Nga Blendi Gashi
Ndërsa treni ilegal serb, ndalimi i Haradinajt dhe muri, janë çështjet që kanë sfiduar së fundmi politikën kosovare, papritmas në skenë ka “zbritur” edhe heroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Edhe pse pikë e rendit të ditës në seancën e sotme plenare nuk ishte debati për historinë, deputetë të caktuar e bën pjesë atë, duke u përplasur mes vete, rreth asaj nëse Perandoria Osmane ka pushtuar apo jo tokat shqiptare.
Dhe “fajtori” për këtë është njeriu që ia mveshi meritat vetes për ndaljen e trenit. Pra, presidenti Thaҁi. Përmes një shkrimi ai ditë më parë përkujtoi vdekjen e heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeu, ku shkroi:
“Heroi ynë kombëtar ishte i pari që realizoi një bashkim politik të shqiptarëve në Besëlidhjen e Lezhës dhe për çerek shekulli ndali perandorinë më të fuqishme të kohës që të depërtonte në zemër të Evropës. Vepra e tij frymëzoi rilindjen tonë kombëtare, qëndresën ndaj pushtuesve, luftën çlirimtare në Kosovë dhe do të na frymëzojë edhe në të ardhmen për konsolidimin e shtetit tonë të pavarur e sovran”.
Ky deklarim aspak nuk i pëlqeu deputetit të pavarur, Gëzim Kelmendi i cili ka akuzuar Thaçin se po i minon dhe po dëmton marrëdhëniet Kosovë-Turqi, duke i ka kujtuar pritjen që i është bërë para disa ditësh nga presidenti Erdogan dhe investimet e shtetit turk bërë në Kosovë.
“Presidenti Erdogan ka bërë dhe vazhdon të bëj shumë për Kosovën, dhe ky epitet që sot ja dhatë perandorisë osmane, duke e quajtur pushtuese, ju e goditët keq Erdoganin, e goditët keq Turqinë dhe gjithë ata shqiptarë që perandorinë osmane nuk e cilësojnë pushtuese”, ka reaguar Kelmendi.
Kreu i partisë FJALA kërkon nga presidenti të mos e shkatërroi vendin për interesat e tij private.
“Nëse i referohemi termit të juaj ‘pushtues’ për perandorinë osmane, mos harro se pjesë përbërëse e kësaj perandorie osmane kanë qenë shumë shqiptarë, dhe sipas jush ne i kemi vetpushtuar trevat tona. Unë dhe shumë qytetarë të Kosovës e dijmë mirë pse e ke kujtuarr ditën e vdekjes së Skënderbeut, pse po përkulesh para varrezave serbe ku shkruan se janë të vrarë nga ‘terroristët shqiptarë’. Por nuk të ka hije, je President i një vendi për të cilin është derdh shumë gjak, dhe mos e shkatërro këtë vend për interesa përsonale”, ka reaguar Kelmendi.
Reagimit të deputetit Kelmendi nuk i është përgjigjur Thaçi edhe pse sigurisht mund të jetë në dijeni për një gjë të tillë.
“Çfarë kishte topi osman të cilit ia vuri gjoksin Mic Sokoli”
Papritmas kjo çështje zbriti sot edhe në institucionin ligjvënës ku deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i doli në mbrojtje preisdentit, njëherit ish-shefit të tij Thaçi, duke iu kundërvënë Kelmendit.
Haxhiu i njohur me nofkën edhe “Kamishi”, tha se është i vetëdijshëm se ka shumë tema të rëndësishme për t’u diskutuar, por shtoi se nuk mund të ngre shqetësimin e tij, siç u shpreh dhe të shumë qytetarëve pas reagimit të bërë nga deputeti Kelmendi për heroin Skënderbeu.
Deputeti i PDK-së pyeti Kelmendin: A mendoni se forcat e Perandorisë Osmane në trojet shqiptare kanë ardhur për të shpërndarë dhurata e karamele?
Derisa, u përgjigj në pyetjen që shtroi vetë.
“Jo. Ato erdhën për të pushtuar tokat tona dhe gjatë kësaj përpjekje u vranë qindra e mijëra shqiptarë. Me flamurin e Skënderbeut kemi zhvilluar të gjitha luftërat çlirimtare e edhe luftën e UÇK-së. Identieti shqiptar u ruajt me kujtesën për luftërat e këtij heroi. U ruajt me flamurin e Skënderbeut”, ka thënë Haxhiu, duke e pyetur sërish Kelmendin se çfarë kishte topi osman, të cilit ia vuri gjoksin Mic Sokoli”, deklaroi Haxhiu në seancën plenare.
Ai nuk u ndal me kaq pasi akuzoi deputetin Kelmendin se po tenton të zbeh figurën e kryheroit tonë kombëtar dhe shtoi se “glorifikoimi i një Perandorie pushtuese siç ka qenë ajo Osmane, nuk i kontribuon marrëdhenieve të mira me shtetin mik turk”.
Haxhiu kërkoi nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që marrëdhëniet me shtetin mik turk t’i ngrejnë në parime të shëndosha ku do të respektohen vlerat dhe traditat e ndërsjella.
“Haxhiu, me diplomë të falsifikuar”
Ndaj deklaratës së Haxhiut reagoi ashpër deputeti Kelmendi i cili shfrytëzoi minutazhin gjatë debatit parlamentar për arsimin me ç’rast tha se nuk mund t’i përgjigjet një politikani me diploma të falsifikuar për një periudhë historike të ndjeshme.
“Mendoj se shumë faktorë kanë ndikuar që arsimi të jetë në këtë gjendje. Ndër ta është padyshim ndikimi i politikës, apo më mirë me thënë edhe i disa politikanëve që kanë ndikuar në arsim, të cilët në momentet të caktuara nuk kanë nguruar ndoshta edhe diploma universitare, ndoshta edhe tituj shkencorë të marrin pa e parë fare fakultetin me sy. E raste të tilla kemi fatkeqësisht edhe në parlamentin e Kosovës , ku politikanë të tillë me diplomë të kontestuar universitare japin edhe mësim në fakultetin e mjekësisë. Aktakuza është e ngritur nga prokuroria e EULEX-it, e cila e ka dërgu lëndën në Prokurorinë Sepciale. Fjalën e kam për deputetin Bekim Haxhiu, i cili para pak çastesh më citoi me shumë kritika, por e kam të pamundur t’i përgjigjem, se deputeti e ka një aktakuzë nga prokuroria e EULEX-it për diplomën e kontestuar universitare, dhe unë për vete e kam të pamundur t’i përgjigjem kritikave të tij, për faktin se e di një gjë. Nuk ka diplomë universitare sipas EULEX-it. Ndërsa unë nuk e di a ka edhe shkollë të mesme, ndërsa kritikat që i drejtoi ndaj meje për një periudhë parahistorike para 400 vjeçare është një temë shumë e ndijeshme dhe mendoj se kapaciteti i tij nuk di ta përballon përgjigjen time”, deklaroi Kelmendi.
Pas këtij fjalimi të Kelmendit, nuk ka pasur një reagim të deputetit Haxhiu, ndonëse nuk dihet nëse ka qenë në sallë në momentin që është akuzuar se nuk posedon diplomë valide universitare. /tesheshi.com/