Një tjetër fitore ka arritur opozita pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin.
Zyrtarët e dyshuar për dosje kriminale të vendet e Europës po shtete të tjera nuk do të verifikohen nga Ministria e Brendshme, por nga zyra e EURALIUS dhe OBDAT. Më konkretisht, misionet e BE-së dhe SHBA për asistencën në drejtësinë shqiptare.
Do të jenë zyrtarët e këtyre organizmave që do të nisin letrat në kryeqytetet e BE-së por edhe në zyrën qendrore të Departamentit të Drejtësisë dhe asaj të FBI-së në Uashington.
Burime diplomatike i thanë tesheshi.com se pritet që deputetët dhe krerët e bashkive të verifikohen që në muajin janar.
Por ka gjasa që sërish të luhet politikisht me këtë çështje, por gjithsesi po qarkullojnë emrat e mundshëm që mund të preken.
Kështu, mazhoranca edhe pse ka përjashtuar Armando Prengën nga radhët e veta, do të duhet t’i heqë mandatin dhe, do të shkaktojë një problem të madh për listën e qarkut Lezhë ku PS-së nuk i ka mbetur më kandidat, ndaj ka gjasa që ta marrë LSI-ja.
Në emrat e kryetarëve të bashkive, opozita ka përmendur emrat e Elvis Roshit të Kavajës dhe Artur Bushit të Krujës, si me precedentë penalë.
Ndërkohë opozita ka zgjedhur për kundërbalancë emrin e kryetari të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun i cili u dënua me vendim gjykate me 4 vjet për korrupsion. Dhe pritet të ofrojë të tjera emra me precedentë të ngjashëm, nis mos dhe Arben Ristanin, Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, ish-i dënuar nga gjykata në vitin `94 për shkak të një afere.
Procesi
Brenda 3 muajsh të gjithë të zgjedhurit dhe të emëruarit në poste publike duhet të verifikojnë veten nëse janë në konflikt me ligjin sa i përket inkriminimit. Brenda 6 muajsh, ata duhet të dorëzojnë te titullari formularin e plotësuar të deklaratës se nuk janë të inkriminuar
Ndryshimet në Kushtetutë dhe ligji për dekriminalizimin, përcaktojnë tashmë një sërë hapash dhe afatesh kohore që duhet të ndjekin të gjithë funksionarët publikë apo ata që duan të konkurrojnë për të qenë të tillë, për të bërë verifikimin e figurës së tyre dhe vërtetimin se nuk janë në konflikt me përcaktimet ligjore që bëjnë këto dy dokumente.
Më konkretisht, funksionet publike që i nënshtrohen këtij verifikimi janë ato në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj, posti i zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të, prefekti, funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj, pjesëtarët e Shërbimit Informativ të Shtetit, nëpunësit e shërbimin civil, në çdo nivel drejtimi të Policisë së Shtetit, ushtarakë në Forcat e Armatosura, si dhe në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.
Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkie apo këshilltarë në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me jo më pak se 2 vjet burgim ose me 6 muaj për vepra të kryera me dashje dhe që nuk përfshihen në grupin e parë të veprave të ndaluara.
Ky ndalim zbatohet edhe ndaj personave, për të cilët është marrë masë sigurimi personal, vendim dënimi jopërfundimtar, ose është lëshuar një urdhër kërkimi/arresti ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në shkronjat a dhe b, të pikës 1, të këtij neni, deri në momentin e revokimit të masës së sigurisë, urdhrit të kërkimit/arrestit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë së dhënë nga gjykata kompetente.
Ndërkohë që tashmë pas miratimit të këtyre dy ligjeve, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, u lihet 3 muaj kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre. /tesheshi.com/