Është sekuestruar nga policia shqiptare sasia më e madhe e drogës; rreth 1 ton hashash që po përpunohej pas korrjes.
Operacioni është kryer në zonën e Kurveleshit dhe është drejtuar nga krerët më të lartë të policisë.
Ky operacion i koduar “Llufa” po vazhdon ende dhe burime policore bëjnë të ditur se sasia e lëndës narkotike e sekuestruar pritet të jetë më e madhe. Ajo ishte magazinuar në një stan në mal, ku zakonisht bëhet përpunimi i qumshtit dhe produkteve që merren nga të imtat.
Poseduesit e drogës kanë mundur të largohen në mal, por janë identifikuar dhe operacioni vijon për kapjen e tyre.
Ndërkaq, në drejtorinë e policisë së Gjirokastrës ndodhet dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda, Ardian Çipa dhe zyrtarë të tjerë të policisë, të cilët po koordinojnë veprimet me krerët e policisë së Gjirokastrës. /tesheshi.com/