Nga Bashkim Kastrati
Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) aktualisht ka vetëm tre kardiokirurgë. Fatkeqësisht kjo klinikë muaj më parë ka funksionuar vetëm me një apo dy doktorë kardiokirurgë.
Duhet theksuar se përkundër mungesës së madhe të stafit mjekësorë në këtë klinikë, ky shërbim po funksionon 24 orë në ditë dhe brenda kapaciteteve janë kryer në vazhdimësi operime në zemër.
Kjo klinikë, nga tetori i vitit 2015 është funksionalizuar në tërësi. Problemet fillestare kanë qenë rreth kompletimit të stafit, pasi që pagat dhe kushtet që ofron QKUK-ja, nuk kanë qenë të pranueshme nga kardiokirurgët që të punojnë aty, pasi që spitalet private kanë ofruar kushte dhe paga shumë më të larta.
Zyrtarë shëndetësorë thonë se nga tetori i vitit 2015, kur edhe ka filluar punën intensive Klinika e Kardiokirurgjisë, kanë përfituar edhe specializantët, të cilët kanë pasur mundësi të edukohen brenda institucionit dhe duke qenë nga afër pjesë e këtij shërbimi.
Por, buxheti për Klinikën e Kardiokirurgjisë është i mangët, meqë shërbimet për kryerjen e operacioneve në zemër, janë të kushtueshme.
Në këtë klinikë nevojitet të rritet furnizimi me barna dhe material shpenzues, pasi që buxheti kufizon mundësit për kryerjen e një numri të caktuar të operacioneve në kuadër të këtij shërbimi.
Ja sa është lista e pritjes dhe sa pacientë janë operuar në zemër në tri vitet fundit
Doktor Tefik Bekteshi, ushtrues detyre i drejtorit të shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, ka thënë për tesheshi.com se aktualisht në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive janë të punësuar 3 kardiokirurgë.
Sipas dr. Bekteshit, me këtë staf në tri vitet e fundit janë operuar 275 pacientë.
Ai thotë se kanë kërkesë për punësimin edhe të disa kardiokirurgëve dhe pritet së shpejti të shtohet numri i kardiokirurgëve e që do të ndikonte pozitivisht në punën e kësaj klinike.
“Aktualisht pritet që dy mjekë të punësohen, së pari me kontratë mbi vepër. Ndërkaq, në specializim janë tani tetë mjekë”, thotë dr. Bekteshi.
Duke marrë parasysh numrin e vogël të kardiokirurgëve edhe shërbimet që ofrohen aty janë të kufizuara, pasi që kërkesat për ndërhyrje kirurgjike në zemër janë të mëdha. Në këtë situatë mbetet numri i madh i atyre që janë në listën e pritjes për t’u operuar.
Kjo është shqetësuese, sepse pacientët që janë në pritje kanë probleme me zemrën dhe vonimi i operimit mund të jetë fatal për ta. Ndërkaq numrin e saktë të listës së pritjes na e dha dr. Bekteshi.
“Lista është në revidim, pretendojmë të bëjmë një listë e cila do të respektohet pa përjashtim. Në pritje janë mbi 200 pacientë”, thotë Bekteshi.
Në këtë listë të pritjes zakonisht janë ata pacientë që nuk kanë mundësi të kryejnë operimin në spitale private, pasi që këto shërbime shëndetësore kanë kosto të lartë.
Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se operacionet në zemër që janë kryer prej funksionalizimit të kësaj klinike, buxhetit të shtetit ia kanë kursyer mbi 2.5 milionë euro. /tesheshi.com/