Nga Blendi Gashi
Si në shumë institucione tjera, edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, auditi shtetëror ka gjetur shkelje të shumta ligjore.
Ky institucion i cili ka për detyrë hetimin dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale dhe të zbatojë ligjet në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe meritore. Por që nga paslufta, po shfaqet institucion me shumë probleme, referuar kontrolleve që i janë bërë. Fjala vjen, jo vetëm nuk merr për bazë fare vërejtjet që i janë bërë në raportin e 2015-tës, por bën veprime tjera anti-ligjore. Kjo ndodh pasi ndoshta drejtuesit e saj janë të vetëdijshëm se gjetjet e Auditit bëhen sa për sy e faqe dhe fare personat e dyshuar për vepra të ndryshme nuk kapen nga drejtësia kosovare e cila është në gjumë të thellë.
Një ndër shkeljet më të mëdha nga KPK në vitin 2016 është kompensimi në mënyrë jo ligjore i punës jashtë orarit (kujdestaritë).
“Sipas vendimit nr. 119/2011 të vitit 2011 për kompensimin e Prokurorëve dhe stafit mbështetës në KPK, për punë jashtë orarit, për kujdestari, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, është përcaktuar/bërë kompensimi si në vijim: 10 € në ditë për Prokuror, 5€ në ditë për sekretarët juridik dhe 100€ në muaj për vozitës, pavarësisht sa orë është punuar. Ky kompensim (vendim) nuk është në harmoni me parimet e ligjit të punës (Nr.03/L-212) që parasheh kompensimet sipas orëve të shpenzuara në punë. Po ashtu vendimi nuk është në harmoni as me Ligjin për pagat e nëpunësve civil nr.03/L-147, që parasheh se pagesa për punë jashtë orarit të llogaritet për çdo orë të plotë punë, duke i shtuar vlerën si në vijim: 30% shtesë gjatë ditëve të punës; 50% shtesë për punën gjatë fundjavës dhe 100% shtesë për punën jashtë orarit gjatë festave zyrtare”, thuhet në raport.
Auditi tërheq vërejtjen se pagesat për punë shtesë (kujdestari) të prokurorëve dhe stafit mbështetës në këtë mënyrë rritin rrezikun për kompensim jo të drejtë për punën e kryer.
Tjetër shkelje e KPK-së është pranimi i faturës dhe mallrave para procesimit të urdhër blerjes gjë që rrit rrezikun që të pranohen mallra dhe shërbime jashtë kërkesave të parapara, si në sasi ashtu edhe në cilësi.
“Në gjashtë (6) raste kishte vonesa në nxjerrjen e urdhërblerjes prej katër (4) deri 56 ditë, ndërsa në tri (3) raste kishte vonesa për zotim të mjeteve prej 44 deri në 46 ditë. Rreziku Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme mund të rezultojë në vonesa të ekzekutimit të pagesave, si dhe në ndëshkime për vonesa të pagesave”, tërheq vërejtjen Auditi.
Një tjetër problem është vonesa në shlyerjen e obligimeve brenda afatit të përcaktuar ligjor, ku Auditi në pesë raste ka vërejtur sonesa pas afatit ligjor prej 22 deri 158 ditë.
Njëherit edhe pagesat për ekspert janë bërë me vonesa të konsiderueshme, shpenzimet për muajt: korrik, gusht, shtator, tetor dhe nëntor të vitit 2015, janë paguar me 25.02.2016, me vonesa prej 55 deri 205 ditë.
Ndërsa sipas nenit 37 pika 1 e Rregullës Financiare Nr.01/2013/MF – “të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë”.
Auditi ka gjetur poashtu se disa fatura të pranuara dhe të papaguara nuk ishin përfshirë në raportet e obligimeve si: fatura në vlerë prej 7,207€ e pranuar në dhjetor 2015, fatura në vlerë 12,500€ në janar 2016, fatura në vlerë 5,095€ në shkurt 2016 si dhe fatura në vlerë 170€ në korrik 2016.
Një shkelje tjetër e KPK-së është tejkalimi i afatit të përcaktuar me ligj për mbulimin e pozitave me ushtrues detyre. Kjo është vërejtur në pozitën e zyrtarit të lartë për prokurim që është nga data 11.05.2016, me tejkalim të afatit prej katër katër muaj, ndërsa ligji parasheh që një ushtrues detyre nuk mund të ushtrojë aktivitetin më shumë se tre muaj. /tesheshi.com/