Kadri Veseli, ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, e që prej pak vitesh drejton dhe PDK-në e themeluar nga Thaçi, u nis drejt Speciales i thirrur nga kjo e fundit.
Njeriu me dritëhije të shumta në të kaluarën e tij të pasluftës, tha se nuk i tutej përballjes me të vërtetat e luftës së UÇK-së, në të cilën ai pati role drejtuese.
“Jam duke udhëtuar për në Hagë me ftesë të Dhomave të Specializuara, jam i ftuar për intervistim. Gjykata Speciale është sfidë përballë krimeve makabre serbe, por të njëjtën kohë është edhe një moment ndërkombëtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës e të popullit tonë, luftës së ushtrisë tonë”, tha Veseli.
“Jam shumë krenar dhe e falënderoj Zotin për këtë. Dua ta them se me asnjë gjë nuk e ndërroj atë pjesë të jetës sime krenare. Historia e UÇK-së, është historia e popullit tonë për liri dhe pavarësi”, shtoi më tej kreu i PDK-së.
Ndryshe nga Haradinaj, i cili është ndër më të përballurit me drejtësinë ndërkombëtare për të djeshmen e luftës, Kadri Veseli ka rastin e parë të përballjes. Ndërkohë, i papërballur ende mbetet Thaçi. /tesheshi.com/