llojet më të rëndësishme të kurrizoreve të mëdhenj janë: ariu i murrmë (Ursus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), rrëqebulli ballkanik (Lynx lynx ssp. balcanicus), kaprolli (Capreolus capreolus),pulegra e madhe (Tetrao urogalus), shqiponja perandorake (Aquilla heliaca), shqiponja e maleve (Aquila chrysaetos) etj.
Ekzistojnë disa lloje shumë të rralla bimësh dhe kafshësh të pranishme në vendin tonë e që padyshim janë thesar i natyrës sonë. Çfarë qasje duhet patur ndaj këtyre llojeve?
Larmia e gjallesave dhe habitateve paraqet bukuri natyrore e cila shton kureshtjen për të, e zgjon shijen e së bukurës, shton vlerat autoktone etj. Ne duhet të mburremi me thesarin e natyrës sonë, kësaj dhurate nga Zoti, ku veçohen shumë lloje të rralla të bimëve dhe kafshëve të egra që mbartin vlera të jashtëzakonshme estetike, kulturore, edukative e turistike të cilave duhet kushtuar rëndësi më të madhe. Si pjesë e kësaj natyre, njeriu duhet respektuar të drejtën e të gjitha qenieve të gjalla për të jetuar dhe për t`ua lënë gjeneratave të ardhshme një natyrë edhe më të pasur se ajo që kemi trashëguar. Kujdesi ndaj saj nënkupton përgjegjësinë për çdo hap të ndërmarrë, meqenëse mbijetesa e këtyre vlerave varet shumë nga kujdesi ynë për të. Ështe i njohur fakti se shkatërrimi i natyrës dhe biodiversitetit ka si “kundërefekt hakmarrjen” e saj në mënyrë adekuate. Duhet të jemi shumë krenarë me të dhe të punojmë edhe më shumë në njohjen dhe ruajtjen e vlerave natyrore, sepse njeriu është armik i të panjohurës, andaj sa më shumë e njohim natyrën dhe vlerat e sajë aq më shumë do ta duam atë.
Cilat janë speciet e zhdukura dhe të rrezikuara në gjeografinë tonë?
Sipas hulumtimeve të fundit, zhdukjet e llojeve të kafshëve dhe bimëve në të kaluarën kanë qenë shumë më të ngadalta se sa tani. Këto lloje tani zhduken gati dhjetë herë më shpejt se sa mendohej me parë.
Vendi ynë në përgjithësi i ka ruajtur vlerat e veta natyrore dhe, fatmirësisht së bashku me disa shtete fqinj ndajmë një pjesë të natyrës ende të paprekur. Mirëpo në vitet e fundit nga veprimi i pandërgjegjshëm i faktorit njeri disa lloje bimore e shtazore janë zhdukur përgjithmonë, disa janë para zhdukjes, ndërsa sipërfaqe të mëdha pyjore janë degraduar ose janë në rrezik të vazhdueshëm të degradimit.
Nuk ka ende ndonjë të dhënë të saktë shkencore se sa lloje bimore dhe shtazore figurojnë të zhdukura deri më tani në Kosovë, mirëpo sipas disa shënimeve nga autorë të ndryshëm llogariten se janë disa sosh. P.sh., deri në fund të viteve të`80-ta, në masivin e Gërmisë ishte prezent lloji endemik i Ballkanit – ngjitësja e Mateit (Galium mattei), por në fund të viteve të `70-ta është vërtetuar si e zhdukur nga aktivitetet e faktorit njeri. Lloje të zhdukura bimore llogariten që janë edhe: zhabinorja drapërore (Cerathocephala falcata), gështalla e gardheve (Calystegia sepium), bari i uzos (Dictamnus albus), lulengjitësja me kurorë (Lychnis coronaria), polistiku heshtak (Polystichum lonchitis) etj.
Kafshë të rralla si rreqebulli, kaprolli, shqiponja e maleve, gjeli i egër por edhe lloje të ndryshme peshqish, amfibesh, repitlesh etj. rrezikojnë të zhduken nga dita në ditë nga ekosistemet e tyre si pasojë e humbjes dhe fragmentimit të habitateve, gjuetisë së pakontrolluar dhe pa kritere e sidomos gjatë periudhës së riprodhimit, degradimit të ekosistemeve, shpyllëzimit, zhvillimit të bujqësisë intensive etj. të cilët janë faktorët kryesorë të zhdukjes së këtyre llojeve të kafshëve. Llojet si shkaba mjekroshe (Gypaetus barbatus), coftinari (Gyps fulvus) dhe disa lloje tjera tani më llogariten të zhdukura në Kosovë.
Në bazë të hulumtimeve është vërtetuar se në rrezik të zhdukjes janë edhe shumë lloje tjera bimore dhe shtazore. Për shkak të këtij rreziku, pjesa më e madhe e llojeve të kërcënuara bimore tani më janë pjesë e Librit të Kuq gjegjësisht Listës së Kuqe të florës vaskulare të Kosovës e po ashtu këtë vit pritet të fillojë edhe projekti për hartimin e Librit të Kuq te faunës, në kuadër të një projekti të përbashkët mes Universitetit të Prishtinës dhe Institutit për Mbrojtjen e Natyrës që nënkuptohet se ato tani më do të mbrohen me ligj.
Sa bëjnë institucionet e vendit për ruajtjen e këtyre llojeve?
Përkundër gjendjes jo të favorshme në të cilën gjendet natyra dhe vlerat e saj, orientimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve të saja kompetente është që të intensifikojë përpjekjet për ruajtjen dhe konservimin e këtyre vlerave të rralla natyrore përmes hartimit të politikave efikase për mbrojtjen e natyrës, rritjes së sipërfaqes të zonave të mbrojtura, ngritjes së cilësisë në menaxhimin e këtyre zonave, mbrojtjen e llojeve të rralla bimore dhe shtazore, mbrojtjen e pyjeve etj. Me këtë përmbushim obligimin që pasardhëse t`iu lëmë në trashëgim një natyrë po aq të pasur e të larmishme siç e kemi trashëguar nga paraardhësit tanë dhe gjithashtu t`iu japim rastin t’i shijojnë vlerat e rralla natyrore të Kosovës.
MMPH pothuajse ka përmbushur kuadrin ligjor përmes hartimit të ligjeve dhe udhëzimeve administrative, strategjive,planeve hapësinore dhe dokumenteve tjera strategjike me të cilat rregullohet mbrojtja e natyrës dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i saj. Shpallja e afërsisht 11 % të territorit të vendit zonë e mbrojtur vlerësohet si një nga objektivat më të rëndësishme të arritura me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të biodiversitetit të Kosovës e që në të ardhmen kjo sipërfaqe pritet të jetë edhe më e madhe.
Një koordinim më i mirë midis institucioneve përgjegjëse si dhe atyre shkencore mund dhe duhet të jetë synim që duhen ndjekur dhe zhvilluar në të ardhmen me qëllim të inventarizimit, monitorimit dhe menaxhimit sa më të mirë të biodiversitetit.
A konsiderohet humbja e biodivesitetit problem global?
Humbja e biodiversitetit përbën aktualisht një ndër problemet më të mëdha në botë. Është vlerësuar se trendi i kërcënimit të ekosistemeve natyrore do të paraqes rrezik për të ardhmen e njerëzimit dhe mund te sjell pasoja shumë të rënda në natyrë.
Sipas të dhënave më të reja shkencore, që nga vitit 1992 kur u mbajt Samiti i Rios, rreth 12 % e mjediseve të paprekura në botë janë ndryshuar nga faktori njeri. Supozohet se vetëm në 50 vitet e fundit, veprimet e njeriut kanë ndryshuar diversitetin e jetës në planet me tepër se çdo etape tjetër e historisë së njerëzimit.
Të dhënat e fundit flasin se vetëm në 100 vitet e fundit, zhdukja e llojeve e shkaktuar nga njeriu është shtuar rreth 1000 here. Rreth 23 % e gjitarëve, 12 % e shpendëve, 32 % e ujë tokësorëve dhe 25 % e haloreve kërcënohen për zhdukje.
Shkencëtarët supozojnë se nëse do të vazhdohet me këtë trend, humbja e biodiversitetit do të ketë pasoja fatale për njerëzimin. Pasojat e kësaj humbje do të reflektohen edhe në aspektin ekonomik dhe në zhvillimet shoqërore në përgjithësi, duke pasur parasysh se rreth 80 % e nevojave njerëzore plotësohen nga këto resurse.
Ekzistojnë shumë faktorë të cilët janë shkaktarë të zhdukjes se llojeve, por më të theksuarit janë: fragmentimi i habitateve, shpyllëzimi, gjuetia e paligjshme, llojet invazive,ngrohja globale etj.
Në florën e Kosovës rëndësi të veçantë paraqesin edhe bimët mjekësore. Sa është e pasur Kosova me këto bimë?
Vendi ynë është mjaft i pasur edhe me lloje të ndryshme të bimëve mjekësore dhe aromatike. Rajonet më të pasura të Kosovës me këto bimë janë Malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna ku në këto rajone dominojnë boronica, dëllinja, aguliçja etj – lloje këto mjaft të rëndësishme dhe të vlefshme si në tregun tonë e posaçërisht në atë ndërkombëtarë.
Sipas inventarizimit të vitit 2010, Kosova ka potencial për të grumbulluar rreth 30,000 tonelata të bimëve mjekësore dhe aromatike duke përfshirë 85 lloje me potencial të lartë ekonomik siç janë rigoni, menta, dëllinja, boronica, kaça, lule basani, kamomili etj.
Me qëllim të promovimit dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të këtyre produkteve pyjore jodrusore, me përkrahjen e GIZ-it gjerman është hartuar Strategjia e Produkteve Pyjore Jo drusore (PPJ),ku përfshihen frutat pyjore, kërpudhat dhe bimët mjekësore e aromatike,e cila strategji synon mbrojtjen, kultivimin, grumbullimin, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe tregtimin e PPJ-ve, e që janë edhe synime afatgjata për ruajtjen e kësaj pasurie kombëtare që është me interes për zhvillimin ekonomik të vendit.
A rrezikohet flora dhe fauna në Kosovë nga ngrohja globale?
Ndërkohë që në Paris këto ditë u mbajt Samiti i Klimës, ku fatmirësisht u arritën marrëveshje botërore për të ulur shkarkimet e gazit serrë, njerëzve me të drejtë u lind pyetja se çfarë rëndësie ka kjo marrëveshje dhe ku është Kosova në kuadër të saj?
Kërcënimi që paraqesin ndryshimet klimatike te njerëzit, bota e gjallë dhe mjedisi ynë ku jetojmë tani më është pranuar me përmasa të mëdha, si në nivelin shkencor ashtu edhe atë vendimmarrës dhe opinioni publik në përgjithësi. Megjithatë, të gjitha të dhënat aktuale tregojnë se për çdo ditë e më tepër po kemi degradim të biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemeve e të cilat nuk po janë në gjendje të funksionojnë më. Është gjithashtu e qartë se në tërë këtë situatë të pafavorshme gjendet edhe Kosova e cila mund të goditet si në veçanti ashtu edhe në përgjithësi në pikëpamjen e biodiversitetit.
Rreziku pritet të jetë më i madh në dekadat e ardhshme, por pasojat e shkarkimeve të gazrave që po e krijojnë ketë rrezik janë të dukshme qysh tani me një numër dukurish. Ato përfshijnë temperaturat e rritura, presionin në burime të ujërave, shpeshtësinë në paraqitjen e kushteve të vështira të kohës dhe përmbytjeve, erozionet ne rritje, zjarret në pyje etj. Me të drejtë është t`i druhemi faktit se efektet e ndryshimeve klimatike do të destabilizojnë shumë vende, pa përjashtuar edhe vendin tonë, duke bërë që përveç tjerash të zhduken shumë lloje bimësh dhe kafshësh nga toka.
Çfarë masash duhen ndërmarrë për t’u kujdesur për pasuritë natyrore?
Në natyrë mbretërojnë ligjet e varshmërisë, kështu që zhdukja e një hallke në zinxhirin ushqimor do të thotë prishje e balancit natyror që shkakton zhdukjen e shpejtë të llojeve të tjera. Me qëllim të kujdesjes për pasuritë natyrore dhe përmirësimit të gjendjes së natyrës nevojitet ndërmarrja e disa masave ndër të cilat veçohet: vazhdimi i hulumtimeve dhe inventarizimi i llojeve dhe habitateve, parandalimi i prerjeve ilegale të pyjeve dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të resurseve natyrore në zonat e mbrojtura, hartimi i programeve dhe projekteve për ngritjen e vetëdijes dhe sensibilizimit për mbrojtjen e natyrës, thellimi i bashkëpunimit me organizatat vendore dhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së natyrës etj.
Mënyra më e mirë për të mbrojtur resurset natyrore kombëtare është përmes të kuptuarit se të gjithë së bashku duhet të marrim pjesë në vendim marrjet prej të cilave varet mbijetesa dhe e ardhmja e jonë. Në këtë mënyrë do të zhvilloheshin debatet publike në të gjitha nivelet duke përfshirë sensibilizimin e fëmijëve nëpër shkolla, forume rinore, nivele akademike me qëllim të shfrytëzimit sa më të mirë dhe të qëndrueshëm të atyre resurseve natyrore si pasuri kombëtare. /tesheshi.com/