Agron Tufa u shpall fituesi i edicionit të 19-të të Panairit të Librit, edhe pse stendat do të vazhdojnë të jenë të hapura deri nesër mbrëma (13 nëntor). Juria e vlerësoi atë me cmimin “Autori i vitit” me librin me poezi “Kafsha apo fantazma” me motivacionin “Për një perceptim origjinal intelektual dhe emocional të mbrojtjes së hapave të njeriut”. Vetë poeti tha se ky libër është produkt e shkrimeve të tij, gjatë kohës kur përballej me njerëz që nuk tregoheshin korrektë në takimet e planifikuara me të. “Për fat të mirë takime të shumta sipas punëve të mia më kanë dhënë një favor të madh për shkrimin e poezive, për fatin e madh se shqiptarët gjithmonë vonohen në takimet fikse. Kështu që dalë ngadalë unë këtë kohë e kam shfrytëzuar”, tha Tufa.
Po ashtu, përkthyesi i vitit u shpall Edvin Cami për librin “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, ndërsa në letërsinë për fëmijë si fitues u rendit Luan Rama për librin “Më quajnë Aleksander Moisiu” me motivacionin “Rrëfim emocional i figurave njerëzore si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël”.
Juria ishte e përbërë nga Lili Sula, Tonin Cobani, Agim Baçi, Jorgji Qirjako, dhe Alida Cenaj./tesheshi.com